images

“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat sapo të kenë përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre.”

Mit’hat Abdyl Frashëri

U përurua Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”

U përurua Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” në Tiranë. Morën pjesë drejtues të institucioneve kulturore dhe shkencore të vendit, personalitete  të shquara: studiues, historianë, shkrimtarë, botues, gazetarë, pedagogë, studentë etj. E përshëndetën themelimin e këtij instituti, zotërinjtë: Bujar Leskaj, Beqir Meta, Agron Tufa, Artur Roshi, Bilal Kola, Sulejman Gjana, Halit Shamata, Reshat Kripa,Lulzim Brahja e të tjerë. Z. Tomor Dosti i dhuroi institutit portretin e Mit’hat Frashërit, që mbahej nga ati i tij, Hasan Dosti, në selinë e “Komitetit Shqipëria e Lirë” në New York. Botuesi i mirënjohur Bujar Hudhri i dhuroi institutit veprën e plotë të shkrimtarit Ismail Kadare në 20 vëllime, po ashtu edhe botuesi Ndriçim Kulla kolanën e Mendimit Shqiptar. Ndërsa studiuesi  Bardhyl Adem Selimi  dhuroi botimin “Adem Gllavica”  njëri nga luftëtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare të Kosovës.

Drejtori i Institutit Uran Butka lexoi mesazhin e urimit të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare: “ I uroj institutit “Lumo Skëndo” mbarësi dhe jetëgjatësi, për të përmbushur testamentin e Lumo Skëndos dhe për të ndriçuar të vërtetën historike të përçudnuar. Fshehja e së vërtetës është një katastrofë morale që mund të kthehet në një katastrofë të mirëfilltë për një popull, që përpiqet të dalë nga errësira në dritë.”

 

Dekorimi i zotit Uran Butka

Dekorimi i z. Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin:”Për veprimtarinë e paçmueshme kushtuar studimit, hulumtimit dhe trajtimit skrupuloz të çështjes kombëtare shqiptare, shpalosur përmes botimit të veprave madhore, të cilat pasqyruan, ndriçuan dhe rehabilituan shumë figura kombëtare, si dhe për kontributin e vyer profesional e njerëzor dhënë në zhvillimet demokratike në Shqipëri pas shembjes së diktaturës”.