ZONJA CARNARVON
I kam premtuar revistës Shekulli XX të shkruaj dy fjalë për Kontesën Carnarvon, të kujtonj fytyrën, aqë simpatike sa edhe fisnike të asaj, që qe mikesha jonë e madhe.
Këtë zonjë un’ e konsideronj si një symbol, si një shëmbull ideje të madhe, të një vullneti të fortë, një grua që pasionohet për një ëndër, një dëshirë. Për mua është një zonj’ e madhe. Fjalët nuk do të qenë të mjafta për të shprehur gjith’ admirimin që ndjenj për të. Dua vetëm që këndonjësit dhe më tepër akoma këndonjëset e këtij artikulli të vogël, të dëgjojnë në zemrat e tyre jehun e zemrës së madhe, që rekëtinte në atë trup të vogël të saj.
Pas vdekjes së të birit, Aubrey Herbert – që edhe ay ish një mik aktiv dhe zelltar i Shqiptarvet* – e ëma ndjen detyrën të vazhdojë veprën që burri politikan kishte filluar në London. I biri ish deputet, na ndihu nga 1912 gjer 1921, moti që u-nda nga kjo jetë; na dha kontributin e tij politik në kohë kritike, në ditë rreziku dhe zije. Pati sadisfaksionin të shohë që edhe ne ditmë të përpiqemi, të punojmë dhe të reusitim. E ëma desh të plotësojë punimin e nisur – jo me mjete imediatë – po me vepra të durueshme, duke mejtuar për të pritmin, duke filluar me djalërinë, rininë, brezin që përgatit, që fillon, që vijon dhe realizon. Instinkti i një gruaje zëvendëson dhe kapërcen gjeninë. Mëmë e një filloshqiptari, desh të bëhet mëma e rinisë shqiptare.
Edhe disa vjet me radhë, në vapë e në malarie, në dimër e në baltë, Kontesha Carnarvon, me një besim fetar në zemër të saj, bëri pelerinazhin e zallit t’Adriatikut, duke udhëtuar në forde të shkatruar, mbi shosetë gropa-gropa, në moçalet, në pluhurat; duke flejtur shumë herë në hane, herë në Vlorë, herë në Tiranë, Kavajë, Krujë, Shkodër…
Me se u okupua? Me çdo send, me boyskautismë, me malarien, me emigrantët kosovarë, me të burgosurit, me lisa dhe pyllëzim dhe më tepër akoma, me edukatën e rinisë, me edukatën trupore dhe mendore të tyre: filloi themelimin e asaj biblioteke, që ngjan sot me një oasis, që të kenë djalërija një çerdhe, një vatër, një fole. Boyskautismën me ndjenjat e solidaritetit që ngjall te rinija, me entusiasmën intelektuale dhe morale që inspiron, e gjykoi si një vegël edukonjëse nga mâ të mirat. Donte që djali, çupa të interesohet në zhvillim të tij dhe të saj, të forcojë mendjen dhe trupin, të bëhet një pjes’ e dobishme vepronjëse nderdhânëse e këti trupi, e këtij Kombi.
Asnjë ndalim nuk e mërzitte, asnjë vështirësi nuk e lodhte. S’e pashë ndonjëherë të dëshpruar ose të zemëruar; edhe kur shihte se qëllimi largohej, ajo prap nuk e humbi as durimin as buzëqeshjen e ëmbël të saj. Nuk ia pashë ndo njëherë të errësuar ata syt’ e bukur të kaltërt, as të egërsuar zanin e njomë. S’ka dyshim se ajo ku durimi dhe zemërgjersia e saj më tepër kishin nevojë të ushtrohen, ishte zakoni që mbretëron pak si me autokrati të madhe në Shqipëri: të thënët gjithnjë po, dhe të mbajturët fjalën më të rrallë. Disa këtë zakon e quajnë gënjeshtër; do të tjerë i japin titullin eufemik politesë; ka psikollogë që thonë se është shënjë degjenerimi.
***
Ajo që më shtonte admirimin tim për Lady Carnarvon ishte kurajoja e madhe e saj plot sakrificë, në moshë të saj linte Ingliterën, rrethin aristokratik, miqtë dhe të afërtit, linte vilën e saj në Riviera Ligura – atë parajsë të dheut – dhe vinte te ne të na ndihmojë, të na këshillojë, të na kujtojë se duhet të p u n o j m ë. Ajo zonj’ e moshuar, vinte të na japë një zell rinije, një frymë entusiasme.
***
Kur u mbarua Biblioteka Carnarvon, kjo faltore e vogël e Urtësisë dhe e Diturisë që zbukuron m’atanë Lanën e qytetit tonë, kur erdhi dita e inaugurimit i atij vendi që, e them prapë, është një oasis i vërtetë, zonja Carnarvon më s’ishte në jetë. Të kishte rrojtur akoma, prapë do të shihnim fytyrën e dashur të saj disa herë në mot në Shqipëri, prapë do të interesohej në përparimin e këti brezi, prapë do të përpiqej të japë një frymë, një shpirt, një ideal mê të shëndoshtë, mê të lartë.
Kemi një detyrë mirënjohjeje kundrejt kësaj mëme. Të kujtuarit e saj më duket sikur të jetë një farë lutje, një kërkesë besimi.
Interesimi ynë për veprën që ajo nisi, do të jetë shpërblimi më i pëlqyeshëm për të, nderimi më i madh që munt t’i bëjmë shpirtit të saj. Indiferenca kundër punimit të saj, mosinteresimi i asnjë gruaje, i asnjë burri për atë që ajo bënte, pa dyshim do të ketë plagosur zëmrën aq të hollë të saj.
A nuk duhet, a s’e kemi detyrë të përpiqemi të na lahet faji?”
————————
Lumo Skëndo, Zonja Carnarvon, marrë nga “Shekulli XX”, viti 1934.
Leave a Comment