Nga: Uran Butka

Masakra e natës së 26-27 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit  shqiptar e të huaj.

Vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH, në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951.  Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.( Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E.Hoxhën : Jemi dakord me këto masa.)

Shfaqet lakuriq  një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. « Listat i kemi gati, tha ai. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte ». Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.

Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhën në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin  një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një genocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH.  « Duhen vrarë njerës të tjerë për të mbajtur pushtetin » -thotë  Mehmet Shehu.

Arrestimet që u kryen menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti të prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate. ( Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-reshtimet dhe procesverbalet e « gjykimit »)

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kyetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….( pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme  zgjodhën dhe kryqëzuan emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviç, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës.

Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq  përbri emrit: Ali Qoraliu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati.

Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje.

     Kryetari i Sektorit III të Sigurimit  mund të arrestonte dhe t’i propozonte prokurorisë e gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje! Sigurimi i shtetit ishte vendosur  mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhërat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.

Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2. 1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerrin Guraziu, Qemal Kasaruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia.

Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshképisé u shenjuan nga veté Enver Hoxha, qé i njihte dhe e njihnin personalisht dhe lante hesapet me ta.

Është për t’u theksuar se përzgjedhjet u bënë nga gjithë trevat shqiptare: intelektualë e qytetarë nga Prizreni, Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana e deri në Delvinë, Gjirokastër e  Korçë, në mënyrë që terrori  të godiste e të nënshtronte gjithë Shqipërinë.

Akuza e Prokurorit  ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre.

Është  një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjestarë të ndonjë  organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën  Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla etj,anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën në hetuesi  për tetë muaj dhe u dënuan për këtë shkak me vdekje dhe burgime të rënda.Pra ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.

Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë proces verbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk  e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve.”

Sipas aktakuzën e datës 25.02.1951 të prokurorit të Përgjithshëm, të gjithë të arrestuarit “janë dërguar për gjykim në gjykatën e lartë ushtarake “për faje kundër popullit e shtetit.” Siç rezulton nga aktet e dosjes hetimore, asnjërit të të pandehurve nuk u është komunikuar ndonjë akuzë; nuk është bërë ndonjë proces hetimor ndaj tyre, nuk ka një dosje hetimore, përveç një hetimi të pjesshëm të Gjon Temalit, nuk janë thirrur dëshmitarë,  nuk është bërë anjë gjykim, nuk është bërë apelim etj. Pra të  gjitha veprimet janë bërë të kundraligjshme dhe kjo është katërcipërisht e provuar.

Drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar  direkt në vendin e pushkatimit”

Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atëherë Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat e përpilimit  të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.02.1951:

Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951  dhe është shprehur për dënimin e të  gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar  në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky  vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.”  Në fund ka firmosur  kryetari Shuaip Panariti dhe dhe anëtari i gjykatës së Lartë Ushtarake Vangjel Kocani, nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo.

Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje  në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit , 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë  dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj  kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme, Shuaipi  më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar  dhe unë e kam firmosur. Kur ma  dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.

Edhe përpilimi i procesverbaleve edhe firmosja e tyre pas pushkatimit të 22 viktimave, ishte bërë me urdhër të udhëheqjes shtetërore dhe përbënte një sekret shtetëror. Vetëm më vonë u zbulua e vërteta. Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai bejo, dëshmon : « Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim. Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli, s’kishim si të bënim ndryshe. »

Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse,  hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën  27.2.51, kur të akuzuarit  nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.51 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli  ishte vrarë nga torturat  në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike, nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar. Atëherë mafia politike dhe juridike, mbështetur edhe në përvojën sovjetike të dhunës e terrorit shtetëror Stalinist, hartoi një dekret, që përligjte dhe justifikonte këtë praktikë kriminale dhe antiligjore. Ishte një dekret – i formuluar nga Ministria e Brendshme dhe i firmosur nga presidenti i Republikës, Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli.

Ky dekret i datës 26.shkurt 1951 u hartua  –për të justifikuar vrasjet e paligjshme –të 22 viktimave. I paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj – që siguronte e përligjte  arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive  nga ana e organeve të diktaturës , qé shmangte etapat e proçedurës penale e civile, përbënte një mohim të plotë të principeve të drejtësisë, një shkelje të përbinshme të të drejtave dhe lirive të njeriut, një përdhosje të kushtetutës e të ligjeve të asaj kohe si edhe kartën e OKB të firmosur nga qeveria shqiptare.

Mbi bazën e këtij dekreti, u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban  datën 27.02.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të proçesverbalit.

Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, deklaroi në atë kohë me mburrje: “Dekreti i Kuvendit Popullor i datës 26 shkurt 1951 është një armë shumë e fortë në duart e pushtetit tonë për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”

Pra ky dekret i zi, u përdor jo vetëm për masakrën e 26 shkurtit 1951, por edhe për justifikuar gjithë krimet e masakrat e paligjshme të pushtetit komunist në vitet e mëpastajmë “për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.

Viktimat e pafajshme, u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe  u hodhën  në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50 m, të lidhur me njëri tjetrin me tela me gjemba. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gëdhirë panë një skenë të llahtarshme : diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur.

Fakti që viktimat ishin të pafajshme, u vërtetua edhe ligjërisht  muaj më vonë, kur u dënuan ata që kishin hedhur dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike…

Pas 50 vjetësh u gjet varri dhe u zbulua e verteta e masakrës.

 

 

1 Comment

Leave a Comment