Kam nderin të flas me ju, Zonja dhe më vjen shumë keq, që do të qahem. Mos u trembni: vërejtjet do t’i bëj me respektin më të madh dhe do t’ju kërkoj ndjesë qysh tani, në ju thënça gjësend, që të mos ju pëlqejë. Besomëni se zemra ime, në këtë orë, do të donte që të kisha për ju vetëm falënderime dhe lëvdata. Pse ndodhem i shtrënguar që t’i përziej me kritika dhe vërejtje në bisedimin tim?
Gjer më tani më kini parë se kam disa shkaqe, që të qahem prej burrave. Por është e kuptueshme se një pjesë e mirë e këtyre ankimeve do të bjerë edhe mbi ju, mëmat, motrat, gratë e bijat e burrave. Ju merrni një përgjegjësi të madhe për fajet dhe të metat e botës dhe kjo është gjëja më e natyrshme , sepse ju jini misi më i rëndësishëm i kësaj shoqërie, kurse do të ishte dashur që ju të ishit të zonjat të ndalonit një pjesë të këtyre lajthimeve. Ju kallëzoj, pra, Zonja dhe ju kërkoj ndjesë edhe një herë akoma, që ju kallëzoj si fajtore apo si shokë të fajtorëve. Nuk ju kritikoj pse feminizma s’ka përparuar ndër ne. Nuk ju qortoj pse nuk dini të kërceni në dancing ose që nuk kini fituar të drejtat politike. Jo, përkundrazi, dëshiroj, që këto shenja të përjashtme dhe të rrema të qytetarisë, të vijnë sa më vonë këtu te vendi ynë. Nuk ju kritikoj pse nuk ndiqni modën, pse mbani veshjet e vjetra dhe pse motrat tuaja të varfra rrinë këmbëzbathur në baltë e të pështjella si gogol me “xhybe”. Jo, është e lirë që ta mbajnë këtë veshje qesharake, aq më tepër akoma tek thonë se ferexheja ka një veprim “moralizues”, e bën burrin që të druhet nga gruaja , ta shohë atë veçse në formën më pak të bukur dhe aspak tërheqëse. Ajo, për të cilën ju akuzoj, është pjesëmarrja e pakët në shoqëri, interesi i dobët që rrëfeni për rrojtjen dhe fatin e kësaj shoqërie, ku rrini si të huaja! Pa dyshim, vendi dhe detyrat tuaja janë fort të rënda brenda në shtëpi dhe përpjekjet, që bëni për ta bërë të më të mirë e më të këndshme jetën e brendshme, meritojnë mirënjohje. Mjerisht, jashtë pragut të shtëpisë s’dilni dot, sikur nuk jetoni në këtë botë; harroni se detyra nuk përmbushet dot, duke u shmangur gjysma e punës. Të drejtat e gruas i ka rrëmbyer burri; por është faji i të dy palëve. Në qoftë se burri e gjykon gruan si një krijesë më të ulët dhe jo të denjë, sa të shikohet par, shoqe dhe baras, në qoftë se i vjen turp t’i zërë ngoje emrin asaj, ahere s’do harruar edhe gruaja, që nënshtrohet, që i jep edukatën së bijës, kur është e vogël, duke e quajtur veten “femër”, duke e vënë veten në shkallë poshtërore dhe duke u dorëhequr nga fuqia e saj. Në shumë vende barbare zakoni dhe ligji i japin të drejtë burrit,që të sillet në mënyrë brutale me gruan, ta ndajë nga martesa ose të marrë më tepër se një grua, duke e ulur gruan në shkallën e një plaçke apo për ta blerë gruan në Pazar! Nuk e di nëse është më pak barbare rregulla që ndiqet prej malësorëve tanë, që e vlojnë çupën qysh në djep, e martojnë pa dashjen e saj, duke e shikuar si një plaçkë këmbimi a si një mjet miqësimi. Burri kurdoherë ka pasur nevojë të gjejë një skllav, për të punuar në vend të tij; ka bërë luftëra dhe ka zënë robër, që i ka përdorur si kafshë pune; ka marrë gruan, nënën dhe motrën dhe i ka përdorur si skllevër në shtëpi, meqenëse e varfra “femër” i ka më të dobët grushtet dhe më të vegjël dhëmbët.
Në ca libra “të shenjtë” arabisht, gruaja quhet “mallyn mut’atyn”, dmth një plaçkë, që shitet dhe blihet. Egoizma brutale e burrit, ëmbëlsia e butë e gruas dhe, mbase, fatalizma e saj, e kanë pranuar këtë situatë çnjerëzore pa asnjë kundërshtim. Për të çrrënjosur skllavërinë janë bërë shumë luftëra në çdo komb, në shekujt e kohës së vjetër dhe të mesme; m’e fundit qe ajo në mes të Jugut e të Veriut në Shtetet e Bashkuara, një luftë e gjakshme dhe vëllavrasëse. Pastaj, mezi u pranua që zezakët të mos jenë më skllevër. Thonë se egoizma e shtyn burrin të mbajë gruan në gjysmë robërie. Padyshim, shqiptari nuk është i vetmi në këtë hall të keq dhe të turpshëm. Në qoftë se malësorët tanë e duan gruan që ta ngarkojnë me dru dhe vetë të luajnë kartëra ose të tunden me xhamadan të artë dhe të gjuajnë në shenjë, mos harrojmë se edhe në kombe të tjerë, mbase jo larg nesh, pozita e gruas nuk është më e mirë. Mjerisht, ajo që më bën të mendohem, është se te ne, edhe pozita e zonjës së klasave të larta, nuk është m’e mirë se ajo e popullit. Shtytka e burrit është egoizma. Po ajo egoizmë njerëzore, duhet të bëjë që gruaja shqiptare të dalë nga gjendja e sotme e të zërë vendin, që duhet të meritojë. Më vjen keq ta them, prapë, po përgjegjësia m’e madhe i bie shqiptarkës: në qoftë se vendi ka mbetur kështu në varfëri dhe populli po vuan në moskamje, sëmundje e padrejtësi, në qoftë se foshnjat tona po i korr mortja, ç’bën gruaja jonë për këtë Shqipëri, ç’kujdes bën për të shëruar plagët morale dhe fizike të saj? Kur është çështja për lumturinë dhe interesin e përbashkët, a duhet që gruaja jonë të rrijë indiferente, si një e huaj e në shtëpi të huaj? A nuk duhet që, për të mirën e përgjithshme, të bëhet një sforcim i përbashkët, një bashkëpunim dhe harmonizim, duke mbledhur tok fuqitë? Apo duhet që të dy palët të shikohen si armiq dhe pjesa m’e rëndësishme e njerëzisë, gruaja, të rrijë e mënjanuar, duke parë mjerimin dhe plagën? Burri, në verbërinë tij mashkullore, i kërrusur nën barrën e kalbëzuar të fanatizmës dhe paragjykimit, që e shtyjnë ta shikojë si një faj, si një turp bashkëpunimin me gruan, aq sa edhe të mos e zërë ngoje emrin e saj, burri, them, bën vetëvrasje, kur nuk i pëlqen të shkundet prej pluhurit dhe të shpëtojë nga çimkat e zakoneve të mykura. Ahere, a duhet që gruaja të rrijë indiferente përpara rrezikut, të mos bëjë asnjë çap, asnjë gjest dhe të vejë drejt një vdekjeje të tillë? E dashur këndonjëse! E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortoj, po të akuzoj se nuk po bën ndonjë shërbim dhe jo pse ke ndonjë faj. Jam i sigurt se edhe ti e kupton mirë se ky popull i varfër kurrë nuk ka për të përparuar, në qoftë se ti nuk përmbush plotësisht rolin në shërim të plagëve, që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit dhe nuk merr pjesë aktive në edukatën e fëmijës e të shoqërisë. Detyra jote duhet të jetë, që të shpëtosh nga ky pasivitet, të bëhesh aktive dhe më tepër e interesuar. Themi që burri duhet të punojë, të marrë edukatë dhe arsim. Po harrojmë gruan: sa kohë u vjerrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm grave të Shqipërisë! Themi që duhet të punojmë me një kujdes të madh për qytetërimin dhe begatinë e këtij vendi, për shëndetin dhe mirëshkuarjen e këtij populli dhe harrojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gjysmën, që mund ta quaj m’ e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi ose nga egoizma jonë brutale, ose nga padija jonë qesharake, ose nga që i pëlqen edhe gruas vetë të jetë e mënjanuar dhe të mbetet si foshnjë. A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpisë dhe squka e fëmijës të mbetet në shkallën e ulët? A presim ne një zgjim të vërtetë, kur çupat tona, zonjat e nesërme, të rriten vetëm si kukulla? Apo pandehim se një çupë, një grua, e kanë mbushur gjithë detyrën, kur dinë të tërhollin një lakror dhe të bëjnë qofte? Themi se duhen nxjerrë nga errësira, duhen shkulur nga balta. Po si mund të hyjnë në hapësirat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen t’i mbajmë në tym dhe në pluhur të shekujve të vdekur? Duam të shpëtojmë popullin dhe vendin tonë prej lëngatave, por harrojmë që rolin më të madh do ta luajë gruaja. Duhet të kuptojmë bukurmirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj shoqërie, nuk bëhet e mundur, po qe që gruaja dhe çupa nuk arrijnë në një shkallë inteligjence dhe kulture, që të bëhet me të vërtet zonjë shtëpie dhe mbrojtëse e të drejtave të saj.
Mendohemi se qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike , që sjell padija dhe përtimi; po s’duam të gjykojmë se shpëtimi nuk mund të vijë veçse nga puna dhe puna nuk mund të jetë e dukshme, nëse gruaja nuk merr pjesë në të. Gruaja shqiptare gëzon një respekt dhe një nderim , që s’e gjen lehtë në vendet e tjerë. Liria e saj është e plotë në viset e vendit tonë, ku nuk ka hyrë pseudoqytetërimi i Azisë. Gruaja shqiptare është inteligjente dhe nuk i mungojnë cilësitë morale të larta. Është e vërtetë se të drejtat e saj janë mohuar. Po do kujtuar se të drejtat fitohen prej atyre, që janë të denjë t’i marrin, prej atyre që dinë t’i përdorin dhe, mbi çdo konditë, ajo e të merituarit. Duhet, pra, që gruaja shqiptare të përpiqet dhe të rrëfehet e denjë për të drejtat e saj njerëzore. Lipset që të bëjë sforcime për t’u lartësuar intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohur vendin e vërtetë, që i ka hije të zërë. Atëherë do të bindet gruaja shqiptare se në ringjalljen e këtij vendi, duhet të marrë pjesë, të bashkëpunojë, duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj në shërbim të mëmëdheut për lumturinë e përbashkët, që kështu të këtë siguruar edhe rrojtjen fatmirë të saj. Ca më mirë nga burrat, gratë duhet të dinë se jeta dhe lumturia e tyre është e varur nga jeta dhe lumturia e Shqipërisë, se pa shëndoshur të gjitha palët dhe shkallët e kësaj popullsie, vetë ato s’mund të quhen jashtë rrezikut.
Leave a Comment