-Butkajt janë gurë të fortë e të çmuar e në themelet e historisë shqiptare. Një nga ata është edhe politikani, historiani dhe shkrimtari Uran Butka. Bashkë do të bëjmë një rrugëtim nëpër historikun e familjes Butka. E fillojmë nga rrënjët?

-Po. Sipas Sami Frashërit, kur të parët e frashërllinjve u vendosën në Frashër të Dangëllisë, rreth vitit 1650, gjetën atje Aliçkasit autoktonë. Kur Frashëri ra ekonomikisht, atëherë familja Aliçka u zhvendos në fshatrat Butkë dhe Orgockë të Kolonjës, më vonë edhe në Kosovë. Ndërsa familja Frashëri u shpërngul në Janinë e më pas në Stamboll. Gjyshi im, Sali Butka, fillimisht është quajtur Sali Tahir Aliçka, mandej, kur u bë i njohur në Kolonjë e më gjerë, u mbiquajt Sali Butka.

-Për çfarë u bë i njohur Sali Butka?

Ai ishte një rilindës i ushqyer me veprat e Samiut, Naimit, Jani Vretos e të tjerë dhe u bë një përhapës i kulturës së Rilindjes, librave, shtypit dhe shkollave shqipe në Kolonjë e Korçë, bashkë me Petro Nini Luarasin dhe Jani Cico Kosturin. Në vitet 1893 1895 ata hapën 5 shkolla shqipe në Kolonjë. I mbronte nga qeveria turke dhe patrikana greke pushka e Sali Butkës, ndërkohë që Sali Butka sillte fshehur nga Manastiri libra shqip për shkollat e para shqipe. Kështu e filloi ai aktivitetin rilindas,  qysh në fund të shekullit të 19-të.

Sali Butka u bë anëtar i Komitetit  të fshehtë të Manastirit, që u themelua në vitin 1905 me në krye patritotin Bajo Topulli. Vendimi i këtij komiteti ishte krijimi i çetave të para kryengritëse. Bajo Topulli shkoi në dhjetor 1905  në shtëpinë e Sali Butkës dhe në janar të vitin 1906 në Butkë u themelua çeta e parë kombëtare. Në vitin 1907 shkoi atje edhe çeta e Çerçiz Topullit e  Mihal Gramenos, që i dhanë lëvizjes për liri zhvilllim të rëndësishëm dhe përgatitën thirrjen e  Kongresit të Manastirit 1908, me në krye Mid’hat Frashërin, kongres që përcaktoi edhe alfabetin latin dhe hapjen e shkollave shqipe. Sali Butka menjëherë e përvetësoi këtë alfabet edhe vjershat e shkrimet e botuara tek “Kalendari Kombiar”, gazeta “Liria e Shqipërisë” etj i botonte me këtë ABECE të njësuar.

Kur xhonturqit nisën të mbyllnin shkollat dhe klubet shqiptare dhe kërkonin të përdorej alfabeti arabo-turk, Sali Butka me  2500 kolonjarë marrshuan për në Korçë, ku u bë “Mitingu i shkronjave shqipe” prej 10.000 vetash, që kundërshtuan alfabetin e huaj dhe mbrojtën alfabetin e Manastitit. Saliu u përndoq dhe u burgos disa herë ngë qeveria turke, por nuk hoqi dorë. Në vitin 1911 ai e zgjeroi çetën e tij çlirimtare. Në maj të vitit 1912 mori pjesë më 50 kolonjarë në Kuvendin e Junikut, afër Pejes në Kosovë, që mori vendimin për nisjen e kryengritjes së përgjithshme. Aty u njoh me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, me të cilët e vazhdoi bashkëpunimin kombëtar. Në qershor të vitit 1912 u organizua në Frashër komiteti kryengritës i Shqipërisë Jug-lindore me komandant Sali Butkën.

Gjatë rrugëtimit për në Frashër , u vra në pritë ngë komandot turke djali i madh i Sali Butkës, Iljazi, për të cilin nuk vajtoi, po shkroi një këngë: “Na u vra mëmëdhetari, që ish nga shokët m’i pari, shqipëtar bir shqipëtari, i ndrittë shpirti dhe varri”.

Në krye të çetës së Kolonjës Sali Butka çliroi Ersekën  dhe Korçën, gusht 1912. Në Gazetën “Koha” të 11 gushtit 1912, Mihal Grameno shkruante :”I dëgjuari patriot Sali Butka, burrë i thjeshtë shqiptarë dhe me zemer mëmëdhetari; shokët e tij ishin të veshur me rroba  kombëtare dhe  të armatosur me malierka”.

Më muajin nentor 1912 u nis me çetën e tij për në Vlorë, për shpalljen e Pavarësisë, por arriti me pak vonesë, si Isa Boletini. Në Vlorë ai u prit nga Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës dhe u caktua tek ura e Mifolit për të mbrojtur shtetin e ri shqiptar nga sulmi i ushtrisë turke të Xhavit Pashës, që vinte  nga Fieri, të cilën e theu dhe e ktheu mbrapsht.

Ndërkohë, Shqipëria u pushtua në pjesën më të madhe nga ushtrite serbe dhe greke. Në ballë të luftës kundër pushtuesve grekë u vu Sali Butka me çetën e tij, me të birin, Gani Butkën dhe vëllanë, Myftar Butkën. U zhvilluan mjaft beteja në Kolonjë, Skrapar, Korçë, siç janë lufttërat e Shtikës,  Butkës, Qarrit, Luarasit, Qesarakës, Backës, Qafë Martës, Panaritit, që mbronin gjithë vijën e frontit shqiptar. Në bëtejën e Nikolicës, 24 prill 1914, ushtria e Sali Butkës e mbrojti Korçën nga mësymja e ushtrisë greke. Në këtë betejë Sali Butka u plagos në syrin e majtë, por nuk u tërhoq nga beteja dhe e shpëtoi Korçën e qarkun e saj nga pushtimi grek.

Familja Butka kontriuboi edhe në luftën kundër rebelimit haxiqamilist të vitit 1914-1915.  Komandanti i ri Gani Butka, djali i dytë i Sali Butkës,  u vra  bashkë me 60 kolonjarë në Pogradec për të mbrojtur Korçën dhe Pogradecin prej këtij rebelimi antikombëtar. Dëshmor tjetër i familjes. Saliu ndjeu dhimbje të madhe për humbjen e Ganiut dhe shkroi për të një elegji, që u kthye në këngë: “Malet e Gramozit qajnë”.

Kur nisi lufta e Parë Botërore, Sali Butka me çetat e tij me përkrahjen e Austrohungarezëve nisi luftën luftën për çlirim nga pushtuesit e huaj, që kishin shkelur Shqipërinë. Kulmi i kësaj lufte ishte kur Çetat e tij, që arritën deri në 30.000 veta, nisën të çlironin me radhë krahinat e Skraparit, Panaritit, Gorës, Oparit, për të arritur në Korçë, ku ndodheshin francezët. Në Voskopojë ishin disa komando greke, që i penguan forcat kombëtare. Sali Butka i dërgoi një letër pleqësisë, ku shkruante: “Sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorve të Londrës, Gjirokastra dhe Korça i mbetet Shqipërisë. Pra edhe Voskopoja duke bërë pjesë të pa ndarë në qarkun e Korçës, i mbetet Shqipërisë, prandaj si kryetar i çetave shqiptare po vij ta marrë në dorëzim me shpresë se ju do të mirëprisni ardhjen tonë”. Mirëpo mori këtë përgjigje fyese: “Zoti Butka, morëm letrën tuaj dhe mësuam se kishin vendosur të vinit në Voskopojë,  po ju lajmëroj që duhet ta dini se nuk do të lejojmë kurrë, sepse është gjynah që me këmbët e ndyra të shqiptarëve të shkelet edhe një pëllëmbë tokë nga Voskopoja antike Greke. Nuk do të prandojmë kurrë të tjetër flamur përveç atij grek, do ta mbrojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë ” (dokumente te Arkivit).  Filloi lufta, e nisur nga ushtarët grekë. Ndërkohë një hajdut, që donte të përfitonte, i vurri zjarrin nje kasolleje me kashtë dhe zjarri mori gjithë fshatin. Sali Butka hapi një shteg, dhe i ndihmoi  gjithë banorët voskpopojarë të kalonin për në Korçë. Asnjë voskopojar nuk u vra apo u dogj. Saliu e ndoqi zjarrvënësin edhe e pushkatoi me gjyq. Mandej me ushtrinë e tij rrethoi Korçën, bashkë më forcat e Themistokli Gërmenjit dhe i bënë presion autoritetit francez, gjeneralit Dekoen, që të shpallte bashkimin e Korçës me Shqipërinë. Francezët i ftuan dy komandantet në Korçë për të biseduar. Themistoliu në marrëveshje me Saliun shkoi në Korçë, ndërsa Saliu e mbajti të rrethuar. Gjeneralët francëzë Dekoen, Sarai etj. theksojnë se ishte ky presion ushtarak i Sali Butkës dhe diplomacia e Themistokli Gërmenjit që i detyroi francezët të shpallnin vetqeverimin shqiptare të kazasë së Korçës më 10 dhjetor 1916 dhe më pas bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo ishte një arritje e madhe historike.

Sali Butka mori pjesë në Kongresin e Lushnjës  si delegati i Kolonjës dhe i Korçës në vitin 1920.. Ky kongres e ribëri realisht pavarësinë e shtetit shqiptar dhe e futi në zhvillimet demokratike. Sali butka mbajti një fjakim në balkonin e bashkisë në Lushnjë dhe u reshtua  ne radhën e forcave demokratike.

iut iu duk  sikur e kishte përmbushur qëllimin e jetës së tij. Në Korçë botoi librin me poezi “Ndjenja për atdhenë”: “”Janë vjersha historike, të thëna pikë pas pike, pa drojtje prej asnjë frike/, as prej pushke as prej thike”,  shkruan ai. Megjithatë zhvillimi i ngjarjeve dhe rreziku  që i kanosej Shqipërisë e bënë Sali Butkën të ishte i paplotësuar: “ Në kohë të pleqërisë/ më erdhën plagë të rënda,/ për shkakun e Shqipërisë /që  s’u bë siç ma kish ënda”. Ndërroi jetë më 2o tetor të vitit 1938; varri i tij është në Ersekë. Është nderuar me “Urdhrin e Skëndërbeut dhe me “Urdhrin e Lirisë”.

 

-Do të bisedojmë tashmë për babain juaj, Safet Butkën,  një figurë tjetër e shquar e familjes Butka.

Safet Butka vazhdoi rrugën e të atit, por e çoi edhe më tej. Punoi dhe u shqua në fushën e arsimit e të kulturës kombëtare, mandej edhe në luftën për liri. Frymëzimet e para i mori nga i ati dhe traditat e Kolonjës. Studimet e mesme i kreu në Graz të Austrisë dhe më pas edhe në universitetin për filozofi. Atje, bashkë me Lazgush Poradecin, Krist Malokun etj formuan shoqërinë studentore dhe botuan përmbledhjen e parë poetike të Naim Frashërit, ku vendin kryesor e zinte studimi i Safet Butkës për jetën dhe veprën e poetit kombëtar. Po atë vit, (1925) këtë studim ai e botoi si libër më vete. Gjithashtu, mori pjesë edhe në lëvizjen studentore të Vienës, që nxirrte revistat “Djalëria” dhe “Minerva”, ku Safet Butka botoi edhe shkrimet e tij të para.

Në Austri mori me vete dhe djalin e vogël të xhaxhait, Qemal Butkën, i cili atje kreu shkollën fillore, të mesmen dhe universitetin për arkitektuarë dhe u bë një nga arkitektët më të shquar të kohës në Shqipëri dhe në SHBA.

Safeti u kthye në Shqipëri dhe u emërua profesor në Liceun francez të Korçës, ku jepte gjermanisht dhe gjuhën shqipe. Mandej u emërua mësues në shkollën tregtare të Vlorës. Petro Marko, nxënësi i tij, shkruan tek “Intervistë me vetveten”: “Mësuesi i historisë ka qënë Safet Butka nga Kolonja. E deshëm se ishte i biri i Sali Butkës. Ai kishte studiuar në Austri dhe na vinte në klasë me libra të trashë dhe me enciklopedi të tjera. Nuk shoqërohej me profesorët italianë, madje i përbuzte ata”.

Në vitet 1934-35, u emërua drejtor i shkollës Normale të Gjirokastrës, ku u dallua si një reformator i arsimit. Atje themeloi edhe të parën shoqatë të arsimtarëve në Shqipëri, me të cilën zhvilloi mjaft veprimtari kulturore, si ekskursione për të njohur vendin, vendosjen e pllakës përkujtimore te rrapi i Mashkullorës, ku luftoi çeta e Çerçiz Topullit, përkujtimin e figurave patriotike si Koto Hoxhi, Hasan Tahsini etj. Pastaj u transferua në Ministrinë e Arsimit dhe bashkë me ministrin Mirash Ivanaj realizuan reformën e njohur arsimore. Është quajtur “Pestaloci i Shqipërisë” dhe “Kalorës i arsimit shqiptar”. Në një inspektim në shkollat e Matit, inspektori Safet Butka i bëri disa vërejtje kryetarit të Bashkisë për mangësitë në shkollat.  Në raportin që kryetari i Bashkisë, O.Hosha, i bëntë Ministrisë së Brendshme, thuhet: ”Desha t’i jap me kuptue inspektorit Safet Butka se me pasjen  e naltmadhnisë së Tij Zog I  në fron, gjithë interesat e shtetit janë plotsue dhe do plotsohen. Por ai m’u përgjigj jashtë edukatës si nëpunës i naltë që ishte, tue thanë kundra fronit mbretnuer: “A veç mbreti të rrojë, por ma parë duhet të rrojë shteti!”(AQSH, f.252, d.83, v 1936).

Vitet e fundit në arsim ishte drejtor i Gjimnazit shtetnuer të Tiranës (1938-39), shkolla më e rëndësishme e vendit.. Në kohën para pushtimit italian, ai udhëhoqi demonstratat e studenteve dhe te qytetarëve të Tiranës, nga 3 deri 6 prill 1939 kundër pushtimit fashist me thirrjet: “Poshtë fashizmi. Duam armë!” dhe nuk pranoi të nderonte allafashiste, si edhe u bërri thirrje studentëve të mos nderonin pushtuesit” ( dok. AQSH, f. 295 d.565v 1939). Mirash Ivanaj ka mbajtur një ditar “Na që e gjetëm shpëtimin në t’ikun”, ku shkruan :

“Na e martë, 4 prill 1939. Edhe sot e të tanë ditën, edhe natën deri pas mesnates shfaqjet e popullit ndoqën njëna tjetrën, me nxënësit e shkollave të mesme të prirur prej Safet Butkës, gjakut trimosh dhe dëshmorësh që pasqyrohet Shqipëria dhe populli shqiptar”

Safeti ishte një atdhetar dhe antifashist i orëve të para. Italianët  e pushuan si drejtor të Gjimnazit të Tiranës dhe e dërguan përkohësisht gjimnazin e Shkodrës. Pati një takim me Fishtën, i cili i dhuroi Lahutën e  Malcis” me dedikimin “Me përvujtni, Safet Butkës”. Me 28 nëntor 1939 Safeti u priu përsëri demonstratave të studentëve dhe të qytetarëve në Shkodër, gjë që e përsëriti edhe në janar të 1940. U arrestua na italianët dhe u burgos në Ventotene, një ishull ku internonin antifashistët. Theksoj që në Ventotenë ai vazhdoi të mbante po atë qëndrim, të mos nderonte alla fashiste, sepse “ne s’mund të nderojmë pushtuesit” thoshte ai, dhe atje bashkëpunonte me antifashistët evropianë. Në Ventotene u hartua ”Manifesti i Ventotenes”, projekti i Evropës së Bashuar dhe demokratike, në të cilin kanë kontribuar Spineli, Pertini, si edhe shqiptarët Llazar Fundo, Safet Butka etj, themelues të Bashkimit Evropian, ku ne rropatemi sot të shkojmë.

E shoqja, Hatixheja, i shkruante në një letër se, ndërsa shokët e tij po liroheshin, ai mbetej në burg. Safeti ia kthente se “ishte kokëgdhë”. Madje i shkruante që ajo t’i shiste Kolë Kamsit enciklopeditë dhe librat e tij, që kishte blerë në Austri, që ajo të shlyente kredinë e bankës, që kishin marrë për të ndërtuar shtëpinë në Tiranë. Ai si qytetar, kishte merakun e larjes së kredisë,ndonëse i burgosur në Itali, kur s’kishte as bankë shqiptare, as Shqipëri. Por nëna shiti gjerdanin e florinjtë e martesës tek një argjendar,  në vend të shiste librat dhe ato libra janë në bibliotekën time.

U kthye në Shqipëri në fund të vitit 1942 dhe u takua në Tiranë me Mid’hat Frashërin.  Natyrisht në Shqipërinë e pushtuar, ai zgjodhi alternativën nacionaliste, sepse atëherë ishin dy alternativa politike, nacionaliste dhe komuniste. Nacionalistët i kanë shërbyer Shqipërisë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndoshta dhe më herët, për të mbrojtur identitetin dhe trojet kombëtare, më vonë në Lëvizjen për liri, pavarësi e shtet shqiptar, në Kongresin e Lushnjës e luftën e Vlorës, në lëvizjen për demokraci e drejtim perëndimor e kështu me rradhë. Ishte edhe alterantiva komuniste, e cila vinte nga jashtë, drejtohej nga Internacionalja komuniste në Rusi, ku stalinizmi kishte shkaktuar 20 milionë viktima etj.

Safeti e kishte njohur mirë teorikisht dhe praktikisht se ç’ishte komunizmi, thelbi i tij antikombëtar dhe antinjerëzor, ndaj zgjodhi alternativën e Rilindjes, atë nacionaliste. Ai shkoi në Kolonjë dhe krijoi çetën e praë nacionaliste, mandej në Korçë u zgjodh kryetari i çetave nacionaliste të qarkut  të Korçës dhe pati mjaft luftime kundër italianëve. Mesazhi dhe përpjekja e tij ishte: “Paqe mes shqiptarëve, luftë kundër pushtuesve të huaj”. Ai ishte misionar i marrëveshjes dhe i bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe ka dokumenta në Arkivin e Shtetit për  këtë mision të tij. Më 19 mars 1943 ne Kolonjë u nënshkrua mes forcave nacionaliste të Safet Butkës dhe forcave patizane marrëveshja prej 11 pikash për luftime te përbashkëta kundër italianëve (Dokumenti i Arkivit, Fondi 42, Dosja 22 v.1943). Letrat e Petrit Dumes dhe Josif Pashkos (pasqyruar dhe te libri “Safet Butka”) tregojnë për këtë bashkëpunim, kur ende s’ishte bërë Marrëveshja e Mukjes. Po kështu, ky bashkëpunim ishte bërë edhe në trevat e tjera shqiptare, që pastaj imponuan Marrëveshjen e Mukjes. Mirëpo, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe misionarët e Beogradit D. Mugosha dhe M. Popoviç, shqipëtarët u vunë në luftë kundër shqiptarëve. Konferenca e Labinotit, 4 deri në 8 shtator 1943, vendosi  për luftën e armatosur kundër nacionalistëve, kështu u dha urdhëri i sulmit nga Enver Hoxha kundër tyre, jo vetëm kundër Ballit Kombëtar por edhe të  nacionalistëve të tjerë, psh kundër Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, kundër vëllezërve Kryeziu, etj që luftonin më vete kundër italianëve dhe gjermanëve.

Safet Butka vijonte të luftonte kundër pushtuesve, madje edhe në beteja të përbashkëta me partizanët. Kemi një raport të Mis Durham “Çetat nacionaliste”, ku  tregon për çetat dhe luftërat e prof.Safet Butkës, që e quan zemra e nacionalizmit shqiptar. Luftën e parë kundër italianëve e kanë bërë çetat e Safet Butkës me 350 luftëtarë, poshtë Qafës së Qarrit, në Floq, më 23 janar 1943. Po ashtu luftimet në Voskopojë, Gjonomadh etj. Nëkëtë kohë ai organizoi edhe një betejë bashkë  me patizanët në Pocestë afër Korçës, kundër një autokolone italiane: në një krah ishin vendosur çetat e Safet Butkës dhe çetat partizane të Nexhip Vinçanit dhe patën dhe dëshmorë të përbashkët. Vetë fakti që në këtë betejë është vrarë Nexhip Mileci, nacionalist dhe dy partizanë, tregon se janë dëshmorë të një lufte të përbashkët antifashiste. Ndërkohë beteja më e madhe e organizuar nga Safet Butka kundër gjermanëve është ajo në kthesat e Barmashit, më 13 gusht 1943, në bashkëpunim me britanikët, sepse Butka bashkëpunoi me misionarët britanikë B.Maklin, shefin e misionit britanik dhe Dejvid Smajlin, me të cilët ka pasur edhe letërkëmbim. Letrat janë në Arkivin e Shtetit. Shkuan 800  luftëtarë nacionalistë me në krye Safet Butkës në Vithkuq, ku qëndronte misioni britanik dhe atje kanë bërë marrëveshjen Maklin-Butka (Arkivi i Shtetit F,250, D.40 v.1943) për luftë të përbashkët në krah të Aleatëve antifashistë në disa beteja kundër italianëve dhe gjermanëve Pikërisht një nga këto beteja ishte ajo në kthesat e Barmarshit, jo lufta që u bë në korrik 1943 nga Batalioni “Tomorri” kur u dogj Barmashi, Borova dhe u masakruan 107 viktima. Ndërsa, në Kthesat  Barmashit, u evakuan banorët e fshatrave afër që të mos dëmtoheshin. Në këtë betejë mori pjesë edhe kapiteni anglez Dejvid Smajl ( madje kam dhe unë një dhuaratë prej tij, librin “Me detyrë në Shqipëri” me dedikim: birit të Safet Butkës). Pas betejës kundër  një autokolone gjermane që vinte nga Korça për të shkuar në Janinë, u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruan disa autoblinda. David Smajli u mori shenjat identifikuese të gjermanëve të vrarë, për t’i dërguar si dëshmi në Britani. Kjo ishte një betejë shumë e rëndësishme e çetave të Safet Butkës kundër gjermanëve (D.Smaji, botimi “Me detyrë në Shqipëri, Londër). I thashë këto për të dëshmuar që kundër pushtuesve gjermanë kanë luftuar edhe nacionalistët antifashistë. Mirëpo pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, filloi lufta civile e nxitur nga jugosllavët, sepse ata donin që shqiptarët të futeshin në luftë me njëri-tjetrin, që të tërhiqnin pas qerres së tyre edhe Kosovën, edhe Shqipërinë si republikë e shtatë e Jugosllavisë. Natyrisht, mësymja komuniste në luftën për pushtet dhe për komunizëm përfshiu gjithë krahinat e Shqipërisë në një luftë shkatërimtare dhe e përgjakshme. Edhe Safet Butka,  që  ishte misionari i bashkimit mes shqiptarëve dhe i bashkëpunimit në luftën për liri, u rrethua më 19 shtatot 1943 nga forcat komuniste në Teqen e Melçanit, një teqe e lartë, si një kështjellë, ku Safeti kishte mjaft ushtri dhe mbështetës. Ishin pikërisht forcat nacionalçlirimtare, të komanduara nga Nexhip Vinçani, që para katër ditësh nga kjo datë, kishin luftuar bashkërisht në Pocestë kundër italianëve dhe tani ishin urdhëruar të luftonin kundër S.Butkës. Disa anëtarë të Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar Korçës thoshin që t’ju biem komunistëve. Safet Butka nuk pranoi: “Nuk kemi dalë të vrasim  shqiptarët” dhe deklaroi: “Të parin dhe të vetmin shqiptar që unë mund të vras, është vetja ime”. Kështu ai vrau veten që të mos niste luftën vëllavrasëse dhe është çmuar ky akt edhe nga kundërshtarët, si një personalitet  që e vrau veten, që të mos derdhej gjak shqiptari. Ai është dekoruar me urdhërin më të lartë  “Urdhrin e fFamurit Kombëtar” dhe  me urdhrin “Nder i Kombit”.

 

-Zoti Butka, tanimë, pasi rrëfyem në mënyrë të përmbledhur, jetën dhe veprimtarinë e gjyshit dhe babait tuaj, kemi mbërritur te ju. Dëshirojmë të na rrefeni për jetën tuaj.

Linda më 2 dhjetor 1938 në Tiranë. Im atë, Safeti, mblodhi miqtë e tij, mes tyre edhe Dr. Bashon, bashkëstudent në Austri dhe themelues i spitalit dhe të maternitetit në Tiranë. Madje Dr.Bashoja ma ka vënë edhe emrin. E ka përshkuar Safeti në një ditar të vogël, këtë ditëlindje në shtëpinë tonë në Tiranë. Jeta ime filloi aty, më vonë u trazua, sepse vetë jeta e familjes sonë u trazua. Pas luftës së Dytë Botërore dhe marrjes së pushtetit nga komunistët, i pari veprim ndaj familjes Butka  ishte sekuestrimi i të gjithë pasurisë së Safet Butkës si “armik i popullit”. E para familje që u internua në kampin e përqëndrimit të Krujës në vitin 1945 , ishte familja Butka. Ka pasur dy lloje internimesh: në kampe përqëndrimi të rrethuar me tela me gjemba, me roje të armatosura si ato të nazifashizmit siç ka qënë kampi i Krujës, i Kamzës dhe i Tepelenës, dhe mandej kampet e internimeve në tërë Shqipërinë.

-Ndërkohë, ju në çfarë moshe ishit atëherë?

Isha rreth 7 vjeç. Nuk po zgjatem në këto vuajtje, pasi pjesa më e madhe e  shqiptarëve i ka hequr; në fund të fundit vuajtja është një fatkeqësi, nuk është ndonjë meritë. Natyrisht, ajo që na u gjend pranë në fatkeqësi ishte nëna ime, Hatixheja, ajo na rriti me sakrifica, ishim katër fëmijë jetimë: dy vëllezërit e mi të mëdhenj Iljazi dhe Saliu, unë më i vogli dhe  motra Tefta. Ajo na ushqeu me dashurinë për Safetin, pavarësisht se ç’thuhej nga historiografia komuniste.  Koci Xoxe thoshte se Safeti, duke vrarë veten, na i kurseu neve një plumb ballit”. (Vite më vonë, kur unë u përfshiva në  Levizjen Demokratike, u përsërit kjo insinuatë te “Zëri i Popullit”, ku u shkrua: “Uran Butka do të vrasë veten si i ati”. Kur u ktheva nga Kolonja , e gjeta nënën duke e lexuar këtë artikull. Ishte e tmerruar)). Nejse, të kthehemi ku e lamë. Nëna, pas internimit, punonte punëtore krahu në ndërmarrjen Gjollesha, ku prodhoheshin pllakat e çimentos, me duar të çara dhe shpirt ndër dhëmbë. Na ushqeu dhe na rriti me halle, por kishte merakun shkollës, e ushqyer edhe nga Safeti, se gjithmonë nga Ventotene i shkruante: “Mos i ndaj fëmijët nga shkolla dhe nga puna, që të marrin edhe edukatën e punës”. Ndërkohë mundohej të mos dukej nëpër Tiranë, lëvizte si një hije, vetëm shkonte në punë dhe kthehej, sepse kishte frikën e  një internim tjetër. Do tregoj një ngjarje: “Ne ishim vendosur me banim, jo në shtëpinë tonë që ndërtoi Safeti me kredi dhe ku linda unë, por në një dhomë në shtëpinë e Cen Kazazit,  doktori popullor i kockave. Ai na strehoi, në fillim me qira dhe më pas nuk na merrte as qira. Një ditë gratë e lagjes erdhën në atë shtëpi dhe i futën krahun nënës, duke i thënë se kishin një  mbledhje të rëndësishme te kinema “17 Nëntori”. Ajo s’shkonte kurrë nëpër mbledhje, por e morën bashkë me gruan e Cen Kazazit dhe u ulën në një rresht karrikesh të kinemasë. Përpara se të fillonte mbledhja, ku do të fliste një udhëheqës, doli në skenë një ushtarak, që në fakt ishte nip i Safet Butkës, nga ana e nënës së tij. Ai quhej Begator Kozeli. Safeti, kur ishte profesor në Liceun e Korçës, e mori Begatorin nga fshati Kozel dhe e mbajti në shtëpi, e çoi në Lice ku mësonte, ndërsa nëna i preu një palë rroba të reja dhe kujdesej për të si për fëmijën e saj. Gjatë luftës ai doli partizan dhe u bë ushtarak i lartë. Pra, ky ushtarak, doli para skenës në atë mbledhje, e dalloi nënën veshur me të zeza dhe i drejtoi gishtin. Ajo e pa gishtin drejtuar nga ajo dhe mënjanoi  kokën, për të mos rënë në sy. Begatori thirri një nga njerëzit e  sigurimit dhe i tha: “Ajo grua është reaksionare, të nxirret menjëherë nga salla, se nuk fillon mbledhja pa dalë ajo”. Nëna ime është nga një familje e madhe patriote. I ati i saj, Ramiz Lubonja ishte vrarë në vitin 1912, sepse luftonte kundër pushtuesve osmanë  në çetën e Sali Butkës, ndërsa e ëma e saj, piu helmin, pasi nuk e donte jetën pas vrasjes së Ramizit, duke e lënë nënën jetime  gati një vjec e gjysmë. Pra, pati jë jetë fatkeqe, që i vazhdoi edhe pas vrasjes së të shoqit, Safetit. Pra, kësaj gruaje patriote, intelektuale, e bujare, i  drejtohej gishti… U shqetësuan edhe gratë e lagjes, sidomos e shoqja e Cen Kazazit,  që tha se do të dilnin  të gjitha si grup dhe në të vërtetë dolën nga salla, si në ato tragjeditë e lashta, një rrjesht grash që iknin nga skena, për të mos e lënë vetëm nënën. Ajo më tregonte më pas: “Në atë moment u puqën sytë e mi me sytë e tij. Dallova jo një urrejtje për mua, se s’kishte pse ta kishte, por unë pashë një gjë tjetër, ai e bëntë këtë gjë për t’i treguar pushtetit sesi e bënte ai luftën e klasave. Dhe vërtet ai u gradua më pas, por edhe  e pësoi si shumë të tjerë nga lufta brenda llojit”.  Një ngjarje tronditëse, përveç halleve të tjera të dhimbshme, sidoqoftë ajo na rriti mes vuajtjes dhe ne nuk humbëm.

-A e injektoi nëna juaj ndonjëherë urrejtje ndaj atyre njerëzve, që ju kishin bërë keq.

Absolutisht jo. Bile, as nuk na thoshte gjëra të tilla, sepse nuk donte të na dëmtonte dhe hakmarrjen mos e kishim brenda vetes. Ndërkohë unë vazhdova shkollën e mesme pedagogjike, punova  arsimtar për disa vjet në rrethin e Fierit dhe të Krujës. Në këtë kohë, në një moment të zigzageve të luftës së klasave, të zbutjes së saj, mvarur nga marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, na u dha mundësia që të ndiqeshin studimet universitare me korrespondencë. Unë kreva studimet për filologji dhe u emërova mësues letërsie në gjimnazin e Krujës. Isha një mësues korrekt, që e bëja me pasion mësuesinë, më donin nxënesit dhe krutanët. Me këtë rast po rrëfej edhe një ngjarje nga kjo kohë. Sollën në Krujë me qarkullim kuadrosh Masar Begteshin, që  kishte punuar  në Komitetin Qëndror të Partisë, e prunë  si drejtor të Shtëpisë së Kulturës. Në prag të festës së Krujës, 22 shtatorit, ai thirri në mbledhje ata që merreshin me kulturën e qytetit, bie fjala me këngët, vallet etj. Më thirri edhe mua që përgatisja çdo vit nxënësit për recitime dhe më tha: ”Ti do të recitosh “Epopenë e Ballit Kombëtar të Shefqet Musarait”. Unë iu përgjigja se mësuesi nuk reciton  nëpër festa, por pergatit nxënësit dhe se ky ishte një provokim nga ana e tij. Siç dukej, ishte parapërgatitur terreni. Masari përpiloi denoncimin se unë nuk kisha pranuar te recitoja “Epopenë e Ballit Kombëtar”, sepse isha i biri i Safet Butkës, etj, kështu u pre flet arresti për mua nga dega e Brendshme, e cila do ta bënte arrestimin në një klasë të maturës, ku jepja mësim, në mënyrë që të ngjallnin frikë te nxënësit dhe në  familjet krutane. Drejtori i gjimnazit, Stefan Bulo, kundërshtoi që unë të arrëstohesha në shkollë, kur kjo mund të bëhej jashtë ambienteve të saj. Për këtë shkak ai shkoi në komitetin e partisë, ku sekretar i parë ishte Piro Kondi.  Stefani, drejtor me integritet dhe me kurajë, ishte nga Zagoria, nga ishte edhe Piro Kondi dhe familjet e tyre ishin miq e të afërt. Ai i kërkoi Piro Kondit,  që unë të mos arrestohesha në orën e mësimit në mes të nxënësve dhe i tregoi të vërtetën e asaj ngjarjeje.

– Po ç’njeri është ky?

– Është mësuesi më i mirë i shkollës.

– I kujt është?

– I biri i Safet Butkës.

– Ashtu? Unë  kam qënë nxënësi i Safet Butkës në Gjirokastër. Ishte drejtor, mësues dhe patriot i mirë. Ai e vrau veten për të mos luftuar kundër nesh (thënë në intimitet). Jo vetëm që nuk do arrestohet në sy të nxënësve por s’do të arrestohet fare. Le të merret ndonjë masë tjetër.

Në të vërtetë, nuk më arrestuan, por por më çuan mësues në një fshat të Krujës, Derven i thonë. Pas disa vitesh, më pushuan nga puna, si mjaft të tjerë me “njolla në biografi”, se dolën  kuadro të rinj besnikë të partisë. Unë u ktheva në Tiranë, dhe punova si punëtor. Më pas u futa në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, që të merrja një profesion tjetër. Arrita të vendosesha në fabrikën e këpucëve si piktor. Kështu vazhdoi një jetë pak a shumë më e qetë. Në fabrikën e këpucëve u njoha me mjeken Merjeme Pasmaçiu, që kishte ardhur atje për një studim mjekësie. Ajo ishte nga një familje qytetare beratase. Kështu, ngritëm  familjen. Por na goditi lufta sërish e klasave. Në spitalin e përgjithshëm, ku Merjema punonte, Ana Petani, karieriste, që donte të tregohej e devotshme ndaj partisë, e ngriti problemin se Merjemja kishte marrë birin e Safet Butkës dhe ne, me urdhër të sekretarit të Kominitetit Qëndror të Partisë, Hysni Kapos, na larguan nga Tirana për të na vendosur larg kufirit dhe qëndrave të banuara. Me gjithë presionin e madh, Merjema nuk pranoi të ndahej nga unë, duke thënë: ku të jete ai, do të jem dhe unë. Fillimisht na çuan në Tropojën e vjetër, por aty ishte afër kufirit. Sekretari i parë i partisë së rrethit iu hakërrua kryetarit te komitetit, që na kishte vendosur afër kufirit, kur shoku Hysni kishte udhëzuar të na vendosnin larg kufirit dhe larg qëndrave, për arsye politike, se unë isha biri i Safet Butkes (shih dokumentat e kryeministrisë). Na çuan përkohësisht në Fierzë, gjersa Komisioni i Dëbim-Internimeve me Manush Myftiun në krye, të gjente vëndin e duhur. Mirëpo Fierza ishte një qytet i populluar. Në qendrën e edukimit, na bënë diskretitimin publik. E ngritën më këmbë Meremen dhe i thanë: “Pse ke ardhur këtu?. Më ka sjellë qeveria për të punuar si mjeke, u përgjigj ajo. Pse nuk tregon të vërtetën? i thanë. Vajza gjashtë muajshe në krahë të saj filloi të qajë. “Mbyllja gojën asaj buçeje”- i thanë. Ndërkohë u ngrita unë, ja ku jam unë, çfarë keni me këtë? Unë jam djali i Safet Butkës, që ka qenë antifashist dhe nuk ka vrarë asnjë shqiptar, përveç vetes. U ngrit një drejtor shkolle dhe tha se ky, more shokë, po na i bën ballistët patriotë! U ngritën dhe disa punëtorë (apo sigurimsa) dhe thanë që t’u varim një gur në qafë dhe t’i hedhim në Drin. Merjemes iu pre dhe qumështi i gjirit në atë moment. U tmerrua. I thashë që të ikë në Tiranë te nëna, sepse mua siç duket do të më arrestojnë…Mirëpo, një teknik kolonja i ndershëm, anëtar partie, u ngrit e tha: “Çfarë po bëni kështu? Kjo është familje patriote, shoku  Enver ka folur mirë për Sali Butkën dhe për Gani Butkën”. Kështu u shty pak çështja. Sa të zgjidhej, na vendosën në qytetin Bajram Curri. Atje Merjemen e thirri shefi i  policisë dhe i tha që të dorëzonte shtëpinë në Tiranë. Ajo i tha që kishin ardhur provizorisht dhe se atje banonte nëna. Polici i tha: “ Ke ardhur këtu përgjithmonë dhe këtu do vdesësh!”. Ajo u dëshpërua shumë dhe u kthye për në shtëpi e përhumbur. Rrugës pyeti një qytetar: “Ku janë varrezat? E kishte humbur mendjen. Natyrisht ishte një tronditje psikologjike për të. Së fundi, Komisioni i Internimeve ne Tiranë na degdisi në Martanesh. Na ngulën rrëzë Malit të Kaptinës te Teqeja e Baba Fajës, që ishte kthyer në spital. Larg kufirit dhe larg njerëzve, siç kishte urdhëruar shoku Hysni! Merjemes i hoqën specialitetin e nefrologes dhe e bënë mjeke të përgjithshme. Megjithatë si mjeke punoi mirë, e donin martaneshasit dhe i vinin pacientët  nga të gjitha anët. Ndërkohë për mua s’kishte vend as në arsim dhe më caktuan llogaritar i këshillit, duke  zëvëndësuar një njeri me arsim fillor. Ishte synimi për të na tjetërsuar me gjithë familje nga qytetarë dhe profesionistë në katundarë koperativistë. Për 11 vjet me radhë. Kur vinim në Tiranë për të parë fëmijët, udhëtonim gjatë dimrit në rrugën e vështirë nga Martaneshi në Krastë dy orë më këmbë, mandej me makinat e kromit në Bulqizë, Burrel, Laç dhe Tiranë, natyrisht me lejen e Degës së Brendshme. Gjatë verës, dilnim në Bizë më këmbë, duke udhëtuar 3-4 orë, mandej me kamionët e druve, për Shëngjergj dhe Tiranë. Merjemja ka vuajtur veçanërisht, madje do të tregoj një ngjarje të saj. Sollën në spital një grua, që kishte rënë nga dushku, ku priste gjethe për bagëtinë. Ishte shtatëzënë në muajin e tetë dhe e sollën pa ndjenja aty. Doktoresha bëri gjithcka për ta mbajtuar gjallë dhe  lajmëroi Burrelin për një helikopter. Nuk ishte e mundur për ta mbartur me kafshë as me barrelë. Lajmëroi Tiranën, Ministrinë e Shëndetësisë, mandej kryeministrinë. Ishte situatë e improvizuar “lufte” kundër imperializmit, ndaj nuk mund te nisej helikopteri. Nëna dhe fëmija do të vdesin, përgjegjesia është juaja, u tha Merjema U detyruan të dërgonin helikopterin Për 10 minuta arriti në maternitetin e Tiranës. Dr.Glozheni tha:|”Kur e ka shpëtuar kjo mjeke, atëherë si mos e shpëtojmë ne”. E operuan, dhe u kthye në Martanesh pas 6 muajsh, pasi kishte pësuar fraktura të mëdha. Në klubin e Martanashit  u bë një darkë, u mblodh paria e fshatit. Vetëm dy veta  nuk ishin në atë darkë ishin: doktoresha dhe pacientja. Dikur nga mesi i orgjisë, kur i shoqi saj ngriti një gotë: “Shëndeti i doktoreshës, që e shpëtoi!”, në këtë çast iu sul sekretari i burosë, Azis Kuka dhe tha: “Atë e shpëtoi Partia, jo doktoresha, që është reaksionare!”  Filloi një tjetër sulm ndaj nesh, pra, edhe përpjekja për të bërë mire, kthehej në të kundërtën e saj. Meremja u sëmur në kushte të vështira  dhe u kthye në Tiranë, ndërsa unë qëndrova disa vjet atje, deri në nisjen e Lëvizjeve demokratike të viteve ’90. Në Tiranë  punova në ndërmarrjen komunale si punëtor, mandej si bojaxhi, lyeja biçikletat dhe bëja stampat e tyre me penel, ishte shumë e vështirë, por arrita ta zotëroj edhe këtë profesion për të mbajtur familjen. Merjema mbeti pa punë.

 

Ju kini bërë një pikturë në Martanesh, “Peisazh vjeshte”, e kini quajtur. Kini pasur kohë e qetësi për të pikturuar?

Kjo pikturë ka një histori. Një ditë të diele, kur nuk pati urgjenca, (sepse unë e shoqeroja mjeken në urgjencat tri-katër orë larg në çdo fshat të Martaneshit), ndaj mora kavaletën, i shkriva bojrat e thara dhe i thashë që do shkoja në pyll për një pikturë. Ajo më tha: Pikërisht sot? Nuk të kujton gjë data 1 shtator?” Jo!- i thashë. Ika larg në një vend të pashkelur. Më tërhoqi vëmendjen një trungu vigan ahu, që po vdiste, ndërsa nga trupi i tij dilte nje filiz i ri. Jeta dhe vdekja. U vonova për ta realizuar peisazhin. Merjemja u shqetësua dhe doli me dy tre veta me pishtarë, se atje ishte vend i arinjve. Kur u kthyem, pashë   mbi tavolinë një tufë me lule një shënim: “Gëzuar ditlindjen doktoreshë!” U kujtova. Mora pikturën dhe ia dhurova. Meremja e ruan atë si një kujtim të bukur të kohëve të vështira.

Ndërkohë, ajo shkonte në Ministrinë e Shendetsisë, që të interesohej për t’u rivendosur në punë, në një rreth më të afërt. Në atë kohë ishte një zëvëndësministër shëndetsie nga Martaneshi. Ai e priti shumë mirë, se kishte dëgjuar që ishte një mjeke shumë e mirë dhe i tha:  “Do të të ndihmoj, por dua që atë pikturën e pyllit të Martaneshit, që më kujton “Pyllin rus” (ai kishte studiuar në Rusi) ta kem unë”. Ishte një mitë. Por, Merjemja u revoltua, përplasi derën dhe iku. Kur u ktheva nga Martaneshi, e gjeta me sy të buhavitur dhe më tha: “Nuk e jap atë pikturë, edhe sikur të di që mbetem tërë jetën pa punë”. U mundova të bëj një kopje të asaj pikture, por ngjyrat më dilnin të errëta, si gjendja ime shpirtërore. Në një krizë nervore, e  hodha kopjen e deformuar nga dritarja. Këto ngjarje të lidhura me jetën e vështirë, por edhe me përvojën, më krijuan një pasuri e jashtëzakonshme, që e kam derdhur te librat e mi.

 

-Përpara se të ndryshonin kohët, a kishit ndonjëherë shpresë që do të ndërronin fatet tuaja?

Unë nuk kisha asnjë shpresë, por merjemen e mbanja me kurajo dhe ajo shpresonte. Mirëpo  erdhën ditët, filloi lëvizja demokratike dhe unë natyrisht që isha pjesë e saj. Në zgjedhjet e  31 korrikut 1991,  që fitoinë qytetet e mëdha Partia Demokratike dhe Tomor Malasi, kryetar i Komitetit pluralist të Tiranës më emëroi nëndrejtor të shkollës “Ismail Qemali”. Mirëpo kur shkoja në orët e mësimit, nxënësit iknin nga mësimi, të nxitur nga disa mësues dhe prindër enveristë. “U kthyen Vikingët! thoshnin. Gradualisht, duke punuar me një apo dy nxënës, filloi interesimi dhe më pas jo vetëm që vinin me kënaqësi në mësim, por bashkë më ta u bëmë pjësë e ndryshimit. Më pas u zgjodha deputet i Kolonjës dhe kryetar i Komisionit të Mediave dhe Kulturës për dy legjislacione (92-96 dhe 96-97). Gjatë këtyre kohëve kam punuar në Parlament për ligjet në fushë të kulturës dhe të mediave, madje realizuam edhe draftin për televizionin publik dhe privat. Ndërkohë, si kryetar i Komisionit të vlerësoimit të figurave, kam bërë përpjekje për zbardhjen dhe vlerësimin e qindra figurave të persekutuara nga regjimi komunist në Shqipëri dhe Kosovë. Kam botuar disa libra dheshumë shkrime në shtyp për ta .

Në periudhën që isha anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëherësh deputet në Parlament, kam qenë kritik ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës, kam kërkuar  që të denohej ai  juridikisht, si edhe ata që kishin bërë krime si Sheqfqet Peçi, Aranit Çela etj, ndërkohë që kam kritikuar edhe publikisht Berishën, për autoritarizëm, trajtimin e gabuar të pronave dhe të të përndjekurve politikë. Këto kritika janë botuar edhe ne shtypin e ditës.

U largova vetë nga politika dhe u mora me studime historike dhe krijimtari letrare. Para tre vjetësh themeluam Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skendo” në Tiranë, bashkë me  Agron Shehaj,bisnesmen i njohur,  tashmë deputet i PD në parlament. Ky institut, përveç hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme historike, po boton veprën e plotë të Mid’hat Frashërit në 23 vëllime, një pasuri e jashtëzakonshme e historisë dhe kulturës shqiptare dhe evropiane.

Gjithashtu, Instituti “Lumo Skendo”, që unë drejtoj, mori nismën për kthimin e eshrave të Mid’hat Frashëri nga Nju Yorku, dhe me mbështetjen e  qeverisë dhe të institucioneve të shqtetit shqiptar u bë e mundur kthimi i eshtrave të tij dhe vendosjen e tyre në panteonin e njerëzve të shquar, pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës. Bustin e Mid’hat Frashërit, që u vendos atje, e realizoi skulptori i mirënjohur Agim Rada. Ndjehem me fat dhe krenar per këtë investim kombëtar, ashtu si dhjetë vjet më parë, kur si kryetar i Komisionit të Kulturës në parlament mora nismën për kthimin e eshtrave të Faik Konicës dhe bashkë më ministrin Teodor Laço dhe poetin Bardhul Londo, shkuam në Boston dhe sollëm në atdhe eshtrat e Konicës.

 

-Ju personalisht kini bërë edhe shumë botime historike dhe letrare, a mund të na thoni diçka për to?

Gjatë këtyre viteve kam hulumtuar nëpër arkivat dhe bibliotekat shqiptare e të huaja dhe kam botuar mjaft libra publicistike dhe historikë, si “Ringjallje”, “Lufta civile ne Shqipëri 1943-1945”, “Masakra e Tivarit”, “Marrëveshja e Mukjes”, “Gjeniu i Kombit”, “Kristo Kirka”, “Safet Butka”, “Bombë në legatën Sovjetike”, “Dritëhije të historisë”, “Elita shqiptare”, “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, “E djathta dhe e majta në luftë” e të tjera.. Veprat historike i kam botuar nga detyrimi që të ndihmësoj në korigjimin e historisë së politizuar dhe në vlerësimin historik e të dokumentuar të ngjarjeve dhe personaliteteve kombëtare. Gjithashtu, kam botuar edhe vepra letrare, sepse  letërsia është hobi im, liria ime, ajo më buron nga shpirti, dhe është vlerësuar. Janë disa libra me tregime e novela si “Vdekja e bardhë”, “Në shtëpinë tonë”, “Vetëm një natë”, “Humbja nuk është mbarimi”, “Më në fund të lirë” dhe romani “Miti i Haxhi Qamilit”. Po ashtu kam realizuar mbi 10 filma dokumentarë për ngjarjet dhe personalitetet historike, si “Ventotene”, ‘Sabiha Kasimati”, “Musine Kokalari”, ”Lëvizja Kryeziu”,” “Mallakastra siç ka qenë”, “Kamber Prishta”, Kryengritja e Dibrës 1913”, “Lëvizja e Malësisë së Madhe dhe e Postribës” etj.

 

-Ndërkohë ju jeni vlerësuar me mjaft çmime dhe urdhëra të rëndësishëm shtetërorë dhe ndërkombëtarë, a mund të na thoni disa prej tyre?

-Për mua ka rëndësi puna, ndihmesa dhe gjurma, që lë njeriu në jetën e tij.

 

Intervistoi:Dashnor Kaloçi

Leave a Comment