Takimi përgatitor për konferencën, u mbajt më 26 korrik 1943, në orën 11. 00 në Tapizë, fshat pranë Tiranës, në shtëpinë e Ihsan Toptanit.
Po atë ditë, u organizua në Shkodër demonstrata e madhe kundër pushtuesit italian. Aty morri pjesë, pa dallim feje e ideje, gjithë rinia e qytetit, në ballë të së cilës ishin intelektualët. Në këtë demonstratë u vra profesori i gjimnazit të shtetit, Mustafë Dervishi, kryetar i rinisë së Ballit Kombëtar. Edhe funerali qytetar ishte një protestë e fuqishme, që s’e ndalën dot ushtarët e Duçes dhe varri i dëshmorit Mustafë Dervishi u mbulua me kurora. “Ishin kunora prej të gjitha ideologjinave, u derdhën lot të sinqertë prej të gjitha klasave të Shqipnis” 60)
Xhuliano Emeri shkruante: “Diskutimet paraprake u zhvilluan me ndërmjetësinë e Ihsan Toptanit, shqiptar nga një familje e dëgjuar dhe me pikëpamje politike të pavarura “61)
Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar përbëhej prej major Abaz Kupit, Myslim Pezës, Dr. Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit. Delegacioni i organizatës së Ballit Kombëtar përfaqësohej prej Mid’hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Faik Qukut. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetari i mbledhjes dhe Mustafa Gjinishi sekretar. 62)
U vendos, gjithashtu, të pranoheshin si dëgjues me votë konsultative: Ihsan Toptani, Kamber Qafmolla, Ethem Haxhiademi, Patër Lek Luli, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata, Abdulla Ymeri etj.
Pjesëmarrja në takim e Mid’hat Frashërit, Kryetar i organizatës “Balli Kombëtar” tregon për vlerësimin, përkushtimin dhe përpjekjen serioze të nacionalizmit shqiptar për të arritur marrëveshjen, e cila do të ishte, nëse arrihej, vendimtare dhe dobiprurëse për Shqipërinë dhe për zhvillimet e mëvonshme politiko-shoqërore të saj. Siç kujton dr. Y. Dishnica, Mid’hat Frashëri u dha pjesëmarrësve lajmin e rënies së Musolinit natën e 25 korrikut – trasmetuar nga Radio Londra, lajm që i gëzoi të gjithë dhe i bëri më optimistë. Fjalët e tij për domosdoshmërinë e bashkimit në kushtet kur një pushtonjës i ri po i vinte Shqipërisë dhe kur çështja kombëtare, sidomos vetëvendosja e Kosovës e bashkimi i saj me Shqipërinë, ishin aq pranë zgjidhjes dhe e kërkonin këtë unitet, qenë bindëse dhe të argumentuara si historikisht dhe aktualisht. M. Frashëri që e njihte mirë çështjen tonë kombëtare, theksoi se kjo çështje duhet shtruar për zgjidhje qysh në atë kohë, pa mbaruar lufta dhe të ishte në agjendën e bisedimeve si çështje parësore, duke ua bërë të njohur edhe qeverive të vendeve të tjera, në mënyrë që pas Luftës të kishte një angazhim ndërkombëtar për ta ndrequr atë sipas të drejtës kombëtare e në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të vetëvendosjes së popujve.
- Hoxha nuk shkoi vetë në Tapizë dhe më pas në Mukje, jo vetëm se nuk i përgjigjej shpirtërisht kësaj fryme bashkëpunimi, ndonëse i interesonte për momentin, dhe se ishte nën nivelin intelektual të partnerëve, por edhe sepse, sido që të ndodhte, ai të mbetej jashtë përgjegjësisë dhe të ruante formalisht edhe të drejtën e kundërshtimit, të larjes së duarve të tij dhe të larjes të hesapeve me të tjerët.
Pjesëmarrja e figurave të tilla si Y. Dishnica, A. Kupi, M. Gjinishi dhe M. Peza, Medar Shtylla etj., personalitete qendrore të Këshillit të Përgjithshëm NÇL, por me tharm nacionalist e socialdemokrat, i siguruan Mukjes dialogun konstruktiv dhe i dhanë peshën e duhur në gjykimin e marrjen e vendimeve aq të rëndësishme për kohën.
Sipas dëshmive të Y. Dishnicës, në takimin e Tapizës u rrahën dy probleme kryesore: si do të organizohej më mirë e në stil më të gjerë lufta e armatosur kundër okupatorit si dhe problemi i Shqipërisë etnike, veçanërisht ai i Kosovës, për të cilin u arrit në konkluzionin se do të kërkohej zgjidhja konform Kartës Atlantike…63)
- Dishnica i dërgon nga Tapiza përshtypjet e tij të para Tarasit (Enver Hoxhës):” Në mbledhjen e Tapizës delegatët e Këshillit Nacionalçlirimtar qëndruan mjaft mirë, ndër të tre nacionalistët, Myslym Peza qëndronte i thjeshtë, por i patundur, Kamber Qafmolla qëndroi mirë dhe Bazi në disa pika lëkundej. Delegacioni i Ballit: Lumo, Dosti, Quku.. I pari, reaksionar dhe mjaft intransigjent. Dosti i moderuar dhe Quku më i vendosur, më afër nesh në mendime…(Të paktën përcaktojmë portretet e asaj dite). Qëndrimi i Mustafait ka qenë fare i mirë, i ka mbrojtur mendimet tona me ashpërsi dhe gjallëri të madhe…Patër Lek Luli ka mbajtur një qëndrim të mirë si para mbledhjes ashtu edhe në mbledhje. Pas katër orë diskutimesh, ku merrnin pjesë si editorë, shfaqën mendimet e tyre Patër Lekë Luli, Xhemal Herri dhe Hyseni ynë (Gogo Nushi-shenimi i red.) tendencat zogiste dhe antizogiste kanë zënë të manifestohen hapur. Do të përpiqemi t’i përdorim këto divergjenca. Bazi nga ana e tij shfaq oreks të madh se është i vetmi nga ata nacionalistë, që ka fuqi efektive; nga ana tjetër, fuqitë tona nuk i sheh të gjitha dhe kështu influencohet për të keq. Bazi në të vërtetë, duke parë dobëinë reale Të Ballit, kërkon të përfitojë që ta tërheqë jorganin nga këmbët ë veta. Në Ballin Kombëtar kontradiktat janë të mëdha: shfaqjet antizogiste dhe tendencat konservatore janë të forta. Ne shpresojmë të përfitojmë nga këto kontradikta. Por edhe puna jonë është mjaft e rëndë, aq më tepër që jemi të izoluar prej jush…”64)
Përfaqësuesit e të dy organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar, vendosën t’i propozonin konferencës që do të mblidhej më datën 1gusht 1943, këtë platformë:
Neni 1. Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”.
Neni 2. “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë” ka për qëllim realizimin e këtij programi:
- a) Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.
- b) Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit në atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtyt të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve të njohur universalisht prej Kartës së Atlantikut.
Neni 3. Një Shqipëri e lirë, indipendente e demokratike e vërtetë.
Neni 4. Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anë të një asambleje konstituente të zgjedhur me sulfrazhë universalë.
Neni 5- Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore. Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që të lejojnë rrethanat. Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre, e nënshkruajnë këtë rezolucion “ad referendum” 65)
Siç shihet nga ky dokument, mbledhja e Tapizës ka rëndësi të veçantë, sepse në të u hodhën bazat e marrëveshjes dhe u përgatit platforma politike e konferencës kombëtare.
Protokolli i mbledhjes së Tapizës u firmos nga Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi dhe Myslim Peza, që kishin mandat të plotë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, ndërsa nga pala tjetër-ad referendum- meqenëse nuk kishin ende mandate nga Organizata e Ballit Kombëtar, por këto i siguruan për takimin tjetër.
Përveç platformës, e cila u hodh në procesverbalin e mbledhjes së Tapizës, u trajtuan edhe çështje të tjera si edhe u shfaqën pikëpamje të ndryshme për probleme të rëndësishme, gjatë katër orë diskutimesh e debatesh. “Bie fjala,- shkruan Y. Dishnica,- në zjarrin e ditës e të një entuziazmi momental, Dosti kërkoi proklamimin e indipendecës dhe njëkohësisht të një ultimatumi italianëve….” 66) Sipas Y. Dishnicës, nacionalistët vinin me shpresën e një fitimi të shpejtë e të afërt. Shumë herë shfaqnin edhe tendencën e një qeverie provizore në Krujë, duke shpresuar në mbështetjen e Veriut dhe në një pëlqim të shprehur të Abaz Kupit.
Këtë e dëshmon edhe Hasan Dosti në kujtimet e veta, botuar në gazetën Yllirija nga Sami Repishtit. “Hasan Dosti tregon zhvillimin e ngjarjeve politike në Itali dhe propozon çlirimin e Krujës, si edhe parashtron planin e shpalljes së rivendosjes së pavarësisë kombëtare shqiptare, duke përfshirë edhe tokat shqiptare të integruara (nga ish-Jugosllavia) në shtetin shqiptar. Nacionalçlirimtarja pranon propozimin në parim, por kërkon si akt paraprak një bashkim, ose së paku, një marrëveshje midis BK dhe NÇ dhe ky akt të konsakrohet me një dokument të shkruar. Edhe mbas përfundimit të këtij akti, çështja e shpalljes së pavarësisë, duke pasur një rëndësi të jashtëzakonshme, kërkon konsultim paraprak me udhëheqësit e Nacionalçlirimtares…Nga bisedimet konfidenciale të Mustafa Gjinishit me disa anëtarë të delegacionit të BK, zbulohet se shpallja e Pavarësisë në Krujë nuk do të pranohej nga Nacionalçlirimtarja për arsye se Kruja konsiderohej si një qytet i lidhur me emrin e Abaz Kupit, e si rrjedhim i Legalitetit. Po të pranohej ky propozim për shpalljen e pavarësisë, shtonte Mustafa Gjinishi, atëherë ky akt duhej të bëhej në Vlorë ose në Lushnjë. Dr. Ymer Dishnica ishte i një mendimi me Gjinishin.” 67)
Në fund të takimit, u caktua vendi i Konferencës kombëtare në Zall Herr, ndërsa data e nisjes së punimeve: 1 gushti 1943.
Në Zall Herr, u mblodhën gradualisht përfaqësuesit e të dy organizatave, ardhur nga krahina të ndryshme të vendit.
Në pritje të delegatëve të nacionalçlirimtares, që kishin shkuar nga Tapiza në Tiranë, për t’u konsultuar me shokët e qarkorit të PKSH të Tiranës dhe të shtypit e propagandës, si edhe të njoftoheshin me udhëheqjen e partisë në Vithkuq për zhvillimet e deriatëhershme të bisedimeve, delegatët e Ballit Kombëtar bashkë me anëtarët e tjerë të KQ të BK, u mblodhën në një pyll në afërsi të Zall-Herrit dhe diskutuan gjatë datave 29-30 korrik për dispozitat e protokollit të nënshkruar në takimin përgatitor të Tapizës.
Sipas Hasan Dostit, Ali Këlcyra kërkoi që në nenin 2 të protokollit definitive të vihej shprehimisht e pozitivisht formula “rivendikim i Kosovës”. Shumë pjesëmarrës u shfaqën pro kësaj formule. Hasan Dosti e kundërshtoi shprehjen “rivendikim i Kosovës” për arsye se:
– Nuk mund të pranohej si formulë nga Lëvizja Nacionalçlirimtare
– Formula nuk është e përshtatshme me përcaktue tokat që rivendikohen
– Shprehja “rivendikim i Kosovës” ngushton kuptimin e parimit të organizatës së BK për rivendikimin e tokave shqiptare të humbura padrejtësisht më 1913, sepse përjashton qytetet dhe rrethet e Dibrës, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Strugës, Ohrit në Maqedoni dhe Ulqinit, Tuzit, Hotit e Grudës dhe rretheve të Tivarit në Malin e Zi. 68)
Gjithsesi, ky opsion i Ballit Kombëtar do të debatohej me delegatët e Nacionalçlirimtares në konferencë. Nenet e tjerë të marrëveshjes paraprake, të firmosura “ad referendum” u miratuan. Delegatët e Ballit kombëtar morën mandatet e përfaqësimit.
Mirëpo, meqenëse në atë zonë u vërejtën lëvizje të shpeshtuara të forcave italiane dhe Zall Herri ishte i pambrojtur, u vendos që konferenca të bëhej në Mukje, fshat ndërmjet Tiranës dhe Krujës, zonë e lirë dhe bazë e sigurt e luftës, gjithnjë nën kontrollin dhe influencën e Abaz Kupit.
Në një shkresë të Kuesturës së Tiranës, dërguar Ministrisë së Brendshme, shkruhet: “Ju komunikojmë se sipas informatave të mbledhur deri tani, prej burimesh të sigurta, rezultojnë se janë largue prej Tirane, personat që vijojnë:1. Mid’hat Frashëri, 2. Hasan Dosti, 3. Faik Quku etj. 69)
I këtij momenti është edhe misioni i Faik Qukut në Milot për të marrë takim me batalionet shqiptare “Dajti” e “Taraboshi”, të cilët duhet të viheshin në dispozicion e mbështetje ushtarake të Kuvendit të Mukjes.
Po kështu, nga Tirana dolën dhe u drejtuan për në Mukje edhe delegatët e Nacionalçlirimtares. Ramazan Mëniku (Beliu) kujton: “Unë, ndonëse nga familja Mëniku, bëja pjesë në të majtën e asaj kohe. M’u bë qejfi kur mora vesh se do të bëhej një bashkim e një marrëveshje ndërmjet lëvizjes NÇ dhe Ballit Kombëtar. Me Ismail Agë Petrelën ishim komshij dhe ai më foli për marrëveshjen që po përgatitej. Ai kishte dëshirë të më merrte në anën e tij, por unë nuk iu përgjigja. Isha caktuar nga Qarkori i Tiranës për të ndërmjetësuar për vendin ku do të bëhej mbledhja, meqenëse e njihja mirë zonën.. Meqenëse Zall-Herri ishte i ekspozuar dhe i pambrojtur nga ndonjë mësymje e ushtrisë italiane, vendosëm që kuvendi të bëhej në fshatin Mukaj. E aprovoi edhe Gogo Nushi, sekretar politik i PK për qarkun e Tiranës. E lajmërova edhe Ismail Petrelën për vendin. Me një makinë të qytetarit patriot Zenun Petrela, që banonte në Kodrën e Kuqe, unë shoqërova Ymer Dishnicën, Mustafa Gjinishin dhe Gogo Nushin për në Mukaj. Makina na çoi deri afër Mukajt, mandej rrugën e mbetur e bëmë më këmbë. Unë nuk morra pjesë në konferencë, po qëndrova me partizanët e grupit Krujë-Ishëm deri sa mbaroi mbledhja. Kur u kthyem po me atë makinë, Ymeri, Mustafai dhe Gogoja flisnin frëngjisht, gjuhë që unë e kuptoja dhe e flisja mirë. Ata ishin të entusiazmuar me marrëveshjen e arritur dhe mezi prisnin të arrinin në Tiranë që të botonin e shpërndanin traktin për Marrëveshjen e Mukajt.” 70)
Ndërkohë, më datën 28 korrik 1943, u organizua në Tiranë nga Nacionalçlirimtarja një demonstratë popullore prej 3-4 mijë vetash kundër pushtuesve italianë, me parullat: “Jashtë zaptuesit! Rroftë Shqipëria!” etj. Ushtria italiane qëlloi mbi turmën, vrau dy vetë dhe plagosi mjaft të tjerë.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Shqiptarët prisnin bashkimin dhe një drejtim të organizuar të luftës.
Sipas ditarit origjinal (të ruajtur në Arkivin e Shtetit) të shkrimtarit Haki Stërmilli, delegat i Nacionalçlirimtares në Kuvendin e Mukjes, Tirana, në datën 30 korrik 1943 ishte e rrethuar nga italianët dhe ishte e vështirë të gjendej ndonjë shteg daljeje. Më datën 31 gusht, Haki Stërmilli, Gaqo Tashko, Malo Frashëri dhe Stefan Plumbi u nisën me një makinë drejt Zall-Herrit. Në breg të lumit takuan Lym Ketën, maskuar me rroba fshatari dhe Gogo Nushin, delegat i Konferencës. “Në kohë të zamrës, sosëm në katundin Herraj, ke shtëpia e Xhemal Herrit., – shkruan H. Stërmilli. – Këtu gjetëm shokët Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi dhe ing. Spiro Koleka. Ma vonë erdhi Dr. Omer Nishani, Sulo Bodgo, Dr. Medar Shtylla, Vasil Nathanaili, Shefqet Beja. Pa kalue shumë kohë, mbërrini edhe Myslim Peza, i shoqnuem nga dy çeta partizane.” 71)
Sipas kujtimeve të pjesmarrësve të tjerë 38), në mbrëmjen e datës 31 korrik 1943 në Zall Herr, në shtëpinë e Xhemal Herrit, u bë një debat i fortë në mes të deleguarve për atë që i ndante dhe për atë që i bashkonte. Të gjithë ishin për bashkëpunim. Po kur erdhi fjala tek “ylli i kuq” – simbol i komunizmit që i ndante shqiptarët dhe tek shqiponja – simbol i shqiptarizmit që i bashkonte ata, diskutimi u ndez e u ashpërsua, prandaj, për ta kapërcyer këtë gjendje kundërthënëse, Ethem Haxhiademi filloi menjëherë këngën “Për mëmëdhenë”, që e kënduan të gjithë si një epilog të këtij debati e si një prolog të marrëveshjes.
tjerë të marrëveshjes paraprake, të firmosura “ad referendum” u miratuan. Delegatët e Ballit kombëtar morën mandatet e përfaqësimit.

Uran Butka
Leave a Comment