67 vjetori i vdekjes së Mid’hat Frashërit

Më 3 tetor të vitit 1949, ora 09.25 në New York, ndërroi jetë Mid’hat Frashëri, shërbestari i Shqipërisë. Sipas autopsisë që iu bë në spital, u konstatua se vdekja i ishte shkaktuar nga i infarkti miokardit. Ekziston edhe një variant i dytë i mundshëm, se infarkti i është shkaktuar nëpërmjet ilaçeve apo mënyrave të tjera nga ana e agjentëve të KGB ruse, që vepronin kundër Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qendër në New York. Mid’hat Frashëri ishte kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ose qeveria në mërgim, e mbështetur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mendohet se për vdekjen e papritur të Mid’hat Frashërit ka gisht Kim Filbi, agjenti i dyfishtë, i cili ishte në Londër në shtator të vitit 1949, kur Mid’hat Frashëri shpalli Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe njëkohësisht Kim Filbi gjindej në New York, kur Mid’hati u vendos atje. Është e mundur që ai të jetë asgjësuar nëpërmjet Kim Filbit nga Sigurimi Sovjetik, në bashkëpunim me Sigurimin Shqiptar, ashtu siç u veprua edhe me disa personalitete antikomuniste të Lindjes si Bandera, Markov etj.
Trupi i Mid’hat Frashërit u varros me nderime në New York. Një varr i thjeshtë, mes barit e luleve, me mbishkrimin e vetëm: Mid’hat Abdyl Frashëri, 1880-1949.

Leave a Comment