Lec Kurti, një madhështi e trefishtë

I pari është tingulli, mandej fjala.
Lec Kurti u lind dhe u përkund në djepin e tingujve muzikorë të familjes Kurti.
I ati, Palok Kurti, krijues i Bandës së parë në Shkodër, njihet si kompozitor i mjaft këngëve qytetare shkodrane si “Për mue paska kenë kismet”, “Marshalla bukurisë sate”, “Qenke nur i bukurisë” etj. Nga i ati, Leci trashëgoi talentin dhe ndjeshmërinë muzikore. Leci i vogël jetonte në botën e tingujve, madje i kuptonte dhe i vlerësonte njerëzit me anën e tingujve, tonalitetit dhe ngjyrës së zërave.
Paloka ia njohu drejtimin dhe e nisi për në vendin e muzikës, në Itali. Në vitin 1909, Leci nisi Liceun e Pesaros, mandej Akademinë e Arteve për kompozicion në Venecia, të cilën e kreu në vitin 1916. Kjo është edhe koha e studimit dhe e krijimtarisë muzikore të Lec Kurtit. Të gjitha veprat e tij muzikore që njohim, mbajnë vulën e kësaj moshe të re dhe të kësaj kohe: 1909-1916.
Pas diplomimit, u kthye në Shkodër. Në shtëpinë muzikore “Kurti” do të kishte dhomën më të madhe dhe pianon më të mirë. Ishte i heshtur, punonte në qetësi të plotë dhe askush nuk guxonte kush t’ia prishte qetësinë e punës. Sigurisht që studionte dhe kompozonte, por kompozimet e kësaj periudhe nuk gjinden. “Në shtëpinë Kurti kishte pesë piano, që u shtetëzuan pas vitit 1944. më kujtohet fare mirë se, për t’i nxjerrë ato nga shtëpia, është dashur të prishej edhe çatia. Një nga pianot ia dhanë Radio Tiranës, tjetrën Radio Shkodrës dhe të tjerat në destinacione të kësaj natyre”- kujton aktorja e madhe Tinka Kurti.
Pushteti i komunist mori nga familja e famshme shkodrane të gjithë fonotekën, disqe të panumërta me operat e kompozitorëve më me zë të asaj kohe. Po ashtu, edhe një numër të madh partiturash të Lec Kurtit, që përbënin krijimtarinë e tij. Të gjitha këto u sekuestruan pa ndonjë vendim dhe u hodhën në shtëpinë e kulturës, ku u trajtuan pa asnjë kujdes. Një pjesë e tyre humbën. Është meritë e familjaes Kurti, që në kushte të frikshme, ruajti disa dorëshkrime me vlerë që hedhin dritë mbi historinë e muzikës moderne shqiptare dhe veçanërisht mbi krijimtarinë e Lec Kurtit.
Lec Kurti është shquar dhe ka lënë gjurmë të pashlyera në tri fusha: muzikë, diplomaci dhe politikë. Megjithëse në diplomaci dhe në politikë punoi e veproi për një kohë të gjatë, në fushën e muzikës është “Primo” dhe ka krijuar vepra të rëndësishme që mbeten, me vlera të padiskutueshme profesionale, që janë themeli i muzikës artistike shqiptare. Muzikologu i njohur, prof. dr. Sokol Shupo, studiues i veprës së Lec kurtit, thekson se është padyshim i pari kompozitor profesionist në historinë e muzikës shqiptare dhe vepra e tij është konkuruese.

Kompozitori

Krijimtaria e njohur muzikore e Lec Kurtit numëron gjithsej 24 vepra, tetë prej të cilave të papërfunduara. Ne krijimtarinë e tij përfshihen vepra të gjinive te ndryshme muzikore: opera, sonata, variacione, trio, romanca, , muzikë dhome, muzikë korale, muzikë sinfonike, kuartete dhe pjesë të vogla pianistike etj.
Në historinë e artit shqiptar, Lec Kurti duhet të zerë vendin e tij të merituar. Mjaft më me harresë. Ai është kompozitori i Operës së parë shqiptare, kompozitori i së parës sonatë për piano, së parës sonatë për violinë e piano, së parës temë me variacione për piano, së parës romancë shqiptare, të parit kuartet harqesh dhe së parës muzikë sinfonike në historinë e muzikës shqiptare.

Lec Kurti është babai i kompozicionit shqiptar.
Vepra e parë muzikore e Kurtit është “Romanca Dramatike” e vitit 1909, për të cilën studiuesi grek J. Leotsakos, shpreh dyshime nëse përfaqëson vërtet krijimin e parë te Lec Kurtit. Sipas Leotsakosit, nje vepër e parë nuk mund të ketë atë qartësi ndërtimi, sikurse e ka romanca në fjalë.
Lec Kurti ka kompozuar veprat: “Gavotte”, në si mazhor, 24 shkurt 1912; “Scherzo”, në mi mazhor, 17 dhjetor 1913, “Scherzo”, në la minor, 12 dhjetor ..; romancat “Romanza senza parole”, në mi mazhor, më 9 dhjetor 1913, “Preludio”, në la minor, 20 mars 1913; “Andante”, në la mazhor, “Presto”, në do minor; “Preludio”, në sol minor, 11 maj 1914. Veprat për kanto “Le fronde che vedresti rinverdire, romanza, parole di Ada Negri”, 5 dhjetor 1913 apo “N’amasti mai”, romanza që janë shkruar në Venezia më 2 mars 1914. Të tjera krijime të Kurtit janë edhe “Fuga me katër zëra”, “Marsh Ëied”, klavier, 30 dhjetor 1913, si dhe dy partitura për orkestër sinfonike, njera daton më 10 mars të vitit 1914 dhe tjetra më 2 prill 1914; “Sonata, për violinë dhe piano” në mi mazhor; “Adagio, për violinë dhe piano” në fa mazhor; “Allegro un po sostenutto, për violinë dhe piano” në la minor; “Non troppo lento, për violinë dhe piano”; “Sonata, për violinë dhe piano” në re mazhor. Po ashtu, “Sonata, për violinë dhe piano” në re minor, Venezia, që datojnë në 15 shtator të vitit 1915, “Romanza për violinë dhe piano”, shkruar më 3 shkurt të vitit 1914. Krijimtaria e Lec Kurtit vijon me të tjera vepra për ansamble dhome: ”Trio për violinë, violonçel dhe piano”, që mban datën 6 mars të vitit 1914; “Quartetto”, në sol minor për harqe, shkruar më 24 prill të vitit 1914; “Tema con variazioni”, në la minor; “Allegro molto moderato”, në do minor, 27 janar 1914, “Preludio”, në Re Mazhor, për piano, 20 mars 1914; “Preludio”, 29 janar 1914; “Berceuse”, në la Mazhor, 12 janar 1914; “Minuetto”, në la mazhor, 6 dhjetor 1914, “Preludio”, në sol minor, 20 dhjetor 1914; “Sonata”, në do minor, 19 mars 1914.
Por vepra kryesore është Opera “Arbëreshtja”, Venecia, maj 1915, nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj. Edhe nga sa ka mbetur, vlerësohet jo vetëm si opera e parë shqiptare ( deri më sot besohej se opera e parë ishte “Mrika” e Preng Jakovës, viti 1959), por edhe si një vepër tepër profesioniste me temë shqiptare.
Leci mund te konsiderohet, pa frikë si kompozitor klasiko-romantik. Eshte klasik ne pikpamje të formës, ndersa deri-diku romantik, për shkak të gjuhës harmonike të përdorur dhe shmangies nga rregullsia e principeve formale klasike. Dy vitet e fundit të krijimtarise se tij, 1915-1916, shenojne dhe vitet e pjekurise se tij kompozicionale. Nga partiturat e vitit 1915 vjen per here te pare ne krijimtarine e tij forma e sonates (Sonata per piano ne Do-), e cila të krijon përshtypjen e ndikimit bethovenian. Padyshim që në krijimtarinë e Lec Kurtit kjo vepër shënon dhe pjekurinë e tij krijuese për ta përfunduar në vitin 1916 me “Luisa di Charpentier, quadro II”. Kjo e fundit dëshmon tendencën drejt romantizmit, si edhe njohjen e mirë me krijimtarine e Vagnerit.
Një nga kompozimet e bukura dhe impresioniste të Kurtit është “Hymni Kombëtar”, me tekst të Gjergj Fishtës:
Bini toskë e bini gegë
Si dy rrfe’ qi shkojn’ tue djegë…
Ky hymn patriotik, që i ka qëndruar kohës, ndoshta është krijuar qysh në vitin 1912, por është regjistruar në vitin 1922. Po ashtu, marrshi kushtuar Princ Vidit është kompozuar në fund të vitit 1913, kur V. Vidi ishte caktuar nga Fuqitë e Mëdha si princ i Shqipërisë, ndonëse nuk kishte mbërritur ende në Durrës. Leci edhe me muzikë u paraprinte ngjarjeve. Lec kurti ishte artist i lindur. Brenda tij ishte edhe kompozitori, edhe instrumentisti (ai luante në disa vegla muzikore), edhe poeti, edhe përkthyesi. Ai ka shkruar poemat “Kërshëndellat’, “Mbrashtbulli”, “Sikur të mujsha”, “Lula Marnesha” dhe ka përkthyer në shqip autorë të mëdhenj të letërsisë botërore: Pirandelo, Poe, Gorki, Pushkin, Gauthier, Merime, Korolenko etj. Vepra e Lec Kurtit mbeti e panjohur. Ajo u ndalua, sepse autori më vonë u bë diplomat perëndimor dhe politikan kundërkomunist.

Diplomati

Lec Kurti është diplomati me karierë më të gjatë diplomatike, prej vitit 1918 deri në vitin 1939.
Përse u nda nga jeta muzikore një personalitet shumë i talentuar dhe u përfshi në diplomaci e politikë?
Mendoj se ishte një sakrificë e madhe në dobi të atdheut e të çështjes sonë kombëtare. Shqipëria ishte në gjendje kritike si komb dhe si shtet. Lufta e Parë Botërore e shkeli dhe e shkatërroi. Ajo u bë shësh lufte i Fuqive të Mëdha ndërluftuese, por edhe e orekseve gllabëruese të vendeve fqinjë. Mjaft ngjarje të hidhura ndodhën edhe për faj të vetë shqiptarëve si largimi i Princ Vidit, lëvizja esatiste dhe rebelimi haxhiqamilist. Në mbërim të luftës, Shqipëria rrezikohej të coptohej sërish. Në këto rrethana ekzistencialiste, atdhetarët dhe politikanët e shquar të Shqipërisë u mobilizuan në një përpjekje madhore për të bërë të njohur çështjen shqiptare dhe për ta mbrojtur atë me çdo mjet. Një nga këta ishte edhe artisti Lec Kurti. Ai e ndjeu përgjegjësinë e kohës dhe të vetvetes dhe zgjodhi diplomacinë si një armë të fuqishme për të propaganduar dhe mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar në botë. Në këtë vendimmarrje ndikoi edhe koha e intenimit të tij, bashkë me të atin, në Korfuz, në vitin 1917. Njohës i mirë i kulturës dhe i gjuhëve europiane, ai u angazhua në artin e diplomacisë për gati 21 vjet me radhë.
Fillimisht si zv.konsull në Bari në vitin 1918, mandej në Romë si ingarkuar me punë i Shqipërisë në Itali. Atje ndihmoi emigracionin shqiptar të zhvendosur për shkak të luftës. Ruhet në arkivat e Ministrisë së Jashtme një rekomandim i Fan Nolit i vitit 1922 për vlerat e Lec Kurtit si diplomat i mençur, i përkushtuar dhe i ndershëm
Ai zëvendëson Mid’hat Frashërin në vitin 1926 si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku vijon me sukses punën për afrimin e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve fqinjë.
Kulmi i veprimtarisë diplomatike të Lec Kurtit është përfaqësimi prej tij i Shqipërisë në Lidhjene Kombeve 1930-1935. Një përfaqësim dinjitoz që e rriti prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Lec Kurti ishte inteligjent, poliglot, shumë i kulturuar, njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe i të drejtës ndërkombëtare”- thotë diplomati tjetër i shquar, Fuat Asllani.
E mbylli karierën diplomatike si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Vlen të përmendet protesta e tij në Radio Londra kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Zëri i Lec Kurtit ishte zëri i parë dhe i vetëm në Evropën mjerane të asaj kohe, kur zërat e tjerë të politikës “së madhe” evropiane heshtën dhe e pranuan pushtimin.
Gjithashtu, Lec Kurti bashkë me Miss Durhamin, mbrojtësen e madhe të Shqipërisë, dhe miq të tjerë të Shqipërisë në Londër, protestuan përpara Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe kundër agresionit ushtarak fashist ndaj Shqipërisë si edhe kundër heshtjes së qeverive perëndimore për pushtimin e një vendi anëtar i Lidhjes së Kombeve.
Në këto çaste dramatike, Lec Kurtit i erdhi një ftesë nga “Vatra”, që e grishte në SHBA si kryetar i shoqërisë panshqiptare “Vatra”. Por lec Kurti nuk pranoi. Ai mendoi se në kushtet e robërisë të Shqipërisë, atij i takonte të gjindej dhe të luftonte atje për lirinë dhe pavarësinë e popullit e të vendit të tij.

Politikani

7 prilli 1939 është dita kur Lec Kurti hyri në politikë.
U kthye në atdhe dhe u lidh me figurat nacionaliste si Mid’hat Frashëri, Jup Kazazi, Zef Pali, Ymer Lutfia, Mustafë Dervishi e personalitete të tjera kombëtare.
Në atë kohë, në Shqipëri kishte nisur reziztenca antifashiste. Më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit, ishin hedhur në Tiranë themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe ishte shpërndarë programi prej tetë pikash: “Nacionalizma shqiptare (Balli Kombëtar), Shqipëri 1939”. Natyrisht, Leci nuk ishte ndër themeluesit, sepse atëbotë ndodhej në Londër. Por, me të ardhur në Shqipëri, ai u bashkua me liderët e Ballit Kombëtar dhe mori pjesë aktive në organizimin e Ballit Kombëtar në Shkodër. U zgjodh kryetar i kësaj organizate për prefekturën e Shkodrës dhe e drejtoi atë deri në fund.
Përse Lec Kurti bëri këtë zgjedhje?
Së pari, sepse tek programi i “Ballit Kombëtar” i shprehur tek “Nacionalizma shqiptare” (1939) dhe më vonë, tek “Dekalogu” (1942), Lec Kurti gjeti një alternativë patriotike dhe thellësisht demokratike, që përkonte me idetë dhe formimin e tij: “Luftojmë për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër pushtonjësve, për realizimin e idealit kombëtar: Shqipëria e shqiptarëve”
Ndërkohë, ai kishte një miqësi e bashkëpunim të ngushtë me Mid’hat Frashërin, në mënyrë të veçantë kur ishin të dy diplomatë dhe punonin intensivisht për çështjen shqiptare. Në gazetën “Flamuri” është botuar një fotografi e këtyre viteve me diçiturën kuptimplote “Dy miq”.
Natyrisht, një personalitet i kulturës dhe i diplomacisë, i edukuar në një familje nacionaliste dhe i shkolluar e formuar në Perëndim, ku studioi, jetoi e punoi thuajse për 30 vjet nga viti 1909 e deri në vitin 1939, nuk mund të lidhej me lëvizjen komuniste, që binte ndesh me formimin nacionalist dhe idetë e tij demokratike.
Ai ishte i ndërgjegjshëm për udhën që mori. Në ditarin e tij, që ruhet në familjen Kurti në Shkodër, shkruan për veprimtarinë e vet politike: “Në çështje nderi, nuk njoh autoritet tjetër veç ndërgjegjes sime”
Në muajt gusht-shtator 1939 Balli kombëtar u organizua, duke krijuar edhe degët e tij nëpër prefektura. Më 31 gusht 1939 u themelua dega e Ballit Kombëtar për qarkun e Shkodrës, me kryetar Lec Kurtin. E shkruan vetë Lec Kurti tek revista “Rrobni, o vdekje”: “Asht dita e 31 gushtit 1939, që i përgjigjet themelimit të Organizatës “Balli Kombëtar” në Shkodër”
Si kryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën, Lec Kurti, u kthye në një misionar të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë kundër okupatorëve nazifashistë. Nga veprimtaritë kryesore të Ballit Kombëtar në Shkodër ishin demonstrata e 26 korrikut 1943 kundër italianëve, ku u vra nga fashistët kryetari i Rinisë së Ballit Kombëtar për Shkodrën, prof. Mustafë Dervishi, miku e bashkëpuntori i ngushtë i Lec Kurtit, lufta e përbashkët e ballistëve dhe e partizanëve kundër italianëve në Reç më 30 gusht 1943 e të tjera. Balli Kombëtar themeloi e botoi edhe revistën “Rrobni, o liri” në Shkodër ku shpalosi idetë dhe veprimet atdhetare e demokratike dhe sidomos platformën për bashkim e luftë të përbashkët kundër pushtuesve. Le të përmendim shkrimin “Bashkim” të Lec Kurtit në revistën”Rrobni, o liri” datë 2.03.1944, ku ai bënte thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim ideje, në luftën për liri.
Një nga çështjet kryesore të Ballit Kombëtar ishte ajo e Shqipërisë etnike, zhvilluar në mënyrë të plotë e të institucionalizuar në Kuvendin Kombëtar të Mukjes, 2-3 gusht të vitit 1943. Ishte fjala për bashkimin në një shtet të vetëm të trojeve shqiptare, ku shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët, pra, një zgjidhje mbi kriterin etnik dhe mbi parimin universal të vetvendosjes së kombeve, garantuar edhe nga Karta e Atlantikut.
Lec Kurti ishte ithtar i këtij parimi dhe luftëtar i vendosur i çështjes së drejtë të Kosovës martire dhe i Çamërisë së shkombtarizuar e shpronësuar me dhunë, çështje që i kishte mbrojtur me argumenta të pakundërshtueshëm edhe në Lidhjen e Kombeve.
Janë lapidare fjalët e Lec Kutit : “Ne luftojmë për Shqipërinë, as për Shqipëri të Madhe as për Shqipërinë të vogël, por për Shqipëri etnike, që nuk pranon suazë as nga Lindja e as nga Perëndimi, se suaza e kombit formohet vetëm nga kufijtë e kombit ”
Kur komunizmi nisi kryqëzatën ushtarake kundër Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe Krerëve të Veriut, ai ngiti zërin kundër luftës së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ai mori pjesë në “Lidhjen Shkodrane”, marrëveshje ndërmjet Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe Bllokut Indipendent në nëntor 1944 në Shkodër, firmosur nga Lec Kurti e Jup Kazazi për Ballin Kombëtar, Ndoc Çoba dhe Shefqet Muka për Legalitetin dhe Mark Gjonmarku e Hafëz Ali Kraja për Indipendentët, përkundër mësymjes komuniste sllavo-shqiptare
Rezistenca e fundit antikomuniste u bë në Shkodër.
Për t’i shpëtuar hakmarrjes komuniste, por edhe për ta vazhduar rezistencën e përpjekjen në Perëndim, një pjesë e liderve të Ballit Kombëtar u larguan nga Shqipëria. Bashkë me ta edhe Lec Kurti.
Ishte ditë e paharuar ajo e 22 nëntorit 1944. Ora 16.00. Rreth 150 nacionalistë hipën në anije në brigjet e Tivarit. Në heshtje të thellë. Dëgjoheshin veç llapashitjet e dallgëve. Para nisjes, Mid’hat Frashëri u ngrit më këmbë, mandej gjithë të tjerët. Ishte çasti kur do ta linin Shqipërinë, ndoshta përgjithmonë. “Bota duhet ta dijë se ne bëmë detyrën karshi atdheut dhe qytetërimit. Nuk përpiqemi të shpëtojmë lëkurën, se ajo s’vlen as për një daulle. Largohemi prej atdheut për të përsëritur përpjekjen tonë në vende të tjerë dhe përgatisim udhën e shpëtimit të Shqipërisë”- tha Mid’hati.
Udhëtuan drejt Brindisit, mandej me kamiona ushtrie për në Grummo, një kamp përqëndrimi me çadra për refugjatë politikë, rrethuar me tela me gjemba dhe roje britanike.
Ekziston një foto e kampit të Grummos, ku Mid’hat Frashëri, Lec Kurti, me flokë të krejtësisht të bardhë dhe Vasil Andoni kanë dalë pas telave me gjemba. Pikërisht këtu, më 28 nëntor 1944, domethënë gjashtë ditë pas largimit nga mëmëdheu, emigrantët politikë shqiptarë kremtuan Ditën e Flamurit. Mid’hati u tha që të ktheheshin me fytyrë nga Lindja, nga Shqipëria. Të gjithë u kthyen andej… Kënduan në kor Hymnin e Flamurit. Mandej foli Mid’hat Frashëri. Ishte e para herë, ndoshta e papërsëritshme në historinë e ligjërimit botëror, që dëgjuesit dëgjonin me shpinë të kthyer nga folësi, por me fytyrë kthyer nga mëmëdheu i tyre! Lec Kurti, derdhte lotë mallëngjimi…
Pas tri javësh, emigrantët shqiptarë u vendosën në kampin e Santa Farës, në gazermat e ushtrisë italiane të Karbonarës. Aty erdhi një përfaqësi e Misionit Aleat, ku bënte pjesë edhe Alfred Andoni nga Elbasani dhe Asim Jakova nga Shkodra. Misioni u takua me Mid’hat Frashërin, Lec Kurtin dhe Vasil Andonin. Lec Kurti bisedoi me kolonelin Hill që kishte qenë në Shqipëri dhe me të cilin ishte miqësuar në Angli dhe i dha atij një mesazh për qeverinë italiane dhe britanike për refuzimin e dorëzimit të tyre tek guberna e Enver Hoxhës, që i kërkonte me insistim si kriminelë lufte.
Në kampin e Reggio Emilias, dita niste me korin e mëngjezit, që e drejtonin Lec Kurti dhe Dom Zef Shestani, nganjëherë dhe Zef Pali apo Veniamin Deljana. Kori fillonte me këngën “Lutje Zotit” dhe vazhdonte me këngë patriotike kushtuar Flamurit dhe dëshmorëve të kombit: Hysni Lepenica, Safet Butka, Mustafë Dervishi, Dom Ndre Zadeja, Besnik Çano, Hamit Troplini, i cili ra duke luftuar në Kosovë e të tjerë. Tekstet e këtyre këngëve janë përmbledhur nga Mid’hat Frashëri tek libërthi “Mallëngjimi”. Mendoj se disa prej këtyre këngëve t’i ketë vënë në muzikë Lec Kurti, por edhe Dom Zef Shestani, Luan Gashi etj. Gjithashtu në konferencat kulturore që mbaheshin çdo javë në emigracion në Ditët e Kulturës, ku Lec Kurti mbante bisedat për muzikën, siç kujton Seit Demneri.
Në memorandumin paraqitur Konferencës së Paqes në Paris, më 23 korrik 1946, Mid’hat Frashëri, Lec Kurti e Vasil Andoni shpjegonin tragjedinë që i solli Shqipërisë propaganda komuniste e ardhur nga jashtë, regjimi totalitar i Enver Hoxhës, lufta vëllavrasëse e nxitur dhe e drejtuar nga PKSH-ja e cila u vu në shërbim të jugosllavëve.
“Po të mos ishte propaganda e ardhur nga jashtë, shteti ynë i vogël pranë Adriatikut, do të ishte vendi më pak fatkeq dhe, njëkohësisht, më i lumturi i Ballkanit. Fatkeqësisht, propaganda në vendin tone u ashpërsua, ajo iu bind një logaritjeje të gabuar. Vërejtjet e bëra nga Balli Kombëtar, që parashikonte qysh në fillim se kujt do t’i shërbente lufta ideologjike dhe aspak patriote, nuk paten fatin të merreshin në konsideratë nga ata që ishin ngarkuar të bashkërendonin rezistencën aktive. Kështu që furnizimet e Aleatëve iu dhanë Partisë Komuniste Shqiptare, që u vu në shërbim të Jugosllavëve. Dhe me porosi të tyre udhëhoqi luftën vëllavrasëse në Shqipëri, e cila nuk u shërbente interesave të vendit dhe Fuqive të Mëdha”- shkruhej në këtë memorandum. “Situata sa tragjike aq e hidhur e Shqipërisë së sunduar nga një regjim i paligjshëm sa totalitar aq edhe despotik do të ndryshonte me angazhimin e me përpjekjen e të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë, jo me mjete dhune, armë e gjak, por me vullnet fisnik dhe mjete demokratike, me mbështetjen e vendeve perëndimore demokratike.”
Me këtë ëndërr mbylli sytë përgjithnjë në Romë, në shtëpinë e motrës, në dhjetor të vitit 1948. Në varrimin e tij morrën pjesë gjithë emigrantët shqiptarë. E përcollën për në banesën e fundit me “Hymnin e Flamurit” të kompozuar nga vetë i ndjeri në fillimet e shtetit të pavarur shqiptar. E nisi dhe e mbylli jetën me tingujt e muzikës së tij të pavdekshme.

 

Uran Butka

Leave a Comment