Më duket se dhamë një mendim të mjaftë për prozën që përdor z. Baerlein. Thonë se të moçmit, për të zvjerdhur dhe trembur djalërinë prej pijes, e shpinin përpara një të dehuri, që t’i vinte ndotë dhe të ruhej nga vera e tepërt. Ashtu, mund të them, se edhe leximi i librave të tillë e lëkund njeriun dhe gjithë ato të këqija që dëgjon, e bëjnë të ndjejë një reaksion, t’i përndërkrehet ndërgjegjja kombëtare, t’i zgjohen dejet e gjakut.
Në këtë luftë dhe zënie të pamëshirshme që kombet po i bëjnë njëri-tjetrit, është detyrë të dimë se ç’mejtojnë, ç’thonë dhe si punojnë armiqtë kundër nesh. Fjalën “armik” e përdorim, duke mos dashur, se dua që Shqipëria të mos ketë veçse miq, të rrojë në paqe me fqinjët, në besim dhe harmoni të plotë. Po ky është një kusht i dyanshëm, duhet që dhe ata më tej kufirit të mejtojnë dhe të ndiejnë si ne. Që të arrijmë atë ditë, duhet që të punojmë me efekt, që të dimë mirë taktikën dhe armët e përdorura prej rivalëve tanë. Duhet, pra, të këndojmë literaturën e tyre politike, t’ia bëjmë të njohur popullit tonë, t’i përgjigjemi dhe të dimë si të ruhemi.
Të mbrohemi dhe të përgjigjemi! A s’gjen në këto dy fjalë, lexues i dashur, një program të gjerë, një detyrë të madhe? A nuk sheh këtu çdo shqiptar, se i ka hua Shqipërisë dhe vetes së tij të shtojë patriotizmin dhe të ngjallë një mendim, një ndjenjë miqësore tek të huajt?
Patriotizmi lyp një adhurim për Shqipërinë dhe shqiptarizmin, një kult të madh e të gjerë. Po qe se nuk e patëm këtë kult, nuk mund të jemi patriotë, nuk mund që të kemi dashurinë e vërtetë. Dhe pa pasur dashurinë, nuk mund të punojmë për Shqipërinë, nuk mund që të luftojmë për të me idealizëm të vërtetë. Propaganda që duhet të bëjmë jashtë, është si kurorëzimi i asaj dashurie.
Në dhjetë vjet dhe më tepër akoma, që njëqind e dyzet vjet e tëhu, një propagandë e interesuar ka mbushur botën e tërë me një famë të keqe për Shqipërinë. Emri shqiptar është bërë pak sinonim i një gjëje të ligë dhe fjalët e mira e lëvdatare për ne janë të mbytura në një oqean qortimi dhe kritikash.
Pa dyshim, që të gjitha sot janë të dobishme për shqiptarin patriot, se gjejnë të metat që duan ndrequr, të mirat që duan shtuar. Po një kritikë e egër dhe keqdashëse duhet të provokojë një reaksion, një kundërmësymje, një mbrojtje inteligjente dhe energjike, e organizuar mirë dhe e ndjekur pa përtim. Se, ti fle, armiku s’fle. Ai që hesht, ka faj, ose shikohet si fajtor. Kjo mbrojtje duhet organizuar dhe sa më shpejt aq më mirë, se kemi humbur shumë kohë, kemi vdirur vite të vlefshme. Gjer më sot jemi mjaftuar dhe jemi kënaqur me mbrojtjen që na kanë dhënë miqtë dhe dashamirët tanë, po kjo nuk mjafton. Jo vetëm nuk mjafton, po do të jetë dhe një armë në dorë të armiqve kundër nesh, të cilët do të thonë se shqiptarët s’janë të zotë të mbrojnë veten e tyre, s’dinë të punojnë, janë si foshnja që duhet t’i mbrojë një i huaj.
Organizimi, propaganda për vetëmbrojtjen tonë do ngrehur brenda në Shqipëri dhe jashtë saj.
Kam dhjetë vjet që po ndjek me një interes të kuptueshëm lehtë punët e fqinjëve tanë dhe të shtypit në botë. Nuk mund të fsheh se i admiroj. Kemi parë sa punë supernjerëzore kanë bërë dhe janë duke bërë serbët, grekët, bullgarët; sa degë dhe rrënjë kanë hedhur në të katër anët e dheut, sa miq kanë ditur të fitojnë dhe sa aktivitet e vullnet kanë dëftuar! Admiroj më tepër nga të gjithë grekët, që nuk lënë të humbasë asnjë rast pa ngritur zërin e tyre për të mbrojtur të drejtat ose ato që i quajnë “të drejtat e tyre”. Sikur të thuhet një fjalë kundër Greqisë ose helenizmit, do të dalin dhjetëra njerëz nga India, Australia, Zvicra, Franca, Anglia ose Kanadaja të protestojnë. Edhe ata që bërtasin kështu në dhjetë gjuhë janë grekë autentikë, jo filohelenë, numri i të cilëve është dhe më i madh akoma dhe zëri më i pushtetshëm.
Edhe duke parë këto përpjekje në ketë beleg të luftës, nuk mund të fsheh këtu hidhërimin që ndiej përpara veprimit dhe sjelljes që ka një pjesë e shtypit tonë të jashtëm, me sulmet që i bën Shqipërisë dhe qeverisë së saj. Mjaft është në këtë lëm terrori i armiqve. A duhet që edhe ne të japim ndihmë në ato përpjekje ? Kemi nevojë që edhe ne, me duart dhe djersën tonë, të forcojmë armët e mprehta të drejtuara prej zemrës sonë.
Kujtimet e motit 1914
Leave a Comment