Marrëveshja e Mukjes u arrit, sepse e imponuan kushtet e brendshme e të jashtme, patriotizmi i popullit shqiptar dhe përpjekja e tij për liri dhe luftë të përbashkët sipas traditës kundër pushtuesve fashisto-nazistë, si edhe ndihmesa e Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë. Ajo u arrit sepse edhe forcat kryesore politike, kishin interes, por edhe detyrim të bashkëpunonin mes tyre. Partia Komuniste e kërkonte bashkëpunimin me Ballin Kombëtar, sepse nuk ishte ende aq e fortë sa të imponohej dhe ta përballonte e vetme luftën kundër okupatorëve. Madje ajo ishte e maskuar me emrin e Frontit NÇ, ndërsa emisarët jugosllavë M. Popoviç e D. Mugosha fshiheshin me emrat Ali dhe Salë. Balli Kombëtar dhe Lëvizja Nacionaliste ishin ende superiorë krahasuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare për nga mbështetja popullore, forcat luftarake dhe shtrirja e tyre në hapësirën shqiptare, përfshirë edhe Kosovën e viset e tjera shqiptare të bashkuara me Shqipërinë. Aq e vërtetë ishte kjo në atë kohë, sa vërtetohet edhe nga qarkoret e E. Hoxhës e të misionarëve jugosllavë, nga raportet e ndërkombëtarëve, nga propozimi që u bë në Mukje që Balli të kishte në atë konferencë dyfishin e delegatëve të Nacionalçlirimtares, por edhe nga fakti i thjeshtë që kryetar i Kuvendit të Mukjes u zgjodh përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, Thoma Orollogai, si edhe kryetar i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë u zgjodh përsëri një përfaqësues tjetër i delegacionit të Ballit kombëtar. Edhe Balli Kombëtar ishte po aq i interesuar për bashkëpunimin me Nacionalçlirimtaren, jo vetëm në luftën për çlirim, por edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, që përputhej me parimet e tij nacionaliste, por edhe për t’u konsideruar nga Aleatët Antifashistë si një partner në luftë dhe për të fituar kredenciale politike për të ardhmen.
Natyrisht, zhvillimet pozitive të Luftës së Dytë Botërore dhe presioni i Aleatëve Antifashistë, që kërkonin bashkimin e gjithë faktorëve shqiptarë kundër nazifashizmit, ndikuan në kompromisin e madh, që u arrit në Mukje.
Konsulli gjerman Schliep raportoi në Berlin për takimin e Mukjes, në datën 31 korrik, 2 gusht, 5 gusht dhe 23 gusht 1943. Madje, Proklamatën e Mukjes të përkthyer, Schliep-i ja dërgoi Ribbentrop-it në Berlin.
Është pikërisht Mbledhja e Mukjes që detyroi Ribbentrop-in më 21 gusht 1943 të udhëzojë konsullin Schliep në Tiranë si më poshtë, përsa i përket planeve gjermane për Shqipërinë: “Në lidhje me ngjarjet në Itali, është e një rëndësie të veçantë për ne që të kemi një panoramë të qartë për situatën e tanishme politike në Shqipëri. Është p. sh e mundur që në Itali mund të ndodhin ndryshime të tjera, të cilat diktojnë largimin përfundimtar të italianëve nga Shqipëria. Prandaj, për ne mund të jetë e nevojshme, duke pasur parasysh edhe zbarkimin e anglezëve dhe amerikanëve në Italinë e Jugut që, përveç masave ushtarake, të marrim sa më parë edhe një vendim politik për marrëdhëniet tona të ardhshme me Shqipërinë. Vendimtar për marrjen e këtij vendimi është mendimi që, nëse është e nevojshme të organizojmë një mbrojtje ushtarake të bregdetit shqiptar dhe sidomos të Kanalit të Otrantos, të paqësojmë politikisht Shqipërinë, në mënyrë që, trupat tona të lehtësohen sa më shumë nga detyra e mbrojtjes. Kjo do të thotë që, mundësisht aspak ose fare pak trupa gjermane do të nevojiten për t’u kujdesur për ruajtjen e qetësisë dhe rregullit në Shqipëri. Kësisoj, rrugët e lëvizjes do të jenë plotësisht të sigurta për trupat tona luftarake në bregdet”. 97/2)
Pra Marrëveshja e Mukjes pati edhe jehonë ndërkombëtare.
Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943 një betejë të përbashkët nën komandën e Abaz Kupit në afërsi të Qafë Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat. Është në interes për lexuesin të shohë këtu të botuar komunikatën e plotë të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë për këtë luftë të përbashkët të frymëzuar nga vendimet e Mukjes.
“Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10. 00, mbasi muarën, vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej Qafë-Shtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër Qafë-Shtamës.
Plot në orën 7. 10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike.
Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një materjal kolosal. Të numuruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitroloza të rëndë komplet me municione, 10 mitralozë të lehtë dhe mjaft municione për to,160 armë lufte, 7 radio fushore marrëse-dhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, materjal sanitar, batanije e materiale të tjera të ndryshme.
Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.”
KOMITETI PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË 98)
Kjo luftë, dy ditë pas Marrëveshjes së Mukjes, tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike, por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje reale për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E. Hoxhës – binte ndesh me interesat e Luftës antifashiste, por ishte një lidhje bese e shqiptarëve në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë “formale” e një “grackë” – siç thoshte E. Hoxha, po një vendim e një veprim luftarak konkret i forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.
Ishte kjo luftë e rëndësishme e përbashkët, që i trembi dhe i tërboi emisarët jugosllavë dhe puthadorët e tyre – krerët komunistë shqiptarë, të cilët e ndjenë fuqinë e përhapjen e frymës së Mukjes dhe panë realizimin e vendimeve të saj.
Uran Butka
Leave a Comment