Uran Butka

Sot përkujtojme një nga masakrat më të përgjakshme dhe më të pabesa të shtetit komunist jugosllav kundrejt shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave shqiptare në bashkëpunim me shtetin komunist shqiptar, mars- prill 1945, si edhe përurojmë botimin e ri “Masakra e Tivarit” , frut i një pune hulumtuese 25 vjeçare. E kam nisur me nje studim mbi Masakren e Tivarit botuar te libri “Ringjallje”, 1995, mandej me një botim të viti 2011 dhe sot vjen i plotë me dokumente arkivore nga arkivat shqiptare, ato Jugosllave (institut i Historise se Beogradit dhe arkivi  KQ te PKJ), arkivat britanike si edhe arkivat e Kosoves .

Përveç dokumenteve arkivore, në këtë botim do të gjeni edhe me dhjetra  dëshmi autentike të përjetuesve të masakrës nga Kosova dhe trevat shqiptare ne Maqedoni e Mal të Zi.

Del pyetja: përse kam hulumtuar dhe angazhuar kaq gjatë për këtë ngjarje tragjike: sepse është një masakër me përmasa balkanike, sepse pati afër 4000 shqiptare te pafajshëm të vrarë e mjaft te zhdukur, sepse kjo masakër është fshehur dhe vazhdon te fshihet nga politika, për të mos nxjerrë përgjegjesitë dhe fajtorët. Kjo është njëra anë, ajo e historianit që kërkon të vërtetën. Ana tjetër, është ajo njerëzore, sepse ende nuk është bërë ndonjë përpjekje nga shtetet përkatëse për të identifikuar viktimat, për t’i vlerësuar ata, që kane mbetur pa emra dhe pa varre. Ky libër është edhe një homazh për ta, por edhe për familjet e tyre, që u lënduan dhe u persekutuan pa fund.  Në këtë libër familjarët do të gjejnë emrat e të rënëve, sepse janë botuar ketu listat e një pjese të tyre.

Po le t’i kthehemi historisë.

Platforma politike dhe ushtarake projektit të shtetit komunist juhgosllav, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944,: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.”Masakra e tivarit i permbushi plotësish këto synime antishqiptare.

Pikërisht në fillim të nëntorit 1944, komandave të  Ushtrisë NÇJ  iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë “ [1]

Ky genocid shpërfaqej hapur nëformën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e tëviseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, por edhe me ndihmesën e formacioneve ushtarake NÇ të Shqipërisë. Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve  të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944.  U ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç.

Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Kështu u dërguan në Kosove BrigIII dhe V nën komandër ë Shefqet Oeçit

Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:

“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”

Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”,  por  i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.

E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I : “ Tëasgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.”

Në muajin nëntor 1944, u  angazhuan në këtë luftë edhe   Divizioni V  dhe Divizioni që u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN  e Armatës V të Jugosllavisëpërfshiheshin edhe  divizionet e Shqipërisë:

“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhëtarëve që rezistojnë dhe  bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur.T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…

Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bëmasakra, bashkë me Ramiz Alinë, Gjin Markun, Rahman Perllakun etj Këta rekrutuan mijëra shqiptarë të Kosovës dhe ua dorëzuan si mish për top ushtrisë jugosllave, që i shpërguli nga Kosova dhe i asgjësoi në Srem, Tivar etj,.

Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI  dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të aratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë tëKosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz.V dheVI te ushtria jugosllave.

Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:

“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit  52 të Serbisë”.

Për shoqërimin  e tyre ishin caktuar disa batalione  të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-tëtë Serbisë, si edhe  një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga BrigadaX malazeze,

Të dhënat  burimore ushtarake jugosllave,  tregojnë se u mobilizuan  dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut, ishin 13.323 rekrutëshqiptarë.Qeveria shqiptare, së pari,  lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër teritorin e Shqipërisë, ku në bashkepunim me htetin shqiptar u vrane mese 1000 kosovarë.

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:

“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë.  Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur  në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”

Enver Hoxha qe kishte gjithe përgjegjësinë e ketij bashkepununimi kriminal, u përpoq që tia hidhte këtë faj Koce Xoxes, si kokë turku, por ministër i brendshem ne ate kohe ishte Haxhi Lleshi, që kishte berë marrëveshjen me Rankoviçin.

Ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.

Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës  së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:

“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.

Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugoslavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por  rastësisht shpëtoi nga vdekja, dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare:

“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”

Sipas të dhënave të  arkivave jugosllave,  në Kukës, Pukë, Fushë Arrëz, Vaun e Dejës,  lumin Drin, lumin Buna dhe në Shkodër,  gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Në mesditën e datës 31 marsit 1945 në qytetin e vogël tëTivarit, ku ishte ngritur  kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.

Masakrën ishte ngarkuar ta  kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.

Kasaphana  nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj  në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë dhe nga kolonat e tjera  me rekrutë shqiptarë të mobilizuar  kryesisht në viset shqiptare të Kosovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës  dhe Shkupit.

Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave  ballkanike,  numrit rezulton shuma prej 3.447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar  përveç të zhdukurve që s’u gjenden kurrë në tragjedinë e quajtur të Tivarit.

 

[1] Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1

Leave a Comment