Në qoftë se këtë artikull po e dedikoj te ju, o miqt’ e mi mësonjës të dashur, shkaku është se  ju shikoj si punonjësit më besnikë dhe më zelltarë të kësaj Shqipërie.

Ju, o mësonjës, kini barrën të formoni brezin e ardhshëm, me entuziazëm dhe gjallëri; ju do të mbryni shpirtin e djalërisë me dashuri të mëmëdheut dhe me një ideal të përparimit; ju do t’i jepni etjen e rrojtjes, bashkë me të edhe gëzimin e kësaj jete, një jetë e re, me punë dhe me një përpjekje të përditshme. Do t’i mësoni djalërisë se pa lodhje, pa mundime, nuk arrihet asnjë qëllim; do t’i mësoni edhe që pa dashuri, pa entuziazëm, njeriu nuk mund të rrëzojë ndalimet: fryma e dashurisë e bën që t’i duken të lehtë mundimet, t’i durojë me buzëqeshje lodhjet, të rrokim plot kurajë me natë punën e filluar dje, të përpiqemi pa reshtur dhe të ndjejmë gëzim triumfi, kur shohim se në veprën tonë çdo e sotme na gjen më të përparuar se e djeshmja.

Duke qenë se ju, mësonjësit, jeni punëtorët e këtij ideali, a mund që të mos shoqëroni në punët tuaja personin, që duhet të kini më të afërm në jetë, personin me të cilën ndani fatin tuaj, atë që e quani shoqen e ditëve të bardha dhe vuajtjeve, me një fjalë gruan tuaj? A mund të na shkojë mendsh se, duke ndarë njerëzinë në dysh, duke hequr gratë më nj’anë, duke e gjysmuar popullsinë tonë, do të mundim të ngrehim një godinë të fortë të kombësisë? Një popull mbetur kaq i vogël si i yni, prej natyre ose prej një faji të moçëm, a duhet që të vogëlohet dhe të dobëtohet edhe një herë, duke nxjerrë gratë – domethënë gjysmën e njerëzisë – jashtë aktivitetit, duke e dënuar në indiferencë, duke e shikuar, jo si një shoqe jete dhe punimi, po si një kalama, barrë të padobishme, si një të mitur të pazot për kuptim, të papjekur prej inteligjence?

Shoqja duhet të jetë, e zonja apo e plogësht?

 Për të formuar një komb dhe që të mundë ky komb të rrojë dhe të përparojë, për të mundur  që të dalë nga balta dhe baltovina në të cilat është kredhur sot, duhet të shtojmë edhe numrin e punëtorëve, dua të them të misevet të shoqërisë dhe fuqinë morale të tyre.

Në Shqipëri, jo vetëm që nuk përpiqemi të heqim fitimin e plotë, maksimumin prej fuqisë dhe zotësisë sonë, po edhe gruan, shoqen tonë, e kemi lënë në radhë të dytë, e konsiderojmë si të pazonjën, të padenjë për të mbushur detyrat e saj si njeri dhe përpiqemi me çdo mënyrë ta mbajmë në një shkallë të poshtme. I mohojmë edhe shpirtin e saj.

Me këtë mënyrë, çfarë shoqe mund të kemi? Të dobët dhe të pazonjën, apo një bashkëpunonjëse të vërtetë, mbi mendjen dhe aftësinë e së cilës mund të mbështetemi dhe të kemi besim?

Situata e gruas në Shqipëri

 Do ta këqyrim nga dy pikëpamje gjendjen e gruas në Shqipëri:

A-Nga ana e arsimit dhe e shoqërisë së sotme.

B-Nga ana e zakoneve të vjetra të Shqipërisë.

Arsimi i gocave

Si në çdo vend, edhe në Shqipëri, numri i grave dhe i burrave pothuajse është baras; duhet pra, që edhe nxënëset dhe nxënësit të jenë në një shifër.

Të shohim tani si qëndron realiteti?

Mbas statistikës të motit 1917, numri i nxënësve të Shqipërisë ishte 25.828; ai i nxënëseve, dua të them i gocave, ishte vetëm 5734.

Mbi 606 shkolla fillore dhe të mesme, që kemi në Shqipëri, vetëm 44 shkolla janë për çupat, dhe këto në qytetet e mëdhenj.

Ligji i Arsimit cakton qartazi se mësimi fillor është i detyrueshëm për të gjithë, atje ku është e mundur, domethënë atje ku gjenden shkolla, me qenë se Shqipëria ka 2.538 katunde dhe vetëm 606 shkolla.

Një prej viseve ku Ligji i Arsimit mundet dhe duhet të zbatohet, është, padyshim, kryeqyteti, Tirana. Këtu ka një shkollë vajzash, me pesë rende. Në vitin shkollor 1926-1927, në këtë shkollë të vajzave kanë qenë 180 nxënëse, kurse Tirana ka më tepër se 400 çupa në moshë, që janë të detyruara të frekuentojnë shkollën. Po edhe prej këtyre 180 nxënëseve, vetëm 92 janë myslimane vendëse, për një qytet të populluar me dhjetë herë më tepër myslimanë se të krishterë.

Myslimanët e Tiranës, e një kryeqyteti të ri, e një shteti të ri, i kanë bërë bojkotazh arsimit, janë gozhduar në konservatorizëm të verbër dhe në reaksion.

Kur nuk zbatohet Ligji i Arsimit në kryeqytet, a mund të rrejmë veten dhe të besojmë se aplikohet në Pukë ose në Tomoricë?

Më mir’ e ditur apo injorante?

Kam dëgjuar moti një plak, që thënka”Më mirë të mos dijë një çupë të shkruajë, se i dërgon letër të dashurit të saj!”

Në qoftë se ky i dashur është i ati, i vëllai, i shoqi, i biri, atëherë, jo vetëm që bën mirë, po edhe e ka detyrë që t’u shkruajë letër. Në qoftë se çupa bën ndonjë mituri, axhemillëk, dhe ky mund të ngjajë në dhjetë mijë një, a duhet që të lëmë gjininë femërore pa mësim dhe dituri?

Në është se duam të rrojmë, të rrojmë vetë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, duhet që të bëhemi njerëz, dhe njeri sot nuk mund të quhet i pazoti për rrojtje, injoranti, aq më tepër akoma analfabeti. Në qytetërin’ e shekullit të njëzetë nuk mund të rrojë njeriu pa nxënë, pa edukatë dhe arsim.

Kjo edukatë, ky arsim duhet aq më tepër akoma për shoqen e njeriut, për gruan e nënshtetasit, për mëmën e fëmijërisë dhe zonjën e shtëpisë.

– Kështu kemi rrojtur gjer më sot! …

– Po, miku im, kështu ke rrojtur, si individ, si fis, si malok. Tani po bëjmë një komb, një shtet dhe kemi detyra kundrejt kombit dhe shtetit; nuk jemi më të lirë të rrojmë jetën primitive në malet, pa bashkim, pa detyrë përparimi. Tani që jemi bërë një trup, duhet që ky trup të jetë i shëndoshë, të mos lemë ndonjë mis të sëmurë. Dhe si mund të fitohet shëndeti moral dhe trupor i njeriut, pa zhdukur injorancën?

Popullsia e Shqipërisë dhe gruaja

Nuk mund ta fshehim që jemi një popull i vogël: statistika me shifrat e saj ka një elokuencë të pamohueshme. Vogëlia sjell me vete dobësinë dhe dobësia mban në gjirin e saj rrezikun e vdekjes. Një komb e ka për detyrë të mendohet për sigurimin dhe rrojtjen e tij, të shtojë fuqinë, të jet’ i zoti për të mbetur gjallë.

Këtë nuk e kemi detyrë vetëm si individ, si person, por si një trup i bashkuar, si një komb që jemi: kujdesi bie mbi gjithë ne dhe të tërë së bashku duhet të përpiqemi. Nuk mundim, nuk duhet, pra, të lëmë njeriun të bëjë ç’të dojë, të sillet si i do qejfi. Është i detyruar të veprojë sipas interesit të shoqërisë.

Jemi të shtrënguar ta fitojmë këtë shëndet në dy mënyra:

  1. Të shtohemi në numër, të shumëzohemi dhe të bëhemi më tepër se nga ç’jemi sot. Kjo është ana materiale, forca dhe pushteti, që japin njësitë: duke u bërë dy herë, tri herë më të mëdhenj, do të rrëfehemi edhe aq herë më të respektuar dhe më të zotë, për të larguar rreziqet, për të mundur vdekjen.
  2. Po ka edhe një fuqi tjetër që bën lumturinë dhe madhërin’ e një kombi: cilësia morale, energjia intelektuale, lartësia mendore. Një njeri i mësuar, i mençur, i zoti, ka fuqi të dhjetëfishtë.

Si mundet, kur qenka kështu, që të shpresojmë të mbushim detyrat tona elementare, si individë dhe si komb, kur gjysma e popullsisë sonë, gruaja, mbahet, me dashje dhe me prapamendim,  në padije, në foshnjëri, e padenjë të jetë njeri, shoqe, nënshtetase?

Si mund të shëndoshet dhe të zhvillohet populli dhe kombi, kur mëma e njerëzisë nuk është e zonja as ta rritë si duhet birin dhe bijën e saj, as t’i frymëzojë cilësit’ e larta?

Në qoftë se prej idealeve të njerëzisë dhe të kombit, kuptojmë atë që kuptojnë njerëzit e thjeshtë, popujt e pazhvilluar: të ngrënët bukë, kollomoq, shëllirë, rrojtjen në baltë, pushkën në krah, frikën dhe gjutin’e armikut, atëherë mund edhe të kënaqemi me jetën e sotme dhe të presim një vdekje e fikje të afërt.

Por, në qoftë se prej fjalëve “rrojtje” kujtojmë një ide më të ndritshme; në është se, tingëllimi qytetërim kërkon të thotë: të rrojmë, të ndjejmë, të gjykojmë më mirë; të çmojmë vlerën e virtytit, kamjes, nderin e njeriut dhe mëmëdheut; të respektojmë të drejtat e tjetrit dhe të mbushim me bindje të plotë detyrat tona ndaj vetes dhe shoqërisë, atëherë duhet të përpiqemi ta realizojmë këtë dëshirë.

Duhet të lirojmë veten nga skllavëria e padijes. Dhe këtë nuk mund ta bëjmë po qe që gjysma e njerëzisë, gruaja, mëma, shoqja, bija jonë, nuk na ndihmon, nuk bëhet bashkëpunëtorja jonë  inteligjente.

Jeta çdo ditë po bëhet serioze, e vështirë, një luftë e rreptë. Mëmëdheu kërkon punëtorë të mençur, mbrojtës me ndërgjegje. Duhet që “shoqja” jonë të jetë aq e zonja sa edhe ne, të jetë luftëtare me therori,  punëtore me  intelekt.

Ç’është sot gruaja në Shqipëri

Roli i gruas sot në Shqipëri është i venitur, i fikur.

Në më të shumtët e kafshëve, femra ka gjithë atë fuqi si edhe mashkulli. Gruaja, duke ndjerë lidhkë për fëmijën dhe për dashurinë, ka mbetur më e dobët se burri; dhe i shoqi, ca nga ca, e ka bërë gruan si një skllave, si një shtazë për punë dhe për bartje barre: ajo punon, ajo mbaron gjithë nevojat e shtëpisë, ajo ngarkohet me dru, me ujë; ajo ecën më këmbë kur “mashkulli” udhëton kaluar: ky është luftar; ajo është shërbëtore, skllave, një farë krijese gjysmë njeri.

Për fat të keq pozitën që ka gruaja në kombet e egra, po e ruan edhe sot në më të shumtëm e viseve të Shqipërisë. Më pëlqen të besoj se, këndonjësit e mij duke parë situatën e gruas përpara egoizmës së burrit janë indinjuar dhe pikëlluar: gruaja më e dobët dhe më delikate, të ecë zbathur, e ngarkuar me ferra, kur burri është shtrirë në shullë, ose i ka hipur kalit.

Që kjo e keqe s’ka të bëjë fare me influencën e tyrqvet provohet prej kësaj që , në krahinat ku s’ka shkelur tyrku, në Mirditë, në Kthellë, në Himarë, pozita e gruas është dhe më e keqe akoma.

Po, nuk mjafton edhe me kaq; gruaja jonë, përveç rolit të zbehtë që ka, kur i mohohen të drejtat e saj, po loz në Shqipëri tonë një rol negativ, fatal dhe fatkeq. Duke u shikuar si një plaçkë, për të mos thënë dhe më keq, i ati ose i vëllai, e shet gocën sikur shet no një dele. Kjo shitje – së cilës i thonë fëmijës – bëhet që në djepe, në një moshë kur kalamaj s’di as martesa ç’është, dhe as burrin, shokun e jetës mund që ta zgjedhë. Kalamaj rritet dhe, kur i pëlqen ati që e ka blerë, vete në shtëpi të tij. Nuk di në, një njeri me mend, një grua me ndërgjegje mund ta quajë martesë një akt të tillë, një blerje Shënt Lleshi si ky! Shpesh as dhëndri, as nusja nuk kanë zgjedhur shoqi shoqnë, mbas e edhe s’e kanë parë kurrë njëri tjatjrin: “fati” me sy të mbyllur mbaron, e ndreq ose e shkatërron jetën e një pari.

Edhe akoma nuk merr fund vetëm me kaq tragjedia: meqenëse çupa qenka vetëm një plaçkë që shitet, tregti e fejesës mund të përsëritet: kur del blerës i dytë shton çmimin e goca, ndahet nga i pari dhe premtohet ne një i dytë; këtë shitblerje mund ta bëjë, jo vetëm ati dhe mëma – të cilët së paku mund të kenë dhemburinë për bijën e tyre – po edhe vëllai, ungji, nganjëherë edhe i forti, i pari i krahinës a i fshatit, që në këtë mënyrë bën tregti të fitimshme duke ndarë dhe duke fejuar çupat e botës.

Shpesh çupa hyn më punë si plaçkë këmbimi: të jap një vajzë, dhe ti më jep mua një tjatrë, ose bëjmë krushqi që të jemi të fortë, vrasim armikun, të rrjepim fqinjin. Goca e mjerë shërben si një objekt pa shpirt, pa vullnet, në këta pazarllëqe të turpshme.

Kështu, e gjora “femër”, s’ka të drejtë as për dashuri, as për jetë, as edhe të jetë e zonja të zgjedhë të shoqin e saj: në shtëpi të huaj, ku po vete, do të jetë një punëtore,nje farë shtaze, e lënë në shkallë të dytë; dhe mbi supet e dobët të saj do të bien gjthë punët e rënda. Dhe – o dram’ i pikëllueshëm!- sado e bukur dhe e njomë të ketë qenë në çpëri të saj, në pak vjet, sa pa bërë tamam grua, do të duket si plakë, pa shëndet, pa bukuri, pa gëzim. Pa rrojtur vetë , pa dhënë rreth saj atë frymë të këndshme që bën vlerën dhe tërheqësin’ e gruas, e mjera grua bëhet gjysm’ e vdekur për shoqërinë, e venitur dhe e zbehtë.

Të mbetesh me kaq do t’ishte akoma një fatkeqësi e fshehur, një tragjedi në kraharor; mjerisht, gruaja e Shqipërisë, ajo krijesë që s’ka të drejtë të dojë, të ket dashuri, të marrë të “shoqin” duke zgjedhur dhe pëlqyer – ç’them unë, ajo krijesë që as emrin e të shoqit nuk duhet ta zero ngojë! – ajo grua, pa dashur behët shkak për vrasje, për armiqësi, për gjak, ajo që duhesh të ishte si një engjëll për të sjellë paqen, pajtimin, dhembshurinë dhe ardhjen-keq midis njerëzve. Gruaja jon’ e varfër, që duhet të lidhë plagët e çelura prej smirit, ajo shpesh herë, në fushat dhe në malet tanë çel ditët e vdekjes, të shpagës, jo se loz një rol aktiv, se ndez dashurinë, se ndjen vetë zjarrin e dashurisë, po se i ati, ose i vëllai, ose ungji, ose i forti i krahinës, e ka shitur për një grusht korona, pas dashkën e saj, pa pyetur fare.

Gruaja nuk merr në gojë emrin e të shoqit, burri e ka turp ta zërë ngojë emrin e gruas; në martesë të tyre s’ka hyrë as një dërhem dashuri, dhe, me gjithë këtë vrasje, armiqësi,gjak!

E respektojmë gruan.

Po a e shikojmë si njeri?

Është e vërtet se në Shqipëri e respektojmë gruan: vetëm dhe pa mbrojtës mund të udhëtojë në vendet më të ashpër, pa as më të voglën frikë. Ata që kanë një gjak për të dhënë, arrin që të ken’ në shoqëri të tyre një grua, dhe mund të shkojnë përmes fisit armik, pa ndjerë frikën e një sulmi.

Këto janë vetija shevalerije, që kanë bukurin e tyre të naltë. Shtoni mbi këtë edhe fjalën shoq, shoqe që përdor gruaja dhe burri, dy fjalë që rrëfejnë një barazi në të drejtat, një respekt reciprok. Edhe përveç këtyre shtoni akoma lirinë që ka gruaja shqiptare, në malsinat tona, të presë miq, të vejë në pazar, e pa mbuluar, katolike, ortodokse ose myslimane qoftë, në Mirditë si edhe në Kurvelesh.

Po a i konsiderojmë njerëz?

Gjer sa të ketë turp burri të thotë emrin e gruas, të rrëfehet bashkë me të përpara botës, të jetë kryenaltë prej dashuris’ saj, si mund të pandehim që me të vërtetë e respektojmë gruan dhe e shikojmë si shoqe?

A pandehim, sikundër që thotë një shkrimtar i huaj, se Zoti me të madh të tij, e krijoi gruan kaq të famshme, e pajisi me kaq cilësi të këndshme, me një bukuri të madhe, me një shpirt aq të mbaruar sa edhe të burrit, a pandehim se me gjithë këto të mira Perëndia e krijoi gruan që të jetë skllave dhe shërbëtorja e jonë?

Një komb që nuk përpiqet të naltësojë shkallën e gruas moralisht, materialisht dhe intelektualist, a mund kurrë që të quhet i përparuar, i qytetëruar?

Cila duhet të jetë pozita e gruas?

Në qoftë se gruan e shikojmë si ruajtësen e shtëpisë, si mëmën e fëmijës, atëherë, që të jetë shtëpia jonë e ëmbël, që të na dojë zemra të rrimë në shtëpi, të shijojmë pëlqimin e banesës, e vatrës dhe të fëmijës, duhet që shoqja jonë, që rritesh e kalamajvet, të jetë me edukatë të fortë, të jetë e zhvilluar nga mendja, të jetë e zonja.

Me një fjalë duhet të pushojmë së shikuari gruan si foshnje, si me të ulët se neve.

“Djalin e rritim, thotë i urti Michelet, me idenë që të organizojmë një fuqi, një fuqi efikase dhe prodhimtare, të krijojmë një krijonjës” që të jetë një njeri i zoti të rrojë, të luftojë me vështirësitë e jetës, të jetë i ndershëm dhe i dobishëm për veten e tij dhe për shoqërinë.

Kur rritim një çupë rritim vetë shoqërinë, kombin, njerëzinë: shoqëria themelohet mbi familjen, dhe shtylla e familjes, në qoftë se është gruaja, a duhet që mëma e shoqërisë të jetë injorante, pa dituri, pa edukatë” Apo e zonja, e ditur, e mençur? Si do t’i fitojë vetë këto cilësi, dhe si do t’ja komunikojë birit dhe bijës’ saj, në qoftë se ne ja mohojmë të drejtën të jetë njeri, të jetë baras me neve? A do ta shikojmë gruan vetëm si një krijesë për të cilën kemi nevojë ca të paka orë ditën, apo si një shoqe denjë për të qenë mëma jonë?

Do të më thoni që gruaja sot punon, bën detyrën e saj brenda në shtëpi. Harrojmë që ëndrra jonë s’është vetëm mundimi në punim; po, të dijmë të heqim më të madhin fitim prej punës sonë, të mësojmë qysh, me atë lodhje dhe me atë zahmet, të bëjmë sa më tepër punë dhe sa më të bukur.

Mentaliteti që e shikon gruan si një shërbëtore dhe punëtorë, e bën katundarin dhe malokun tonë të japë më tepër kujdes lopës dhe gomarit, se sa shoqes, të bëjë më tepër therori me mjek dhe veterinar për kafshët, se sa për gruan.

Të drejtat e gravet?

Na një fjalë dhe një ide prej së cilës është bërë një abuzim, që kuptohen keq, jo se mbajnë një helm të fshehur në palcët e tyre, po se njerëzit i shpjegojnë pa i kuptuar mirë, pa i thelluar.

Disa kuptojnë prej të drejtat e gravet një barazim të plotë me burrat, jo njësi në detyrat, po një liri të bëjnë çë u do qejfi, të zbaviten, të bredhin, të jenë pa fre në dëfrimet edhe pasionet e tyre.

Për neve që besojmë se ideali i njerëzisë nuk është në parregullsi të harbuar, po në mbushjen e detyrës me ndërgjegje, padyshim që nuk do të lodhemi për të rrëzuar këtë frikë, këtë gogol të konservatorëvet.

Në qoftë se konsiderojmë gruan si një njeri, si gjysma e njerëzisë, atëherë nuk do t’i mohojmë dot të drejtat që ka çdo njeri: të drejtë që të zhvillohet moralisht dhe intelektualist, të marrë edukatë të mirë, të ketë arsim, të frekuentojë shkollë; një e drejtë elementare është që çupa të ketë të drejtë të thotë po ose jo për burrin që do të marrë, të pyetet në martesë, të mos shitet dhe blihet si një objekt.

Po e shihni se në bëjmë fjalë për të drejta elementare, për ato kondita që njeriut, kësaj krijese me mend dhe inteligjencë, i duhen me doemos që të rrojë, të marrë frymë.

Në vendet e tjera bëhet fjalë për të drejtat politike të gravet, të drejta për votë, të zgjidhen deputet, të jenë mise në këshillë, të bëhen dot edhe ministre: në shumë shtete të qytetëruar këto dëshira janë bërë fakte të realizuar, dhe në parlamentet, në këshillat e bashkisë, në këshillat administrativë dhe ministrorë, gratë janë baras me burrat, pa numëruar se numri i profesorëvet, inspektorëvet t’arsimit, i mjekë dhe avokatëvet sa vete po shtohet.

Këto të drejta janë fituar ca nga ca, me shumë përpjekje; si çdo send i mirë, çdo gjë e dobishme në këtë botë, edhe gruaja pat nevojë që të sforcohet kohë të gjatë, të bëjë një luftë të vërtetë pa të njihet si një gjymtyrë njerëzie, e krijuar baras me mashkullin, mbase dhe për disa cilësi morale edhe më sipërore se nga burri i saj, kur vjen fjala për dashurin e fëmijës për shembull.

Sado që krishtërimi ka ngritur në një pozitë fort të lartë gruan në formën e Shën Marisë dhe të kaq shënteve të tjera; me gjithë që edhe Islamisma me shembullin e Hadixhe dhe Fatimesë e ka naltësuar dhe shenjtëruar gruan; përkundrazi zakoneve të Shevalerisë të kohës së mesme ku gruaja, zonja, ishte ajo që frymëzonte – me dashurinë dhe respektin e saj – trimëri dhe punët e shkëlqyera të luftëtarëvet, nderin dhe besnikërinë e tyre; me gjithë këto, themi pozita e gruas mbeti fare fqinjë me situatën e një skllave. U duh shpirti, liria e shekullit të 18-të dhe revolucioni i Francës, ajo frymë që proklamonte lirinë dhe barazin’ e njerëzvet, jo liri e egër, po liri me detyrë, për të mbushur më mirë detyrat morale dhe njerëzore, u duh ajo frymë e lartë e njerëzisë, them, që të zihet të bëhet fjalë edhe për të drejtat e gruas, të konsiderohet dhe ajo si një pjesë e shoqërisë.

Lëvizja që u bë me kaq bujë, që po vazhdon akoma në shumë vende, për lirinë dhe për barazinë e gravet, quhet feminizmë; mbase të shtuarët tepër të popullsisë, shtrëngimi i mjeteve të rrojtjes, ligji i Malthusit, që emërohet pas emrit të dijetarit që e formuloi, tërë këto e ushqejnë dhe e ndezin feminizmin.

Në Shqipërijemi akoma larg prej kësaj lëvizjeje dhe nuj shoh asnjë nevojë që ta ngjallim në një mënyrë artificiale. Atje ku është e mundur jeta simple është më e pëlqyer se nga rrojtja e komplikuar, e vështirësuar. Po, edhe të rrosh harrojmë se, erdhi koha, jo erdhi sot, po shumë më parë që të mendohemi edhe të jetojmë si njerëz, të dalim nga barbaria dhe egërsija.

Një lutje këndonjësit tim

Këndonjësit t’im i lutem të mendohet një minutë jetën më keq se primitive të maslsivet tona.i lutem të meditojë, të gjykojë pak dhe do të sigurohet se, sa të jetë malësia jonë në hall të sotmë, sa kohë që të ndodhet gjysma e Shqipërisë në një shkallë farë të poshtme të barbarisë, pa ligj, pa shoqërim, pa dijeninë elementare të shëndetësisë, të industrisë, të qytetërimit, pa një pikë naltësi morali dhe pa një ideal njerëzor, kombiar dhe patriotik, nuk  rron dot, nuk mbahet, nuk përparon dot kjo Shqipëria jonë.

Vetëmbrojtja jonë, instinkti i gjëllimit, ajo forcë që na shtyn t’i qepemi jetës, ajo fuqi duhet të jetë një shtytkë për veprim: të na gonditnjë, të na zgjuajë, të na bëjë të reagojmë.

Kjo është detyra jonë e të gjithëve, që nga më i madhi gjer ne më i vogli. Qysh pra mund që të lemë gruan tonë të mos na ndihmojë në këtë punë për lumturinë e përbashkët, gruan që s’e kursejmë për rongatë më të vështira?

E sheh, i dashur këndonjës, dhe më tepër akoma ti e dashur këndonjëse, nuk bëj fjalë as për feminizmë, as për të drejtat politike të gravet, as prej jetës së tëholluar – po edhe më shumë njolla – të aksidentit.gjykonjësi shqiptar, si njeri që ka detyra kundër njeriut dhe Perëndisë.

Si shpresojmë, pra, që të bëhemi kurrë të denjë për një rrojtje njerëzore në mos shokërofshim shoqen tonë në punim, dhe në mos i njofshim të drejtat si njeri që duhet të ketë gruaja?

Në vendet despotikë, atje ku mbretëron grushti i një njeriu të vetëm pa kontroll, pa ligj, si në autokratit moçme të orientit dhe të aksidentit, është fort e natyrshme që gruaja të mbahet në skllavëri, kur populli dhe kombi s’është veç se një tufë dhensh pa vullnet dhe pa shpirt përpara despotit. Po, në shekull të njëzetë, në ditët dhe dritët e qeverivet konstitucionale, të ligjevet demokratikë, të republikavet liberale, në një kohë kur edhe skllavëri e negrovet të Afrikës është suprimuar, a mund të imagjinojmë se do të mundim të mbahemi në mjedis të botës së qytetëruar, me sistemin tonë më tepër se gjysmë të egër?

Frika e disave

Duke parë jetën pak si të liruar të sotme, duke vështruar se lufta e madhe solli një shkatërrim në disiplinë, në hierarshi, hodhi ca ide ekstreme të çrregulluara, edhe shumë njerëz kanë marrë një farë frike prej modernistëve, prej përparimit, dhe, më keq akoma, fjalën qytetërim duan ta shikojnë sinonim me lirësi morali. E dijmë edhe në se, të kërcyerët, charleston dhe fox-trot, është fort më e lehtë se ortografia dhe dituria shtëpiake, dhe është fort më i shpejtë mësimi i këtyre valleve se sa të bërët kollë. Po, në qoftë se fryma e sotme e njerëzisë, duam të themi më drejt akoma e një pjese të njerëzisë – dhe padyshim kjo është një modë që s’ka për të duruar – është për një farë pabrengësije që e shtyn në zbavitje, a kujtojmë se vetëm shqiptari, si Çini qëmoti para murit të tij, do të mundnjë të kundërqëndrojë kësaj vale, të shpëtojë nga afshi i saj? Edhe mendohemi njëherë se, sa më serioze t’i ketë idetë, aq më pak i ndahet virtytit dhe detyrës, dhe aq më pak i afrohet jetës së shdredhur?

Disa fetarë t’anë – priftër dhe hoxhë – bëjnë gabimin trashanik të kujtojnë se t’u modernizuarit të njeriut, të zhvilluarit e gruas mund të sjellë me vete indiferencën e parimevet fetarë. Frika e këtyre njerëzve të venerueshme ësht’ e kotë kur mendohemi se, ai që s’ka qytetërim, inteligjencë dhe ideal, nuk mund të kuptojë as parimet e fesë, më sa mund të jetë besimtar i mirë një negro i Afrikës në barabitje të një europiani të edukuar dhe të lartësuar në shkallët e inteligjencës.

Bazat e moralit

Paragrafi i sipërm sjell pyetjen: Cilët janë themelet e moralitetit, e virtytit, domethënë e detyravet tona kundrejt idealit absolut dhe kundrejt njerëzisë? A ëhstë frika, injoranca, errësira që na inspirojnë këta mendime të lartë dhe na shtyjnë t’i observojmë duke bërë therori, duke heshtur pasionet tonë, duke shkelur bërtitjet e kafshërisë, e egoizmës dhe të kotësisë? Apo është inteligjenca jonë, ajo inteligjencë dhe dije që i japin dritë zemrës?

Një pyetje tjatrë: Morali, virtyti, mirësia, njerëzia a janë kundër interesavet tanë, apo janë edhe për të mirën tonë personale? S’kemi dyshim se përgjigja prier për këtë anën e dytë.

-Atëherë interesën e vërtetë të njeriut a njeriu gjysmë i egër dhe barbar e kupton, apo i mençuri, i zgjuari, i qytetëruari.

Në këtë rasje a duhet pra që ta mbajmë gruan shqiptare në injorancë dhe në mituri, të pandehim se vetëm frika do ta mbajë në rrethim të detyravet, apo duhet ta ndihmojmë që të zhvillohet të kuptojë dhe të shohë interesat e saj, ta kemi një shoqe të fortë moralisht?

Gogolët në rrugët e Tiranës

Në vazhduam arsyet e më larta tani do të pyesim akoma: Mund të kemi kurajo të pandehim se gruaja do të jetë e virtytshme, me mirësi dhe njerëzi duke e konsideruar ne atë si plaçkë, si një pronë, baras me një pasuri, të gjallë ose pa shpirt? A pandehim se, duke menduar ne që vetëm frika mund ta mbajë gruan, shoqen tonë, në udhë të virtytit, do të zgjuajmë në mendje dhe në zemër të saj ndjenja të larta, lidhka për detyrë? Apo, me sjelljen tonë, duke fikur ne gruaja çdo dinjitet  nuk e eksponojmë ne rreziku i smirës, i mërisë, i armiqësisë? Kjo ndjenjë që zgjojmë tek ajo a është konform me interesin tonë dhe të saj? Virtyti dhe morali a duhet të jenë prodhimi i miqësisë, i dashurisë, me butësi zemre, si një lule e këndshme e jetës që na zbukuron rrojtjen, apo një farë torture e imponuar në ashpërsi të karakterit, si një njollë e një hekuri të skuqur në zjarr?

Në qoftë se logjika e këtyre gjykimeve na bën të mendohemi si njeri, me butësinë dhe zemër-qetësinë e një njeriu të vërtetë dhe jo me brutalitetin e një shtazë e të egër, çë marrëdhënie ka moraliteti dhe virtyti i gruas me kostumin të shëmtuar dhe qesharak në të cilin e shohim në rrugët e qyteteve tanë? A kujtojmë se ndrin dhe sendrën e gruas do ta ruajë ajo gjë karnavaleske që i thonë ferexhe në Gjirokastër, apo xhybeja, me dy mëngë të qepura prapa dhe më groteske akoma, e Tiranës? A pandehim se nderojmë gruan dhe veten tonë duke nxjerrë shoqen tonë me një sy, këmbë zbathur?

Pandehim vallë se nderohemi, se lëvdohemi, me të këtilla pamje të turpshme dhe çnderonjëse?

Gruaja dhe nderi

Nuk janë të pakë ata që thonë: në qoftë se ngremë jashmakun, ferexhenë, çarçafin, gruaja, duke dalë e pambuluar, domethënë si njeri dhe jo si lugat, do të vdjerin nderin e saj, do të bëhet e pandershme.

I pyes: -Për cilën grua flisni ? A për shoqen tuaj? Atëherë, një njeri që ka lidhur fatin dhe jetën e tij me një krijesë prej së cilës bën kaq dyshim, ay i mjerë është për të qarë. Cesari ka thënë se gruaja e tij nuk duhet as të dyshohet. Si, pra, ju të gjorë, rroni dot me një shoqe nga besnikëri dhe nga nderi i së cilës s’jini sigur? A nuk ju vjen një pakicë turp.

Në më thënç se bëni për grat’ e të tjerëvet, atëherë ju vë këtë pyetje: – Kush ju dha lirinë dhe të drejtën të flisni me kaq pak respekt për shoqen, bijën, motrën dhe mëmën e të tjerëvet? A nuk ju vjen pakëzë turp?

Të pasurët një ide kaq të poshtme për atë që e kemi shoqen e jetës, së cilës i kemi besuar sendrën dhe lumturinë tonë, të ndruhemi dhe të kemi frikë prej asaj që është një ruajtëse e nderit tonë, dëften një poshtërsi morale dhe materiale, një sëmundje shoqërore që duhet t’a shërojmë.

Nderi dhe sendra e gruas, domethënë e jona, duhet të jetë bazuar, jo mbi frikë dhe mbi zinxhirë, po mbi besim. Gjithë qytetëri e sotme nuk ka themele të tjerë veç se besimit: Ngrini besimin nga bota, i tërë qytetërimi fiket; nuk mbetet jetë shoqërore; rrëzohen institutet shtetërorë, financiarë, marrëdhëniet internacionale.

Besimi sjell me vete përgjegjësi; sjell respekt dhe dinjitet; cilësi që zgjuajnë virtytin. Gjithë e kanë vënë re: shërbëtori, ose makar një njeri i malevet i huaj, të vjedh pa më të paktin skrupull. Po, besoni dokujt një thes me ar, be j’a amanet dhe, sado i egër dhe primitiv të jetë, s’do të gjesh ruajtës më besnik. Mos u trembni të aplikoni këtë parim gruas.

Të mbajturët e gruas kyçur në haremllëk, është një kujtim i mbetur prej kohëvet barbare, kur njeriu s’dinte ç’është morali dhe virtyti; ç’mund të presim edhe ne prej gruas në qoftë se sillemi me të si një tiran, si një despot dhe çdo ditë e lemë të kuptojë se ne kemi ç’besim prej saj, e shikojmë si një foshnje ose, më mir’ akoma, si një të xhindosur që do mbajtur me zinxhirë.

Fëmija dhe dashurija

Një fjalë që zgjuan një shumicë ide kontradiktore është ajo e dashurisë, e amorit: është një fjalë që disa e adhurojnë, të tjerët e kanë frikë si një gogol. Disa e shikojnë si bazën e rrojtjes, si të vetmin kusht të lumturisë; të tjerët e konsiderojnë si burimin e fatkeqësisë, tremben t’a zënë edhe ngojë.

Dashuria është kondita e jetës. Pa atë s’ka rrojtje. Dashuria duhet të jetë rezervuar ne familja: kjo ndjenjë duhet të lidhë parin e shoqit dhe shoqes, prindërit ne fëmija, fëmijën ke prindërit; pastaj dhe fëmijën në mes tyre: Ky amor ësht’ i nevojshëm, i domosdoshëm. Po të mos ekzistojë, shkatërrohet lidhka në mes gjymtyravet të familjes, zhduket shija e gjallërisë. Ata duhet të jenë krenar prej amorit që mbretëron në mes të tyre. Edhe këtu shfaqet anormaliteti i jetës së atyreve që kanë turp të ndjejnë dashuri për njëri tjatrin, të gruas që ka turp të zërë ngoje emrin e burrit, të burrit që e ka për nder të mos e dojë shoqen e tij.

Pa dashuri s’ka as entuziasmë, s’ka as shpresë, nuk krehet as një vepër, s’mbarohet as një punë. Entuziazma dhe shpresa, bijat e dashurisë sinqere dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi që i çel çdo ditë të rinj, si ato lule që mbyllen natën po hapen në rrezet e para të diellit.

Familja, në komponim të saj kryesor burri me gruan, janë shoqëruar për të ecur në udhën e vështirë të jetës. Dashuria, që kanë në mes të tyre do t’u bëjë të këndshme këtë shteg, ajo do t’i bëjë të durojnë me heroizmë çdo pikëllim, t’u japë kurajo, të mundin gjithë ndalimet, të bëhen një fole e lumtur për të ngrehur shoqërinë, për të dhënë një shkëndijë lumturije njerëzisë, bashkë me të dhe mëmëdheut, cilësi të nevojshme sidomos për neve shqiptarët që jemi popull i ri dhe i vogël. Kështu që, lumturi e familjes nuk është për neve vetëm një gëzim dhe poezi, por edhe më tepër akoma një detyrë.

Zakoni i të mbajturit gruan jashtë shoqërisë, i të mbyllurit në një haremllëk, ka shkaktuar lindjen e selamllëkevet që janë bërë burime ndyrësie dhe kalbësie morale, ku mungon sjellja e hollë, shija, lartësia e bukurisë, aq sa, në ca vise tanë, për të rrëfyer selamllëkun thonë ahur, tër ajo fjalë që dëften edhe quarin ku rrinë kali, mushka, gomari. Filologjia jep këtu një mësim morali fort të çmueshëm, për ata që dinë t’a kuptojnë

Gruaja në shoqëri dhe në familje

Gjithë dituria themelohet mbi mënyrën qysh jemi të zotër të heqim fitim nga fuqit që na jep natyra, ose që mund edhe të shpikim ne vetë. Me qenë se dashuria është një fuqi dhe një ligj i natyrës, kemi për detyrë që këtë forcë, këtë ndjenjë ta kanalizojmë për të mirën tonë të përbashkët, për lumturinë dhe nderin e shoqërisë, të bëhet fitimtare, pjellore në fatbardhësi, e dobishme për shoqërinë, dhe t’a ndalojmë të bëhet e dëmshme, shkatërronjëse, të marr’ udhë të keqe në pasione të turpshme dhe të pa rrëfyeme.

Këtë udhën e drejtë, që është dhe më e bukura se është bashkuar me virtytin, s’ka dyshim që vetëm inteligjenca dhe drejtësi e karakterit do të na tregojnë dhe këto cilësi ngjallen dhe forcohen duke i dhënë kulturë gruas, duke e shpëtuar nga injoranca, duke zgjuar tek ajo ndjenjën e responsabilitetit dhe të sendrës.

Më sipër thoshnim se bota ka zënë rrugën e modernismës, po ndryshohet; po vete drejt lirimit; drejt fitimit të së drejtave. Kjo udhë po ecet edhe pa dashur ne, me gjithë përpjektjet që mund të bëjmë për të ndaluar. Atëherë a më mirë të jetë gruaja e lehtë, e dhënë pas modës, pa peshë në sjelljet e saj, plot me kotësi dhe egoizmë, injorante dhe pa inteligjencë, apo t;i japim një arsim, një edukatë, t’i forcojmë karakterin, t’a shpëtojmë nga “axhemillëku”, t’a bëjmë një shoqe një mëmë, një zonjë shtëpie të mirë dhe të dobishme?

Shikoni gruan sot, injorante dhe foshnjë ashtu si e kemi lënë: kujdesi kryesor i saj është veç se një rivalitet, një luftim i çdoditshmë me gratë e tjera, një armiqësi e fshehur e rrjedhur prej kotësisë. Çë mendon? – Sa të jetë e veshur më mirë se shoqet, të ketë rroba dhe xhevahirë, të duket, të dëftehet! Çë bën tërë ditën? – Fjalë, intriga të vogla, vogëlsina.

A duhet ta lemë kështu, apo ta lartësojmë në qarkun e intelektualitetit, të çelim një horizont të kthjelltë dhe të shkëlqyer para syvet, ta shpëtojmë nga idetë përdhese, t’i japim një qok të lartë dhe të bukur?

Pa arsim, pa një instruksion, gruaja në shtëpi është një gjysëm-shërbëtore, edhe shërbëtore e keqe: e dijmë që në më të shumtët e shtëpivet punët janë lënë në duart e jevgave. Nuk përbuz një racë që punon, që ka cilësi të vlefshme si punëtor. Po, ne jevgën dhe evgjitin i konsiderojmë njerëz të shkallës së poshtme, u mohojmë çdo virtyt dhe çdo moral, dhe, me gjithë këtë, u lemë shtëpinë dhe fëmijën tonë në duart e tyre; u besojmë edukatën e çupave tona. Edhe një zonjë pret që jevga t’i ndreqnjë dhe t’i zbukuronjë shtëpinë, se vetë s’është e zonja, ose kotësija e saj dhe injoranca e bëjnë që ta shikojë si turp punën.

Vini re çë ngjet prapa murevet të odavet: rrallë burri e konsideron gruan si shoqe, si një shok jete me t cilin do të ecë në gjembat dhe në livadhet e këtij shtegu që i themi jetë, një shok prej krahut dhe mendjes së cilit duhet të jetë sigur, të kërkojë mbështetje, të ketë besim në i ngjaftë no një fatkeqësi, në qoftë nevojë edhe të mundnjë dhe të administrojë pasuninë, të rritnjë fëmijën. – Jo, gruaja sot konsiderohet si një gjysmë-shërbëtore, si një motër e fëmijës, po kurdoherë kalama.

Nuk pyes në i pëlqen gruas të rrijë në hall të sotmë, në ësht’ e kënaqur nga shorta e saj. Dihet se gruaja është konservatore; po është detyra jonë, e burravet, që i themi vetes më të mençmë se gruaja, ne që kemi edhe barrën të mendohemi për mirëshkuarjen e përbashkët, të përpiqemi të bëjmë shoqen tonë më të zonjën dhe më aktive; më veprimtare; më të dobishme nga ç’është sot.

Në qoftë se natyra e shtyn gruan të jetë konservatore, le të forcojmë tek ajo, jo karakteret e dëmshëm dhe shkatërronjës (smira, mërija, nakari, egoizma, kotësija, shpaga…) po cilësitë e virtytshme: dhembshuria, sakrifica, të ardhurit keq, të ndihmuarët e tyreve që vuajnë. (Kam dëgjuar se, në shumë rasje gratë, në formë mëme, motre as shoqe, kanë qenë shkak të shpagëmarrjes, të ndezurit e një zjarri përgjysmë të fikur. Më pëlqen më mirë të mos i besoj këto histori, të bj sikur e injoroj këtë cilësi të keqe dhe të ashpër të konservatorizmës).

Gruaja duhet të formojë një karakter të fortë.

Që të na jetë gruaja një shoqe e mirë, një mbështetje e shëndoshë, duhet ë karakteri i saj të jetë i fortë, mos të jetë si një karakter foshnjeje.

Edhe prapë vjen pyetja e përjetshme: ç’mund të presim prej saj në qoftë se nuk ka marë një stërvitje, një edukatë, një arsim?

Mbase natyra e saj, shtati dhe nervet e dobët, e shtyjnë të jetë pa vullnet dhe pa fuqi mbi veten e saj: të jetë e rrëmbyer, të zemërohet shpejt, të jetë skllave e ndjenjavet të saj, të mos mbajë dot lehtë veten e saj, të shtyhet dhe shumë herë të hiqet zvarrë prej pasionevet.

Kujdesi ynë duhet të jetë që gruaja të ketë një trup, një organizëm të shëndoshë që të mos vuaj nga dobësi e nervevet. Edhe prapë: Një grua që rron sot në Shqipëri, ato që formojnë gjysmën e njerëzisë, pa marrë erë pastrë, pa parë diell, pa no një farë ushtrimi trupor, a mund kurrë të ketë një shëndet të mirë, të jetë e zonja e nervevet të saj?

Sa të jet’ e zonja gruaja të qeverisë veten e saj, aq më tepër e dobishme, më e vlefshme do të jetë për shoqërinë, si shoqe, si drejtoreshë fëmije, si zonjë, si mis i kombit.

Stërvitni çupat tuaja të jenë të mira, me karakter të butë dhe të ëmbël, të kenë dhembshuri, jo vetëm për njerëzit, po edhe për shtazët dhe për bimët, për drurët dhe lulet; ndaloni të hyjë mërija dhe smira në zemrat e tyre; ndalojini të sillen keq me motrat dhe vëllezërit më të vegjël, dhe më tepër akoma, me shërbëtoret. Jini sigur se, kush sillet ligsht me shërbëtoret, kush i shan ose i rreh, nuk mund të jetë një shoqe ose një mëmë e mirë.

Do të repetojmë parpë; Në qoftë se gruas i është ngarkuar faji i kotësidashëse, koqete, madhështore në një formë stupide, shkaku s’është tjatrë veç se injoranca në të cilën mbahet, ne mungesa e një edukate dhe arsimi të mirë.

Familja është e vetmja shkollë

Njerëzi e sotme, demokratija ashtu sikundër që ka lindur pas ngjarjevet të mëdha të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë, beson me një konviksion të thellë se, shkolla, arsimi, mund dhe duhet të mbryjë njerinë në format që dëshirojmë t’i japim: mund që t;a naltësojmë në shkallët të njerëzisë; shkolla, arsimi, edukata shikohen sot si shenjtorët më të mëdhenj të botës, të zotër për çdo mrekulli.

I drejtë ose i gabuar, sido që të jetë, ky besim ka zënë rrënjë të thella: mbi këtë siguri dhe mbi këtë shpresë janë themeluar gjithë punët dhe përpjekjet tona. Me doemos duhet edhe ne t’i bindemi kësaj rrjedhjeje se është e vetmja fuqi prej së cilës mund të profitojmë. Le t’a përdorim mirë këtë fuqi dhe të përpiqemi të heqim soje fitimin maksimum.

Ajo pikë që na intereson në shkallën më të lartë është kjo: Shkolla më e mirë, e vetmja që ka fuqi dhe efekt, s’është godinë e katundit ose e qytetit, ku venë dhe këndojnë libra fëmija. Është shtëpia vetë, familja, prindërit. Sido që të bëjmë gjithë jetën tonë do të mbajmë të gjallë kujtimet e djalërisë, do të kemi përpara syve babën, dhe më tepër, mëmën tonë. Edukata dhe stërvitja që kemi marrë brenda murevet të asaj godine ku kemi lindur, dashkemi ose s’dashkemi, do të mbretërojë mbi sjelljen tonë, se ata kujtime kanë zënë vend të thellë, sado që edhe shpesh të padukur, në personalitetin tonë, në celulat tona.

Në duam që të edukojmë popullin, t’a bëjmë në një nivel me kohën dhe përparimin e sotëm, duhet që shkolla më kryesore, shtëpia, të bëhet e zonja për të mbushur rolin që i ngarkohet.

Edhe si mund që shtëpija, familja, të kenë autoritetin, dinjitetin, prestigjin e duhur në qoftë se gruan, drejtoreshën, frymëzonjësen e saj e mbajmë të pa zhvilluar moralisht, e lemë pa edukatë, pa arsim, e shtrëngojmë të mbetet vetë si kalama?

Prindërit, ati dhe mëma, kanë një përgjegjësi të tmerruar përpara fëmijës: nga shembulli që do t’u japim djemve dhe çupavet, dependon pritmi i këtyreve, lumturi dhe fatkeqësi e tyre. Duhet të bindemi sinqerisht: sa po bëhemi atë dhe mëmë humbasim lirinë tonë, kemi një barrë të rëndë kundrejt tyreve që lindin në shtëpit tonë, si edhe përpara shoqërisë dhe kombit.

Fëmijën tonë duhet t’a rritim me kurajo, fuqi morale, vullnet. Kur i edukojmë kemi nevojë për veten tonë të jemi të qetë, jo të rrëmbyer dhe hidhnak; nuk hyn më punë t’i shajmë dhe t’i rrahim: t’i bindim me një mirësi të fortë, t’i ndritojmë, padyshim duke përdorur nganjëherë edhe ndëshkime, po ndëshkime të drejtë, për të mirën e djalit, dhe jo për të nxjerrë inatin tonë, as për të marrë shpagë. Të ndruhemi përpara djemvet dhe çupavet prej çdo bisedimi që mund t’u bëjë dëm në vetijë dhe në karakter të tyre, prej çdo fjale që u jep një shembull të keq.

Përgjithësisht njeriu duhet të kujdeset që kuvendet dhe bisedimet e tij të jenë të dobishme, fitimprurës, me një qëllim. Ndruhuni, të dashura këndonjëse dhe këndonjës, prej fjalëvet të kota. Mos shpenzoni në dëm këtë indin e jetës sonë ëq e quajmë kohë.

Edhe më tepër se çdo send mësojini atyre që nesër do të bëhen gra dhe burra, mësojini se punimi, të punuarët, është ligji i përjetshëm dhe i përgjithshëm i rruzullimit, që pa punuar nuk rrohet në këtë jetë, nuk kemi të drejtë të rrojmë.

Në mendofshim se, në jetët kemi nevojë për një kapital njohurish, ndjenjash, parimesh të fortë; në paçim prezent në mendjet se, sa më i madh të jetë ky kapital moral aq më të lumtur e shkojmë jetën, aq më lehtë u bëjmë ballë fatkeqësivet që mund të na goditin, atëherë me të vërtet se shkalla e inteligjencës dhe e arsimit të gruas loz rolin më të madh në këtë botë.

 

Lumo Skëndo

Mësuesi  1927, 1928

 

Leave a Comment