Dua më parë të uroj mësuesit e prefekturës së Durrësit dhe veçan ata të Tiranës, për krijimin e Lidhjes së tyre. Lidhje që do t’ju premtojë të mbushni më mirë dhe me efekt më të madh detyrën. Ju falem nderit, juve zoti Kryetar dhe juve të dashur miq dhe shokë, për këtë nder që më bëtë, duke më ftuar sot. Pritmi ynë varet nga puna e mësuesve, varet nga arsimi dhe edukata e djelmërisë. Në këtë edukatë të shpirtit, të mendjes dhe të zemrës dua që një pikë të inspirohet mirë në frymë të nxënësve. Dua të them: ndjenja e përgjegjësisë. Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për punët dhe sjelljet e tij, të ngrejë gjithë barrën e akteve, pa vënë re ç’bën fqinji dhe shoku i tij, pa humbur kohën të shikojë dhe të kritikojë t’afërmin. Le të kuptojë secili prej nesh dhe të kemi si themel të edukatës përgjegjësinë personale.
Është i vetmi mjet që të arrijmë ne vetë në përmirësim dhe përparim moral, e vetmja fushë që t’i bëjmë të rinjtë e Shqipërisë sonë të bëhen të dobishëm e të vlefshëm. Tetë vjet më parë, kur fati i zi më shtrëngoi të largohem nga ky dhé i dashur, Shqipërinë e lashë jo vetëm të shkelur prej fuqive të huaja, po edhe të shikuar prej shqiptarëve vetë si një krijesë e të huajve, si një foshnjë, për të cilën s’kishte zemër nëne, që të qajë dhe të mëshirojë. Përpara një ideje të tillë, sa herë përndërtohej ndërgjegjja patriotike! Vdekja, pa dyshim, do të dukej më e mirë se sa një vetëvrasje e ngadalshme.
Sot, Shqipërinë e kemi tonën, të krijuar me përpjekjen tonë, të bërë me thonj e me dhëmbët tonë dhe më tepër akoma, me dëshirën dhe vullnetin tonë. E kemi sot vendin tonë të dashur, jo si një dhuratë të pamëshirshme të Evropës, po të bërë dhe të krijuar prej nesh, kundër dashjes dhe dëshirës s’Evropës. Lirinë dhe vetëqeverimin tonë e kemi marrë me pahir, rrëmbyer me fuqi. Ajo Evropë, që pretendonte se po luftonte për të drejtat e popujve dhe për të mbrojtur drejtësinë dhe qytetërimin, ajo Evropë, që gjer më dy vjet më parë na shikonte si të dënuar me vdekje, si të gatuar për të qenë gjahu dhe plaçka e të tjerëve, zuri të na respektojë dhe të na dojë, vetëm kur pa se jemi të zotët të mbrojmë ne vetë jetën tonë. I dhamë këto prova, kur kuptuam se Shqipërinë jemi të zotë ta bëjmë vetë. Tani mund të jemi të sigurt se kemi një simpati të madhe në botë të qytetëruar, një simpati të vërtetë. Mbi këtë, një barrë e rëndë na bije mbi ndërgjegje: këtë truall që e krijuam, duhet që ta ruajmë, ta zbukurojmë. Është një detyrë ati dhe mëme kundrejt birit të tij. Është dhe një detyrë biri drejt mëmës së tij. Kemi detyrë jo vetëm të matim dhe të vëzhgojmë Shqipërinë tonë, po dhe ta mbrojmë prej rreziqeve, që e rrethojnë, ta bëjmë të përparuar e të ndriçuar. Dhe nuk mund të punojmë për kombin dhe vendin tonë, po që nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë, një dhembshuri për çdo njeri të kombit tonë. Duhet të zgjojmë kultin e patriotizmës, adhurimin e Shqipërisë. Bota e sotme s’na jep ndonjë shembull kulti dhe adhurimi për truallin e gjyshërve. Po, në këqyrshim historisë e afërme të Rilindjes, do të shohim se kjo rilindje është bërë vetëm pasi ka zënë populli që të ndjejë në zemër të tij një dashuri të përsosur për çdo send që i përket atdheut dhe kombit. Patriotizma është mbase një egoizmë. Ajo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e te ai nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin tonë. Jemi patriotë se e dimë që pa një truall dhe pa një shtet të fortë, pa një komb të përparuar, bije në rrezik rrojtja dhe jeta jonë.
Ky gjykim na shtyn dhe duhet të na shtyjë që të bëjmë disa therori për të mirën e përgjithshme, që të mos mendojmë vetëm interesin tonë të tanishëm, po interesin e përbashkët të nesërm, se ai interes do të na ruajë dhe interesin tonë të veçantë. Kështu, pra, egoizma e patriotizmës ndryshohet dhe këmbehet në një altruizmë të vërtetë dhe na shtyn në therori.
Nderi dhe madhëria e çdo shqiptari varet nga nderi dhe madhëria e Shqipërisë. Është një llogari e lajthitshme ajo që të përbuzësh shokun, me shpresë që të lartësosh veten tënde. Statujën e një njeriu të madh nuk e shtien brenda në një gropë, po e ngrenë në një piedestal të lartë, mbi një themel të shëndoshë. Në doni, pra, që të jini të nderuar dhe të mëdhenj, bëni më parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar të jenë të madhëruar e të lartësuar. Miq dhe shokë të mi, mësoni të kurseni kohën, mësoni mirëpërdorimin e kësaj gjeje të vlefshme, që i thonë kohë. Na vjen keq për plaçkat materiale dhe e dimë vleftën e një vilari pëlhure.
Harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë, është gjithnjë gati të presë fillin e gjëllimit. Vendi dhe kombi ynë duan punë të gjatë, me durim të palodhur. Kemi një mijë e një punë për të bërë. Puna lyp kohë. Kuptoni mirë vleftën e këtij faktori dhe mos e vdisni kot.
Lumo Skëndo
Leave a Comment