Nga Uran Butka
Në një debat në Komisionin e Ligjeve te Parlamentit Shqiptar, një deputet i këtij komisioni e quajti Spartak Brahon “budalla”, të cilit s’duhet t’i vihet veshi, ndërsa unë mendoj ndryshe: Spartak Braho, është një politikan karriere ekstremist dhe i papërgjegjshëm, që dëmton dhe shëmton seriozisht jo vetëm parlamentin, por edhe shoqërinë shqiptare, sepse është person i veshur me pushtet dhe me ndikim në politikën, moralin, mediat dhe shoqërinë. Ai është përfaqësues i një grupimi aktiv enverist, që e nxit, përndryshe nuk do të kisha marrë mundimin t’i përgjigjesha.
Ai ka më se një çerek shekulli, që sulmon, vjell vrer dhe përbalt institucione, ngjarje dhe persona të rëndësishëm historikë e aktualë, por gjatë vitit 2019 është tërbuar, veçanërisht në sulmin kundër Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit dhe drejtuesve te tij, jo pa qëllim dhe jo pa rezultat.
Ky institut në punën e tij më se 10 vjeçare ka përmbushur më së miri detyrat e tij në përputhje me ligjin Nr. 10242, datë 25.02.2010” Për krijimin dhe përcaktimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit” dhe rezolutat e Këshillit të Evropës për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Kjo punë është raportuar çdo vit në Parlament, është vlerësuar pozitivisht dhe miratuar me rezolutat përkatëse të Komisionit te Ligjeve dhe te vetë Kuvendit të Shqipërisë. Natyrisht ky është rezultat i punës së gjithë punonjësve të Institutit dhe veçanërisht të drejtorit ekzekutiv Agron Tufa. Natyrisht mund të ketë pasur edhe të meta e mangësi, por në tërësi puna ka ecur mjaft mirë në gjithë prioritetet dhe është vlerësuar edhe nga institucionet analoge evropiane. Ky institut ka bërë studime dhe botime në fushat e historisë, botimit të dokumenteve, legjislacionit, figurave te krimit komunist dhe të dënimeve politike në burgjet e internimet e paligjshme, gjithashtu botimet në fushën e kujtesës. Veçanërisht, Enciklopedia e Viktimave te komunizmit deri tani botuar në 8 vëllime, është një punë kolosale e dokumentimit të krimeve dhe pasojave te komunizmit në Shqipëri.
Mirëpo deputeti Spartak Braho, i cili për mendimin tim nuk duhet të ishte kurrsesi anëtar i Parlamentit, aq me pak kryetar i Komisionit te Sigurisë Kombëtare, për shkak të së kaluarës së tij, por edhe të papërgjegjshmërisë së sotme, e shfrytëzon këtë post po ashtu edhe mediat për të bërë diversion, kërcënime, përbaltje dhe shpifje, që janë të dëmshme e të dënueshme.
Ai u bë shkaku kryesor për largimin nga Shqipëria me gjithë familje te drejtorit Agron Tufa, që i detyruar nga kërcënimet me jetën, kërkoi azil politik në Zvicër. Mjafton të përmendim fyerjet e bëra nga S. Braho me gjuhën e urrejtjes si: ballist, fashist, antishqiptar, burracak, hajdut, gënjeshtar etj, si edhe thirrjet e tij për t’u linçuar, për t’u futur në burg. Edhe pasi Tufa u largua nga Shqipëria, S. Braho,me stilin e sigurimsave te shtetit, që i ndiqnin për t’i eliminuar kundërshtarët e regjimit komunist brenda dhe jashtë vendit, e kërcënon sërish hapur Agron Tufën:”Unë i pari, por edhe të tjerë, do të bëjmë të pamundurën, që edhe atje ku ka kërkuar azil politik, të mos gjejë vrimë ku të futet”
Ai arrin deri në atë shkallë të akuzës absurde, sa e quan hajdut të neveritshëm, që ka mbushur valixhet si Mbreti Zog dhe ka ikur nga Shqipëria”. Deklaroj se Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ushtroi kontroll gjatë këtij viti (1919) e ka vlerësuar përgjithësisht pozitivisht veprimtarinë ekonomike-financiare të Institutit dhe të drejtorit të tij, Agron Tufa.
Spartak Braho shprehet në shumës: Unë dhe të tjerë…». Kush jini ju që kini kurajën dhe fuqinë për te bërë kërcënime te tilla te tipit të Gestapos? Mendoni e veproni ende si në kohën e diktaturës, kur i shërbenit Enverit dhe regjimit kriminal komunist.
Janë vërtetuar tashmë disa nga dënimet e rënda gjyqësore që kini dhënë personalisht ju,Spartak Braho, si kryegjykatës i diktaturës dhe që rrëfejnë fytyrën dhe moralin tuaj. Po përmend dy vendime. I pari, i datës 7.04 1994, kur kryetari i Kolegjit Ushtarak Spartak Braho ka dënuar me vdekje një ushtar, “që vjen nga një familje e deklasuar dhe ka të dënuar politikë”
Përvec dënimit me vdekje, Spartak Braho i drejtohet Komitetit të Partisë së Punës, nga i merrte porositë e dënimeve dhe e informon për këtë vendim:
“Me porosi të Komitetit të Partisë së Rrethit Durrës po ju dërgoj të përmbledhur vendimin nr.18 dt.18.4 1984 të Kolegjit Ushtarak Durrës, për dënimin me vdekje të Z.Stafa, …I dënuari Z.Stafa rridhte nga një familje fshatare. Gjyshi i tij në vitin 1947 është dënuar për strehim të kriminelëvë me hëqje të lirisë,ndërsa një vëlla tjetër është dënuar përsëri me heqje të lirisë”…
Kryetari i Kolegjit ushtarak
Spartak Braho
Nuk ka nevojë për koment.
Po ashtu, kur diktatura komuniste po jepte shpirt, kryetari i gjyqit Spartak Braho ka dënuar një minoren 15 vjeçar, një nxënës të vitit të parë të gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit, Gjergj Hani, i cili, i pakënaqur nga regjimi, tentoi te kalonte kufirin në Pogradec në vitin 1985, duke e akuzuar për tradhti ndaj atdheut dhe duke e dënuar me 5 vjet burg. Një nxënës të mitur,që kërkonte lirinë e munguar dhe lëvizjen e lirë, kryegjyqtari Spartak Braho e dënoi me burg, duke qenë se nuk kishte mbushur as moshën e dënimit!
Pikërisht ky Spartak Braho na shet moral dhe na kërcënon edhe sot me lirinë, lëvizjen e lirë dhe me jetën! Kështu veproi me Agron Tufën, kështu edhe me Çelo Hoxhën. Dy ditë më parë, në gazetën “Dita” ai më shantazhoi edhe mua: “Po mirë more zoti Uran Butka, si nuk tu tha goja dhe dora që propozove dhe firmose një vendim të atij gjysmë bordit tënd për të bërë drejtor të institutit të halesë së Ballit …”
Së pari, more zoti Spartak, vijon te fyesh e të mallkosh Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit, një institucion publik, që varet nga Parlamenti,duke e quajtur hale të Ballit Kombëtar. Ku e merr këtë të drejtë? Ti sheh ëndrra me sy hapur, duke jetuar ende ne kohën e Luftës dhe duke u ndeshur me “fantazmat” e Ballit, si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Gjithë ata që nuk mendojnë si ti, i etiketon ballistë e neofashistë. Po ashtu, vazhdon të anatemosh dhe mua me mallkimet: “ Po mirë more zoti Uran Butka, si nuk tu tha goja dhe dora që propozove dhe firmose një vendim të atij gjysmë bordit tënd për të bërë drejtor të institutit të halesë së Ballit Kombëtar një karçin të vithisur e të çakërdisur si Çelo Hoxha?”
Sa për dijeni, pas dorëheqjes se Agron Tufës nga posti i drejtorit, bordi drejtues i Institutit e njohu këtë dorëheqje dhe bëri njoftimin për vendin vakant të drejtorit, si edhe bëri njoftimin që kandidatët pa asnjë kufizim te paraqisnin kërkesat dhe dokumentet përkatëse sipas ligjit. U paraqitën me vullnetin e tyre pesë kandidatë për në postin e drejtorit ekzekutiv me dokumente të rregullta, duke përfshirë edhe formularin e dekriminalizimit si edhe të pastërtisë së figurës nga Autoriteti i Dosjeve: Çelo Hoxha, Erald Kapri, Leka Ndoj, Luçiano Hila dhe Robert Papa, që të gjithë të denjë për këtë post. U bënë intervistat përpara bordit dhe u krye votimi i fshehtë. Njëri nga anëtarët e bordit, Gëzim Peshkëpia, i ndodhur aktualisht në Gjermani për arsye shëndetësore, e ndoqi me skype gjithë procedurën e votimit, madje edhe diskutoi. Por nuk mund ta deklaronte hapur votën, se ishte votim i fshehtë, kështu e delegoi votën e tij tek njeri nga anëtaret e bordit, që kështu të ruhej principi i votës se fshehtë. Komisioni i votimit i nxori votat te vlefshme, me këtë rezultat:katër vota për Çelo Hoxhën dhe tre vota për Erald Kaprin.
Unë si kryetar i bordit as nuk kam propozuar ndokënd për drejtor instituti, siç thotë Spartak Braho, nuk kam ndërhyrë tek asnjë anëtar bordi për njërin apo tjetrin kandidat. Meqenëse votimi tashmë është kryer dhe drejtori është zgjedhur, unë po e bëj publikisht shpjegimin e votës sime për transparencë: votova për Erald Kaprin, duke menduar që të atashohej edhe ai në këtë institut dhe të kontribuonte edhe ai me aftësitë e tij studimore dhe mediatike të njohura, për të cilat ka nevojë instituti, duke menduar vetëm për forcimin e punës drejtuese të Institutit dhe për të përballuar sulmet e Spartak Brahos me shokë ndaj veprimtarisë normale të institutit. Pra, përpara Çelo Hoxhës dhe Erald Kaprit, unë kam menduar për integritetin e Institutit dhe ecurinë e mëtejshme të punës së tij, për asnjë motiv tjetër. Kjo gjë tashmë është e njohur.
Ndërkohë, Spartak Braho intrigon dhe shpif: “Turp të kesh, o pseudohistorian që falsifikuat edhe firmat e votimit me dorën e Godoles, për t’ia futur Erald Kaprit. Po ke shkelur ligjin edhe ti, o derëzi. Po Butkajt janë derë e fisme thuhet. Nga ngjave ti kështu? Të ka plasur cipa fare dhe s’ke gajle. Por nuk ke as moshë të korrigjohesh, o profesor i të keqes!”
Bordi dhe unë nuk kemi shkelur ligjin, kjo është lehtësisht e verifikueshme. Ndërkohe, ti si ekstremist, nostalgjik dhe i ideologjizuar, por edhe si njeri pa intelekt, pa kulturë dhe profesionalizëm, që i fut hundët edhe në familje, nuk mund të përcaktosh cilësinë time si historian apo studiues, aq me pak si pjesë e familjes Butka.
Në fushën e historisë kam kontribuar për të nxjerrë në dritën e te vërtetës ngjarje historike dhe personalitete të falsifikuar, të mohuar e të përbaltur nga komunizmi. Besoj se ike parë apo lexuar botimet e mia historike si “Mukja shans i bashkimit”, “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, “Bombë në legatën sovjetike”, “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, “Hijedritë te historisë” e te tjera, të bazuara katërcipërisht mbi dokumente te pakundërshtueshme të arkivave shqiptare dhe të huaja,por nuk ke qenë i zoti dhe nuk je i aftë t’i gjykosh apo t’i kritikosh me argumente ato, por flet e shan si e shoqja e Zeqos në majë të thanës. Ke qenë dhe je shumë i aftë vetëm të artikulosh sharje e shpifje:”Ballist, derëzi, cipëplasur, pseudohistorian i të keqes etj”.
Ku qëndron mallkimi yt aspak burrëror dhe shpifës ndaj meje: “T’u thaftë dora, që ke propozuar një karçin të vithisur e të çakërdisur si Çelo Hoxha? Si s’të vjen turp”!. etj.”.
Nuk ka pse të më vijë turp për gjithçka që kam bërë në jetë deri më sot, përkundrazi. Unë nuk jam marrë me ty, as kur ke votuar për të inkriminuar apo trafikantë, as kur ke folur me gjuhën e urrejtjes dhe të shpifjes vazhdimisht kundër meje dhe institucionit, që varet nga parlamenti. Por sa vjen po e trash zullumin dhe nuk mund të vazhdohet kështu.
Do të kërkoj nga Institucioni i lartë i Spakut, që të hetojë lidhjet tuaja me regjimin diktotarial komunist, vendimet politike si prokuror dhe gjyqtar në atë kohë si edhe fyerjet, shpifjet, kërcënimet e tua publike, që e njollosin institucione ligjore, dinjitetin njerëzor, liritë dhe të drejtat e njeriut.
Leave a Comment