Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” përuroi librin “Sekretet e Luftës”. Shqipëria tjetër në dokumentet britanike, të autorit Erald Kapri, shtypur në shtypshkronjën “Onufri.
Erald Kapri i përket një brezi të ri gazetarësh dhe studiuesish. Kapri ka përfunduar studimet për Gazetari dhe Shkenca Komunikimi në Universitetin e Tiranës. Më tej, fitoi bursë për studimet Master nga qeveria Britanike dhe u diplomua në Universitetin e Westminsterit në Londër për Media e Komunikim. Qysh prej vitit 2014 është pedagog në Departamentin e gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, prej vitesh kontribuon në gazetarinë politike dhe publicistikën historike, duke publikuar dhjetëra artikuj në shtypin e përditshëm. Kapri ka disa studime në komunikim dhe polemizon shpesh për të kaluarën e shqiptarëve, median dhe djathtën shqiptare. Ky libër është i pari që vjen në dorë lexuesit në vazhdën e të tjera botimeve, për të cilat ai është duke punuar.
Botimi i këtij libri është i rëndësishëm, njeherësh dhe i dobishëm, për kthjellimin e mëtejshëm të tymtajës të Historisë së Luftës II Botërore, histori që është deformuar dhe tjetërsuar nga historiografia komuniste për qëllime politike e kushtetore, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite vijon debati i ashpër dhe mjegullimi i qëllimshëm, ndonëse në këto vite të trazicionit janë bërë përpjekje nga disa historianë e studiues mbi bazën e dokumenteve të reja të arkivave brenda dhe jashtë vendit për të ndriçuar ngjarje dhe personazhe të rëndësishëm të Luftës II Botërore, gjithsesi ende pamjaftueshmërisht.
Ky botim me dokumente autentike britanike hedh dritë mbi të vërtetat e luftës, mbi sekretet e saj, shpjegon dhe ngjarje e fenomene të keqtrajtuara e të falsifikuara apo të pathëna, në mënyrë pak a shumë të paanshme, dhënë nëpërmjet optikës së politikës britanike dhe të oficerëve britanikë që ishin aso kohe faktorë të rëndësishëm lufte në Shqipëri, si Maklin, Dejvis, Kemp, Smajl, Emer, Palmer, Sejmur, Simkoks, Hibert, Oliver, Smith, etj.
Kjo lëndë historike është tejet e dobishme jo vetëm për politikanët, historianët, studiuesit, studentët, por edhe për mbarë kombin shqiptar që është i interesuar për historinë e vërtetë të luftës së dytë botërore në Shqipëri, por edhe i ndarë në mes, i lënduar, dhe pavlerësuar. Njëherësh nëpërmjet dokumenteve britanike mundësohet rishkrimi i historisë, që është një domosdoshmëri.
Informacioni që merr lexuesi nga dokumentet britanike për Luftën II botërore në Shqipëri është i gjerë dhe përfshin gjithë faktorët e luftës, shtresat e popullsisë dhe të politkës shqiptare, por edhe britanike.
Po theksojmë disa teza që evidentohen nga oficerët britanikë: 1- Të gjithë ata e vlerësojnë luftën antifashiste të popullit shqiptar, dhe të faktorëve luftarakë si Lëvizjen NÇ, Ballin Kombëtar, Legalitetin, krerët e Veriut që luftuan kundër pushtuesve. 2- Britanikët vërtetojnë me fakte Luftën Civile të provokuar nga PKSH dhe të nxitur nga komunistët jugosllavë, pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes. 3- Lufta Civile mes komunistëve dhe nacionalistëve ishte një tragjedi kombëtare. Oficerët britanikë u munduan ta ndalonin atë, por udhëheqësit komunistë Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Shefqet Peçi etj., si edhe emisarët jugosllavë Miladin Popoviç e Dushan Mugosha i dhanë Luftës NÇ një karakter terrorist. Gjenerali Dejvis thekson: “Luftën Civile e fituan komunistët, sepse vepruan si terroristë”. Komunistët shqiptarë me luftën e tyre për pushtet e vendosën Shqipërinë në Perandorinë e Lindjes Komuniste dhe në diktaturën më të përgjakshme në të gjithë vendet e Lindjes.
4- Politika britanike me njëanshmërinë e saj ndihmoi kryesisht komunistët me asistencë ushtarake, armatime, veshmbathje dhe veçanërisht me monedha ari (120,000 sterlina dhe 2334 ton materiale lufte), ndërsa nacionalistëve 1/15 e saj.
Kështu britanikët ndikuan indirekt në fitoren e komunistëve, marrjen e pushtetit nga ana e tyre dhe vendosjen e regjimit komunist. Ndërkohë ky botim ndriçon dhe vlerëson edhe luftën e faktorëve të tjerë jokomunistë si edhe të figurave të shquara nacionaliste si Mid’hat Frashëri, Ahmet Zogu, Abaz Kupi, Gani Kryeziu, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Safet Butka, Muharrem Bajraktari etj,.
Në librin e Erald Kaprit “Sekret e luftës”, gjenden dhe arsyet e dëbimit të dhunshëm të çamëve nga trojet e tyre.

Leave a Comment