Nga Anglia ai shkoi në ShBa, në Nju Jork, ku komiteti do të kishte selinë e përhershme, si edhe një mbështetje më të madhe të qeverisë amerikane dhe të lobit shqiptar atje. Kryetari i Komitetit, M. Frashëri dhe anëtarët e tij, A. Kupi, S. Kryeziu, Z. pali dhe N. Kota, u pritën nga Kryetari i Komitetit “Europa e Lirë”, (themeluar më 1 qershor 1949), Joseph Grew dhe më pas edhe nga zëvendësndihmës i shtetit amerikan, Levling Thomson. “Ishte një nder i madh dhe ne ishim shumë të kënaqur, meqenëse askush nuk na kishte ftuar në Foreign Office, kur ishim në Londër, – shkruante Said Kryeziu – duhet ta kuptonit gjendjen tonë. Ishim njerëz të humbur dhe të braktisur, disa prej nesh të sapodalë nga kampet e refugjatëve. E ngriti shumë moralin tonë pritja prej një përfaqësuesi të Qeverisë amerikane. Kjo na jepte të kuptonin se do të bëhej diçka për të çliruar vendin tonë”. Në një pritje në Washington për nder të Komitetit “shqipëria e lirë”, ku ndodheshin personalitete të larta amerikane dhe të organizatës “Evropa e lirë”, Mid’hat Frashëri, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha:

“Shpresojmë që t’i japim zemër popullit shqiptar në rezistencën e tij kundër tiranisë së egër komuniste dhe të ndihmojmë për të organizuar shqiptarët jashtë Shqipërisë, që ajo të ketë ndihmën e tyre të plotë në këtë luftë. Populli në Shqipëri, duhet ta dijë se kundërshtimi i shtypjes komuniste është i përbotshëm dhe se fuqia e kombeve të lirë, si dhe forca e institucioneve ndërkombëtare po shtohet dita-ditës”.

Mirëpo ndodhi fatkeqësia e papritur. Ndërsa Abaz Kupi, Said Kryeziu dhe Zef Pali u kthyen në Romë për të kryer detyrat e tyre atje, Mid’hat Frashëri dhe Nuçi Kotta u kthyen nga Washingtoni në New York dhe u vendosën në hotelin Winthrop. Më 3 tetor 1949, ora 9.25, Mid’hat Frashëri vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në atë çaste dhe sipas ekspertizës mjekoligjore, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit. Ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo gazit nëpërmjet agjentëve të KGB-së). Kim Philby, agjent i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur ishte shpallur Komiteti “Shqipëria e lirë”, ndërkohë që ishte nisur në atë kohë për në SHBA, mendohet se mund të ketë vepruar bashkë me agjentët e fshehtë të KGB-së, mbi Mid’hat Frashërin për ta asgjësuar, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes si Stefan Bandera, Lev Rebet, Georg Markov. Në mbështetje të këtij varianti është edhe shqetësimi i madh i qeverisë komuniste të Tiranës për themelimin e veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e lirë” dhe të Mid’hat Frashërit. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, shkruhet:

“Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin… Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona aktive ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Midhat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto duhen bërë sa më parë”. Trupi i Mid’hat Frashërit u varros me nderime në varrezat Femchff në New York, ku e ka edhe sot varrin. Një varr i thjeshtë, i sheshtë e në mes të barit, me mbishkrimin e vetëm: “Mid’hat
Abdyl Frashëri- 1880-1949”. Fjalën e lamtumirës e mbajti Nuçi Kotta në emër të Komitetit “Shqipëria e lirë”. Bënë homazhe personalitete te SHBA dhe të organizatës “Evropa e Lirë”. Në Paris, kur dha një konferencë shtypi me rastin e shpalljes së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, një gazetar e pyeti: “Ç’ishit ju më 1939? – Isha vetëm shqiptar! – iu përgjigj Mid’hati. Ai mbeti shqiptar deri në frymën e fundit, u shua si shqiptar dhe mbijetoi në ndërgjegjen e kombit si shqiptar, vetëm shqiptar…

Vdekja e Mid’hatit ishte një goditje e rëndë për kulturën shqiptare. Një nga njerëzit e shquar kulturës, që e përjetoi më dhimbje, ishte edhe albanologu Zef Valentini. Në letrën që i dërgonte studiuesit dhe publicistit të njohur, Tajar Zavalani, më 30 tetor 1949, i shkruante se Mid’hati qëndronte me lart se Faik Konica për nga kultura historike, ndjesia e traditave, drejtpeshimi filozofik:

“Q’me kohë mora prej miqvet shqiptarë të këtushëm lajmin e idhtë të largimit të Midhatit. Mjerisht sot Shqipnija nuk ka nji shtyp qi të jetë zani i saj e qi të mundet me kujtue meritimet e këti njeriu, i cilli pa dyshim për këdo – mik a anmik politik të të ndjerit – ka përfaqësue gjithmonë e pothue vetun një ide: atë të sjelljes politike, jo mbas drejtimit të tjetërkuj, qoftë edhe të shumicës, por vetëm të mbushmendjes së vet, e prandaj të ndërgjegjes. E këtë, me një shpirt krenarije të pajustifikueme prei kompetencës kulturale, por me një drejtim qi, kur e mendoj, më kujton typin e “klerikut” I. Benda, qi kurr nuk e ka tradhtue shpirtin, por n’atë kullën e vet të fildishit, edhe kundra çdo interese praktike, personale, të përkohshme, gjithnji thotë fjalën e së vërtetës e të shpirtit. Njij mendje këtu me Faik Konicën, por me nji thellsi ma të madhe, masi kultura historike, ndjesija e traditavet, drejtpeshimi filosofik e qindresa ndër mendime qe ma e madhe në Mid’hatin sesa në Faikun”. Është e habitshme, që lajmi i vdekjes së Mid’hat Frashërit, arriti së pari, ndofta në mënyrë të nëndheshme, në burgun e Burrelit, ku ishin mbyllur mjaft nga bashkëpunëtorët dhe ithtarët e tij. Një ndër ta, poeti Kudret Kokoshi, krijoi me mend dhe ua kumtoi të burgosurve politikë një sonet, jo me tingëllime elegjiake apo mortore, por me nota optimiste dhe përjetësie:

Në dhé të huaj larg Shqipes me gjak lagur,
Që Ti me ankth kaq shum’ e dashurove,
Në dhé të largët prej fatit i përflakur,
Atdheut të vuajtur jetën i dhurove.

Baba i kombit, ndër beteja plakur,
Ti zemrat tona me ideal i ngrohe
Rrugës së jetës sonë të përgjakur,
Në terr, Promethe, ti na ndriçove!

Ndër male e fusha nga veriu në lindje,
Gjëmon jehona e thirrjes shpëtimtare:
Vrapo, vrapo Shqipëri për në Rilindje,
Vrapo nën dhé, se na prin Mid’hati!

Falanga e kombit po vërshon me bindje,
me idet’e Lumos, pa u trembur fare.

 

Uran Butka

 

Leave a Comment