Motra e vëllezër bashkëkombas

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj me përulësi për pjesëmarrjen në këtë kremtim të amëshuar të kthimit në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, figurës madhore të historisë, politikës  dhe kulturës  të kombit shqiptar.

Unë kam pasur fatin të nismëtarit dhe bartësit për në atdhe të eshtrave të Faik Konicës 23 vjet më parë, si kryetar i Komisionit të Kulturës dhe të Medias në Parlamentin e Shqipërisë. Po ashtu edhe sot vij në Neë York si drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” dhe si nismëtar për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Konica e kishte lënë amanet për dy metra varr në dheun shqiptar, Midhati e ka lënë amenet tek eseja “Kur të vdes” që ta varrosnin pranë institutit albanologjik që shqiptarët e ardhëm do të ngrinin, në një kodër të vogël, përbri një qiparisi, që të këqyrte e të merrte pjesë në gëzimet dhe pikëllimet e shqiptarëve. Amaneti i Konicës u plotësua para disa vitesh, amaneti i Mid’hat Frashërit fillon të realizohet qysh nga dita e sotme, qysh nga ky çast solemn i përcjelljes nga ju bashkatdhetarët e tij  të Amerikës. Ky akt madhor kombëtar e njerëzor, kjo ceremoni tejvdekësore, si për Konicën dje, ashtu edhe për Midhat Frashërin sot, shpesoj edhe për Fan Nolin nesër e të tjerët, që janë përpjekur për Shqipërinë dhe kanë lënë eshtrat në dhe të huaj, nuk mund të bëhet kurrsesi privatisht, as për përfitime politike apo partiake, por është bërë dhe po bëhet denjësisht nga shteti shqiptar. Ju qytetarë të lirë, që jetoni e punoni këtu në SHBA e dini se ç’është shteti demokratik dhe detyrimet e tij. Është pra edhe detyrë e shtetit shqiptar të vlerësojë e të nderojë figurat e shquara te kombit, për më tepër se mjaft prej tyre janë përbaltur, sakrifikuar apo vdekur larg atdheut. Por puna e vepra e tyre e çmuar mëmëdhetare ka mbetur. Për më tepër, M.Frashëri i ishte edhe një burrë shteti i madh.

Mid’hat Frashëri ka qenë jo vetem një personalitet i madh shumë dimensional si atdhetar, rilindës, veprimtar i Pavarësisë, firmëtar i aktit të Pavarësisë, mbrojtes  shkëlqyer  integritetit territorial, identitetit kombëtar e moral, luftëtar  antifashist,  kryetar i Ballit Kombëtar, një evropianist i madh, por edhe një shtetar model si ministër i qeverisë së Ismail Qemalit (1912), ministër në qeverinë e Widit (1914), kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencen e Paqes në Paris dhe ne Lidhjen e Kombeve (1920-1922), ambassador në Athinë dhe në fund kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në vitin 1949.

Më lejoni të kujtoj se në vitin 1919, Mid’hat Frashëri si delegat i Federatës panshqiptare “Vatra” në Konferencën e paqes në Paris, i drejtoi Presidentit Uilson një promemorie si edhe 6 hata etnografike për ta njohur me çështjen shqiptare, dhe dihet roli i madh  shpëtimtar presidentit amerikan per Shqipërinë; gjithashtu,  kur u rithemelua shteti shqiptar nga kongresi i Lushnjës, Mid’hati erdhi këtu në SHBA dhe siguroi mbështetjen politike të shtetit amerikan për Shqipërinë si edhe ndihmën materiale nga bashkëkombasit, ndihmë shumë e konsideruashme, që iu dërgua Shqipërisë nëpërmjet Federates atdhetare Vatra. Midhat Frashëri, si kryetar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e çështjes shqiptare  të rrezikuar, veçanërisht çëshjen e Kosovës dhe të Çamërisë së martirizuar. Fjalimet e tij janë model i diplomacisë shqiptare dhe evropiane.

Shteti amerikan i dha Mid’hat Frashërit statusit e personit të rëndësishëm për Sigurine e SHBA, kur Mid’hati u zgjodh kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë  dhe u vendos  me seli në Njy York. Ky komitet ishte qeveria në hije e Shqipërisë në emigracion, dhe Mid’hati u përzgjodh nga anglo-amerikanët si kryeministër i asaj qeverie demokratike dhe perëndimore, pasi të rrëzohej diktatura  komuniste.

Për fat të keq, Mid’hati, që gëzonte shëndet të mirë, papritur u gjet i vdekur në hotel Vithtrop më 3 tetor 1949 këtu në Nju York. U konstatua thjesht një atak kardiak dhe vetëm kaq. Por nga të dhënat e fundit, rezulton  varianti i vrasjes së tij ( shkaktimi i infarktit te miokardit  nëpërmjet metodave kimike të agjentëve të fshehtë të Sigurimit rus, siç po ndodh edhe sot). Kim Filbi, agjenti i shërbimit rus, udhëtoi në të njëjtën kohë më Mid’hatin nga Londra për në SHBA dhe mendohet se ai ose agjentët rusë në SHBA kanë vepruar për të asgjesuar M.Frashërin, sic vepruan edhe me disa personalitete  të tjera antokomuniste të Lindjes, si Stefan Bandera, Lev Rebet , Georg Markov etj. Kohët e fundit kam zbuluar një dokument të arkivave të fshehta të qeverisë komuniste shqiptare, ku shprehet qartë vendimi i saj për të zhdukur M.Frashërin, përpara se sa ai të lidhej me  koloninë shqiptare të Amerikës, Po e citoj një fragment nga ky dokument:

”Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Mid’hat Frashëri nuk e fut kollaj këmbën në atë koloni. Për kjo duhet bërë sa me parë.”

Ky ishte vendimi i qeverisë shqiptare pë ta asgjësuar Mid’hat Frashërin  si kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë, i cili e akuzonte qeverinë komuniste te Enver Hoxhës si “satelite e rusisë staliniste” dhe shkaktare shtypjes e të mjerimit të popullit shqiptar”.

Sigurimi i shtetit shqiptar u lidh me KGB ruse për ta realizuar këtë vendim. Vdekja e M.Frashërit ishte një goditje e rëndë për kombin, politikën dhe kulturën shqiptare. Po vepra e tij madhore nuk vdiq. E kishte thënë vetë ai: ”Ne do të humbasim luftën, sepse nuk mund ta pengojme dot komunizmin që mbështetet e përkrahet  nga jashtë… ndërsa nga brenda përdor dhunën, terrorin dhe shkatërrimin, por fara që kemi hedhur nuk do të humbasë, se do të vijë një ditë kur ajo do të mbijë”. Dhe kjo farë mbiu dhe u rrit. Në Shqipëri e në Kosovë dhe kudo që ka shqiptarë .Vepra e Mid’hatit është pjesë e rëndësishme e luftës për pavarësi, për liri, për identitet e bashkim kombëtar, për shtet demokratik,  për zhvillim kapitalist modern, për qytetari, kulturë dhe integrim perëndimor në mbrojtje të Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Do të ndalem vetëm në një moment. Në vitin 1929, në mesin e moshës së tij, ai la një testament, që e depozitoi në gjykatë, në të cilim thoshte se linte gjithë pasurine e tij dhe të familjes Frashëri për themelimin e  Institutit te studimeve shqiptare, Këtë  ëmdërr të tij e plotësuam ne, kur themeluam Institutin e studimeve historike  me emrin “Lumo Skendo”  në vitin 2015 bashkë me  z. Agron Shehaj, që ndoshet këtu, si bashkëthemelues i institutit dhe deputet të PD në Parlametin e Shqipërisë.

Instituti “Lumo Skendo” po boton vepren e plotë të Mid’hat Frashërit në 13 vëllime, një  kulturë kombëtare e jashtëzakonshme, e munguar,tejet e dobishme dhe aktuale, që po i kthehet Shqipërisë dhe kombit.  Po kështu,  më 14 nëntor ,  ditën e për vjetorit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit ishte M.Frashëriu, Instituti ynë ka realizuar bustin në bronx të Mid’hat Frashërit, që do të vendoset në kodrën e parkut të  madh të Tiranës, në mes të qiparisave, ashtu siç dëshironte ai, dhe pranë babait të tij, Abdyl Frashërit , në krah të xhaxhallarëve Naim e Sami Frashëri dhe Faik Konicës, korifenjtë e shqiptarizmës dhe të kulturës shqiptare.

Ju falënderoj juve bashkëkombasve , që jo vetëm që përsëgjalli e kini admiruar dhe dhe ndjekur pas brez pas brezi Mid’hat Frashërin edhe sot  persëvdekuri, por të ringjallur shpirtërisht po e  nderoni në në këtë përcjellje kombëtare, duke nderuar kështu edhe veten tuaj.

Sepse, siç thoshte ai: “Një varr nuk e mbulon kurdoherë një njeri të vdekur.

Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma.

Nuk ka të bëjë zhdukja e turpit nëse ideja rron, kur ajo ide ngjall 1000 shpresa dhe entuziazëm tek të tjerët dhe bashkë këto janë jetë e vërtetë”

Midhat Frashëri pati nje jetë dhe nje vepër të jashtëzakonshme në shërbim të kombit, por edhe la një trashëgimi të pashlyeshme, një jetë shpirtërore të pavdekshme, një jetë të vërtetë pas vdekjes, që fillon pasi mbaron fryma.

 

1 Comment

Leave a Comment