E vlerësoj shumë që sot në këtë veprimtari, na bëri bashkë, studiuesi i respektuar, zoti Uran Butka. Na bëri bashkë, për të promovuar një libër të tij, dhe vetëm për këtë, do t’ia vlente. Na bëri bashkë, edhe për të përkujtuar një ngjarje të rëndë e ren qethëse në jetën e shqiptarëve, dhe për këtë arsye, ia vlen dy herë. Me këtë rast unë desha ta falënderoj kolegun Butka, i cili më kërkoi të them disa fjalë.

Masakra e Tivarit, Katini i shqiptarëve, tanimë është sjellë në dritë, duke u zhveshur nga misteret, me të cilat ka qenë e mbështjellë, falë kontributit të gjithë atyre studiuesve dhe hulumtuesve që janë marrë me të, ndër ta dhe më kryesori, zoti Butka. Unë nuk do të shtoj  ndonjë gjë të veçantë për këtë ngjarje, ndonëse edhe unë, jam marrë me të në mënyrë modeste, ashtu si shumë të tjerë. Për një gjë jam e sigurt, nëse kjo masakër një ditë do të shterojë për nga faktet e sjella, episodet e mbledhura, ajo nuk shteron kurrë, as sot e as nesër, për nga mesazhet.

Rrethanat kohore kur ndodhi masakra tashmë përbëjnë një kontekst historik të ravijëzuar qartë, me platforma, qëllime, aktorë, faktorë etj. Që do të thotë, se masakra nuk është thjesht rrethanë e aq më pak e rastit, siç ndodh shpesh t’ua vënë emrin, akteve të ngjashme në kohë lufte. Është i njohur gjerësisht elaborati famëkeq i serbo-boshnjakut Vaso Čubrillović, i vitit 1937 “Shpërngulja e arnautëve”, një program shfarosës dhe i detajuar, për spastrimin etnik të Kosovës dhe viseve të tjera në Jugosllavi, të banuara prej shqiptarëve. E njohur është po ashtu që në fund të luftës, në nëntor 1944, ky profesor historie paraqiti në shtabin e Titos një program të dytë për pakicat, sipas të cilit “ushtria gjatë operacioneve të luftës të spastronte në mënyrë të planifikuar dhe pa mëshirë pakicat kombëtare” dhe, midis tyre, “si, duhej të spastrohej pa kushte … Metohija me Kosovën dhe Pollogun nga shqiptarët”. Nuk kam të dhëna si u prit platforma, por jeta tregoi se u punua fort për t’u zbatuar ajo, gjatë dhe pas luftës.

Në rastin e shqiptarëve pati edhe një rrethanë tjetër të pafavorshme për ta: Popullsia shqiptare e Kosovës u konsiderua bashkëpunëtore me pushtuesit dhe me këtë casus, në nëntor dhjetor,  të vitit 1944, vërshuan në Kosovë shtatë divizione të ushtrisë jugosllave. Një popullsi e tërë, sidomos në Ferizaj, Gjilan, Drenicë, Vuçiternë, Podujevë etj, u provokua, dhe më tej, u masakrua barbarisht, duke mos u kursyer as gratë, fëmijët e pleqtë. Në shkurt 45 pasoi vendosja e Administratës Ushtarake në Kosovë, dhe në kuadër të saj, masakrat. Kjo ishte përgjigja në fund të luftës, përkundër plebishitit të premtuar për shqiptarët prej Titos, më 1942,  dhe, rezolutës së Bujanit për vetëvendosje deri në shkëputje, janar 44.

Masakra e Tivarit pothuaj u kalua me heshtje. Zyrtarët e lartë të PKJ, midis tyre Aleksandër Rankoviç, folën për një incident në rrugë e sipër, por që ishte tejkaluar me kundërpërgjigjen. Zyrtarët e Tiranës nuk folën asnjë fjalë, deri më 1949, kur Hoxha deshi të implikonte në ngjarje Koçi Xoxen, si njeriu që “autorizoi oficerët e UDB të pushkatonin në tokën shqiptare ilegalisht dhe pa gjyq më shumë se një mijë kosovarë të pafajshëm”, paçka se atë kohë Xoxe nuk ishte ministër i brendshëm, por Haxhi Lleshi. Raportet që u dhanë nga terreni mbetën kofidenciale për dekada të tëra.

Edhe britanikët, më shumë heshtën se folën. Megjithatë një raport i tyre na e qartëson pamjen. Më 26 prill 1945, kryetari i Misionit, gjenerali Hodgson, në raportin që i dërgonte Ëar-Office, pas një vizite në Shkodër, shkruan se kishte arritur atje më 23 prill dhe kishte parë rreth 1500 persona, pa armë, në formacion marshimi dhe që ruheshin nga roje të armatosura jugosllave. Me atë rast, britaniku kishte pyetur një partizan jugosllav, se cilët ishin ata njerëz. Partizani jugosllav qe përgjigjur, se ata “ishin shqiptarë kosovarë, që kishin luftuar kundër shokëve të tij”, domethënë kundër partizanëve jugosllavë. Hoxhson shkruan, se po atë mbrëmje kishte marrë tri përgjigje të ndryshme nga autoritetet shqiptare. Nga Beqir Balluku, komisar i Korparmatës së Tretë: “Ata janë fshatarë malazezë, të cilët po kalonin përmes Shqipërisë për rekrutim në Ushtrinë Jugosllave”. Nga Riza Dani, kryetar i Këshillit Lokal”: Ata janë shqiptarë nga Kosova, të cilët shkonin si rekrutë në Ushtrinë Shqiptare”. Dhe nga Hasan Pulo, zv.kryetar i Këshillit Antifashist: “Ata janë ushtarë të vjetër në Ushtrinë Jugosllave rrugës për në Mal të Zi”. Britaniku gjeti më të saktë përgjigjen e ushtarit jugosllav, sipas të cilit ata ishin shqiptarë, të cilët kishin bashkëpunuar me nazistët dhe po udhëtonin për në Dalmaci. Për kryetarin e misionit britanik, ata nuk ishin ushtarë të saporekrutuar për në front, por robër.

Po bëhen 74 vjet qëkurse ndodhi masakra. Janë bërë shkrime, janë shkruar e shkruhen libra, por mendoj se kjo nuk është e plotë. Ngjarja tragjike e Tivarit kërkon më shumë, sepse meriton më shumë. Gjashtë vjet më parë, zoti Butka, kolegë të tjerë dhe unë u ndodhëm në një veprimtari përkujtimore në Tivar. Ndërtesën ku ka qenë monopoli i duhanit, ndërtesa ku u krye masakra, e gjetëm të mbyllur. Në muret e saj asnjë pllakë e thjeshtë, sa për kujtesë. I  lanë pa rini në këtë jetë, e pa varr në atë jetë. Një poet kosovar e ka thënë bukur:

Një tufë lule për ju,

Ku ta vendos s’e di,

Në Tivar të Vjetër,

A në Tivar të Ri.

Në atë takim kishte ardhur edhe Banush Pllana, për të cilin thanë se ishte njëqind vjeç, nga të mbijetuarit e paktë të tragjedisë. Ai tregoi se në turmën e të vrarëve e kishte gjetur një qen. Kafsha e kishte pikasur dhe nuk largohej që andej, duke i dhënë shenjë të zotit. E morën, i dhanë ujë e bukë dhe më pas i mbijetuari u end tre vjet nëpër fshatrat e Bosnjës, pa guxuar të kthehej në shtëpi. Një e dhënë tjetër. Të nesërmen e masakrës tregonin, se deti qe mbushur me kufoma, por deti kishte përpirë gjithçka, duke lënë si dëshmi plisa të bardhë pa fund, që pluskonin mbi ujëra.

Dy detaje që duken më shumë si letërsi. Por deri më sot as letërsi e as filma për këtë tragjedi njerëzore(!). Ne historianët gërmojmë nëpër dosje e në kujtesën e njerëzve, se këtë detyrë kemi. Po pse ende nuk po del dikush të gërmojë në shpirtin e këtij kombi për ta sjellë ashtu si e meriton këtë dhimbje njerëzore?!

Me që jemi te reflektimet, edhe një mesazh i dytë. Ngjarjet nga historia ne i kujtojmë për t’i evokuar ato, për t’i sjellë sa më afër vlerat që ato mbartin, për të jetuar me to. Por shumë prej tyre, neve na duhet t’i kujtojmë pikërisht për të kundërtën, për t’u ndarë me to. Masakra e Tivarit është njëra prej tyre. Këtë, nuk po e bëjmë mirë. Përmenda ndërtesën e monopolit të duhanit, ku nuk kishte as edhe një pllakë të thjeshtë e jo më të tjerat. Në kohën e sotme, jo vetëm ne, por edhe të tjerët, edhe serbët, edhe malazezët, janë duke u ndarë nga e kaluara komuniste. A nuk e vlen që kjo ngjarje,  të jetë njëri prej shembujve që ta demonstrojë këtë proces? Mendoj se po. Sigurisht edhe ne duhet të ndryshojmë diçka në vështrimin tonë, duke iu larguar njëanshmërisë që këtë masakër e sheh vetëm, ose më së shumti, si platformë spastrimi dhe asgjësimi etnik, dhe, nuk e sheh ashtu sikundër është, si terror politik dhe ushtarak për të instaluar pa pengesa regjimin. Fundja, a nuk ishte Tito ai që në maj 1945 urdhëroi asgjësimin e 50 mijë ustashëve kroatë dhe bashkë me ta edhe 30 mijë refugjatëve kroatë, kryesisht gra e fëmijë dhe që u ekzekutuan brenda pesë ditëve? E pra, vetë Tito ishte kroat.

Për fat të keq, ne nuk jemi përgatitur për këtë gjë. Kohë më parë, përsëri, miku ynë Butka u bë nxitje që Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani, të nderonte të ekzekutuarit në masakrën e Lushnjës, në tetor 1943. Dihen debatet që u hapën, dhe, si u mobilizuan zërat kundërshtues, të cilët edhe e pranojnë si krim ekzekutimin e bujqve të Lushnjës, edhe e kundërshtojnë nderimin e tyre, duke i quajtur ata bashkëpunëtorë me pushtuesin. Fjala nuk ishte për krerët, po për fshatarë të thjeshtë, mjaft prej tyre të gënjyer. Po e bëj këtë paralele, për të thënë, se megjithëse është bërë mjaft për ta sjellë historinë në një dritë më realiste, ende mbetet që krimet e komunizmit të kuptohen e dënohen si të tilla.

Libri i kolegut Butka u bë nxitje për këto pak refleksione, e pashmangshme kur ke të bësh me ngjarje të mëdha, dhe, që u përgjigjen libra të arrirë, si ky që përcjellim sot.

Ju faleminderit!

 

Leave a Comment