Mbledhja e Mukjes, që ka dimensionet dhe vlerat e një kuvendi kombëtar, u zhvillua më datën 1–3 gusht të vitit 1943. Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë; në një udhëkryq të historisë: marrëveshje dhe bashkëpunim mes forcave politike e luftarake shqiptare në luftën kundër okupatorëve nazifashistë, apo mosmarrëveshje dhe konfrontim mes tyre; në një dualitet alternativash: kombëtariste apo komuniste, demokratike apo totalitare, perëndimore apo lindore.

Për të ardhur deri në Mukje, u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme e forcave politike e luftarake, të cilat, në kushtet e pushtimit fashist, kërkonin një zgjidhje të drejtë për çlirimin e Shqipërisë dhe për të ardhmen e saj. Kjo levë ishte kodi shqiptar i bashkimit në rrezik, i veprimit mbarëshqiptar.

Pushtimet e huaja dhe padrejtësitë historike i kanë detyruar shqiptarët të përmblidhen e të luftojnë të bashkuar. Vetëm kështu i kanë kapërcyer rrebeshet, që u kanë ardhur në shekuj nga veriu e jugu, nga perëndimi e lindja. Arritjet e mëdha historike të së kaluarës kanë në themel marrëveshjen dhe jo mosmarrëveshjen, bashkëpunimin e të gjithë faktorëve shqiptarë dhe jo përçarjen, kombëtaren dhe jo lokalen. Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Vlorës, Kongresi i Lushnjës, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Mukjes, Konferenca e Bujanit etj, janë dëshmi të bashkimit e të qëndresës, besës e kushtrimit përballë rrezikut të copëtimit të atdheut shqiptar dhe mbijetesës së tij.

Ndryshimi i Marrëveshjes së Mukjes nga marrëveshjet e mëparshme të shqiptarëve, qëndron në faktin se ato ishin përgjithësisht të njëzëshme, ndërsa Mukja bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë, madje armiqësorë, të mendësisë dhe të politikës shqiptare: Organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga PKSH.

Ndryshimi tjetër është, që marrëveshja e Mukjes u imponua nga poshtë-lart, nga nevoja e kërkesa e vetë popullit për bashkim e luftë të përbashkët, gati në gjithë krahinat e Shqipërisë.

Sidomos përgjatë vitit 1943, kudo, në çdo krahinë të vendit, si edhe në diasporë, flitej e shkruhej për nevojën e domosdoshme të bashkëpunimit të të gjithë shqiptarëve në kushtet e rënda të pushtimit italian dhe, veçanërisht, të bashkimit për të përballuar një pushtues tjetër, atë gjerman, i cili ishte shfaqur në horizontin shqiptar.

Marrëveshja ishte një kërkesë mbarëkombëtare, një imperativ i kohës, një thirrje e një veprim i një populli, që donte të dilte me çdo kusht nga vorbulla në breg, nga pushtimi në liri. Por që të realizohej kjo gjë, duhej të arrihej kontakti dhe vullneti i mirë i dy grupimeve më të mëdha politike dhe ushtarake të asaj kohe: Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, organizata që kishin secila platformën dhe programin e vet, formën e organizimit dhe të veprimit politik, strukturat e formacionet luftarake respektive, të ndërtuara kryesisht në çeta e batalione e në taktikë të luftës partizane, luftë që kishte shënuar deri atëherë disa përpjekje të rëndësishme çlirimtare si nga ana e formacioneve vullnetare nacionaliste, ashtu edhe nga ato partizane. Pas tyre qëndronin forca shoqërore të caktuara nga gjithë shtresat e qytetit dhe të fshatit, që kishin gjeografinë e tyre të përcaktuar politike e krahinore, madje brenda një fshati ose familjeje.

Mirëpo, kjo ndarje e madhe në dy grupime të rezistencës shqiptare, ku përfshihej gati i gjithë populli, e kishte mundësinë e bashkëpunimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brenda edhe rrezikun e mospajtimit, për shkak të ideologjive të ndryshme dhe veçanërisht përballë presionit nazifashist apo sllavo–komunist; i kishte premisat objektive edhe për bashkëpunim, por edhe për konfrontim midis tyre, gjë që mund të sillte luftë civile. Përballë këtij rreziku të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake në luftë kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë. Pra, vënia në rend të parë e interesit kombëtar.

Kjo frymë favorizohej edhe nga faktori i jashtëm antifashist. Disfatat e ushtrive italiane në Afrikën e Veriut, thyerja e ushtrive gjermane në Stalingrad (shkurt1943) dhe në Kursk (korrik-gusht1943) si edhe zbarkimi i ushtrive aleate perëndimore në Sicili (korrik 1943), lufta e gjithë popujve të Europës kundër okupatorëve nazifashistë, dhe së fundi rënia e Musolinit (25 korrik 1943), ndonëse qeveria e re italiane e Mareshallit Badolio dhe Shtabi i Përgjithshëm Italian nuk ndërmorën asnjë veprim për kapitullimin apo për tërheqjen e trupave nga vendet e pushtuara, sepse qëllimi i tyre nuk ishte kapitullimi apo eliminimi i regjimit dhe i pushtimit fashist, por ruajtja e “një fashizmi pa Musolinin’’. Viktor Emanuel i Tretë,të nesërmen e rrëzimit të Musolinit, më 26 korrik, e shpalli krejt tokën shqiptare, me anë të një vendimi të posaçëm,zonë operacionesh në bazë të ligjit Italian të luftës. 30)

Por kjo nuk i solli asnjë ndryshim humbjes përfundimtare të ushtrisë italiane në Shqipëri, përkundrazi i dha më tepër inkurajim lëvizjes për çlirim.

Situata e re nuk duhej dhe nuk mund të përballohej, duke luftuar të paorganizuar, kaçakçe, apo veç e veç, si deri atëherë. Bashkëveprimi ishte bërë i domosdoshëm. Aleatët Antifashistë e kërkonin këtë gjë, veçanërisht britanikët, me anë të misionarëve të tyre në Shqipëri. Figurat kryesore nga të dy anët e politikës e ndjenë përgjegjësinë dhe kuptuan nevojën e një qëndrimi dhe reagimi ndryshe, gjithëshqiptar, u imponuan nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme për një marrëveshje kombëtare dhe u përpoqën ta ngjiznin atë, duke u ngritur mbi interesat partiake apo personale.

 

Uran Butka

Leave a Comment