Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo” përshëndet vendimin e Qeverisë Shqiptare për kthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, figurë madhore e kombit: rilindës, veprimtar Pavarësisë, burrë shteti, mendimtar i shquar, diplomat elitar, politikan, historian, analist, autor tekstesh dhe librash shkollorë, lëvrues e studiues gjuhës shqipe, poliglot, publicist, shkrimtar, eseist, përkthyes, kritik, sociolog, psikolog, pedagog, biograf, bibliograf, kronikan, apostull i shqiptarizmit, shërbestar i Shqipërisë. Një figurë madhore e kulturës dhe i kombit tonë, por edhe një personalitet me përmasa europiane. Kryetar Kongresit të Manastirit, që hartoi alfabetin e gjuhes shqipe, tërësisht latin, firmëtar i pavarësisë, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, kryetar Ii delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve, Kryetar i Ballit Kombëtar, kyetar i Komitetit Shqipëria e Lirë në New York etj.
Kthimi i eshtrave të Tij në atdhe është një akt madhor kombëtar, kulturor dhe njerëzor. Është edhe një vlerësim për Istitutin e Studimeve historike “Lumo Skendo”, që propozoi kthimin e eshtrave. Ky institut po punon intensivisht për botimin e plotë të veprës së Mid’hat Frashërit, që arrin në 13 vëllime luksoze. Deri tani janë botuar nga instituti dy vëllime: publicistika dhe veprat histotrike. Po punohet për vëllimin e tretë ku do të përfshihet krijimtaria letrare si edhe kujtimet e tij historike, që përbëjnë një vlerë të madhe për historinë e kombit dhe që do të përurohet në prag të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Me këtë rast po botojmë skicën “Kur të vdes” të Mid’hat Frashërit (Lumo Skendos), shkruar ne vitin 1915 ne Sofje dhe që përben një amanet të tij, që po realizohet sot:
KUR TË VDES
Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell’ i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut. Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe në mes të bregut të vogël virmëni një qiparis. E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit, që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor. Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t’oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime, që qan e rënkon. Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza, që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi. Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e në pikëllimet.
Lumo Skëndo
15 janar 1915
INSTITUTI I STUDIMEVE HISTORIKE “LUMO SKENDO”
Leave a Comment