Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” përuroi librin “Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj”. Ndanë vlerësimin për veprën e “Mjeshtres së Madhe” Vilhelme Vranari Haxhiraj drejtori i Institutit historiani Z.Uran Butka, i cili në fjalën e tij përshëndetëse citoi: Për Institutin e Studimeve “Lumo Skëndo” dhe shkencën shqiptare sot është një ditë e rëndësishme. Përse? Sepse kjo vepër e Vilhemes përurohet në institutin, që mban emrin e Mid’hat Frashërit, gjeniut dhe shërbestarit të kombit. Sepse Isuf Luzaj ishte bashkëluftëtari i ngushtë i Mid’hat Frashërit në luftën për një Shqipëri të lirë demoktatike dhe etnike. Sepse Isuf Luzaj arriti të bëhej një personalitet i shquar i kulturës dhe shkencës me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, profesor i merituar i Amerikës, Mjeshtër i Madh dhe Nder i Kombit, me rreth 150 vepra në fushë të filozofisë, letërsisë, historisë dhe artit të vlerësuara ndërkombtarisht. Sepse ky studim për rrugëtimin filozofik të Isuf Luzajt është i denjë dhe i vlefshëm, është një vlerë për kulturën shqiptare.
Studimi i Rrugëtimit filozofik të Prof. Isuf Luzajt dhe në mënyrë të veçantë analiza e thellë e librit filozofik “Ekzistenca dhe Boshësia”, përbën një risi dhe njëherësh një vlerë në sudimet shqiptare, ndaj Vilhelma meriton një falënderim të madh për kurajon, përpjekjen për t’u lartësuar edhe vetë në filozofi, zhbirimin e mendimit dhe të analizës shkencore të saj. Për të arritur deri këtu,edhe asaj, ashtu si kundër edhe Isuf Luzajt, i është dashur një rrugëtin i gjatë dhe i mundimshëm jo vetëm në udhën e krijimtarisë letrare, por edhe të studimit dhe të dijes filozofike, pa të cilat s’mund të hynte dot në botën e mistershme Luziane.
Le ta ndjekim me pak fjalë rrugëtimin e saj: Kaniniote, nga një familje e shquar shqiptare e Gjergj Aranitit, ajo trashëgoi genet e të parëve të saj, ndonëse koha e goditi pamëshirshëm. E damkosur dhe e përndjekur si familje nga regjimi komunist, vetë duke ngrënë bukën hidhur e botës, duke i mohuar edhe profesionin, edhe diplominin. Megjithatë ajo arriti të kompletohej me arsim të larte për histori-gjeografi, pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Vetëm pas vitit 1990, ajo rigjeti vetveten e mohuar. Pjesëmarrëse aktive në lëvizjen demokratike, kryetare e gruas demokratike të Vlorës për të mbrojtur dhe promovuar te drejtat dhe liritë e gruas dhe të fëmijëve. Vilhelma, një demokrate nacionaliste, është në udhën e Midhat Frashërit, Hysni Lepenicës, Isuf Luzajt, duke qenë edhe vetvetja në jetë, në veprimtari ne botime.
Vilhelme Vranari është një shkrimtare tanimë e mirënjohur, një penë e fuqishme dhe shumë prodhuese e letërsisë shqiptare, në mjaft gjini : prozë, poezi, ese, publicistikë, studime, fabula, letërsi për fëmijë etj., në mbi 40 vëllime. Ajo eshtë nderuar me çmime brenda dhe jashtë vendit, si Mjeshtër e Madhe, çmimin Skënderbeg prej Ministrisë së Kulturës Italiane, Pena e kristaltë Suedi, çmimi i parë për poezi në Firence , medalje ari dhe argjendi e mirënjohje në Kosovë, Mal të Zi, Greqi, Rumani, tre çmime karriere në Shqipëri, si edhe Nderi i Kaninës, që i shkaktoi dhimbjet e mëdha dikur, por edhe vlerësimet e mëdha sot, Kanina e saj por edhe Vlora. Si autore shqiptare është përkthyer dhe përfshirë në disa antologji në Angli, Itali, Suedi, Greqi, Rumani etj.
Krahas tij vlerësim për Znj. Vilhelme Vranari Haxhiraj shprehën edhe Z.Nebil Çika, Z.Mujo Buçpapaj dhe Z.Resmi Osmani nga Thesprotia.
Sigurisht nuk mungoi fjala e autores Znj.Vilhelme Vranari Haxhiraj e cila u shpreh e lumtur dhe e vlerësuar për dhuratën që i bën çdo lexuesi, duke u krijuar mundësinë ta kenë këtë libër pjesë të bibliotekës së tyre.

Leave a Comment