Instituti i Studimeve historike “Lumo Skendo” për nder të heroit të madh kombëtar-Skënderbeut dhe mbrojtësit të qytetërimit Evropian, do të botojë në këtë vit jubilar Veprën II të Mid’hat Frashërit, ku ndodhen edhe mjaft studime për Skënderbeun dhe figurat e tjera të mëdha të kombit.
Po japim për ndjekësit shkrimin “Skanderbegu” të Lumo Skëndos, (Mid’hat Frashërit) botuar në gazetën “Albania” te Faik Konicës në Bruksel, në vitin 1896, kur Mid’hati ishte 16 vjeç.
SKANDERBEGU
Shqiptarë! A e njihni këtë emër? Ky burrë është trimi i Shqipërisë, që qe munduar 30 vjet për lirinë e saj. Emri i vërtetë i tij është Gjergj Kastrioti dhe i ati quhesh Gjon Kastrioti; ka lindur më 1405 në Krujë. Mbret i Turqisë quhesh Murati II; si mundi t’anë e Skanderbegut, e kish marrë edhe Gjergjin së bashku me tre vëllezërit e tij në 1423. Në mes të vëllezërve, Gjergji, që mori emrin Skanderbeg, ish më trimi, m’ i forti, e m’i bukuri. Murati e donte shumë dhe e bëri krye në ushtri; e në çdo luftë q’e dërgoi, burri shqiptar qe gjithënjë mundës [ngadhënjyes], e kurr’ i mundur. Po turkut të lig, Muratit, zu t’i vijë zili dhe donte të humbasë Skanderi. Shumë herë thërriste njerëz trima e të fortë, dhe i vinte të luftojnë me shqiptarët, duke shpresuar se Skanderbegu do të vritej ndonjë herë. Po ky, gjithënjë qe ngadhënyes; Muratit i shtohej nakari, dhe të tre vëllezërit ia helmoi; vetëm këtë kish frikë ta humbiste, se ushtria e donte fort tepër; e kush nuk do një shqiptar me shpirt si Skanderin? Në çdo luftë ish mundës dhe shumë trimëri kish treguar. Po trimit zemra s’i rrinte e përejtur [e qetë]; mendohej kurdoherë për mëmëdhenë e tij; lot i vinin shumë herë. I ati Gjoni vdiq dhe armiku e bëri Shqipërinë të tij.
Më 1449, Murati, me ushtri të madhe vajti vetë në Shqipëri edhe qëndroi përpara Krujës; po trimat e mundnë dhe e dëbuan. O i mjerë Murat, e qysh guxon të vesh në atë vend të bekuar, atje tek rrinë Perënditë! Në 1451, Murati vdiq dhe hipi në fron Mehmeti II, i cili mori Stambollin. Mbretërit e Evropës u gëzuan tepër, se të mos qe burri shqiptar, halldupët si qenër të tërbuar
kishin për të tmerruar tërë Evropën. Po nga këta mbretër, asnjë s’dërgoi ndihmë në Shqipëri. E ç’e do ndihmësin vendi ynë, kur ka trimin mbret?
Mehmeti dërgoi 50. 000 ushtarë në Jug të Shqipërisë; Skanderbegu i mundi e i dëboi; në këtë kohë u hodh në Itali për të ndihmuar Ferdinantin. Ah, o trim! Sa njeri i mirë je, sa shpirt të lartë ke. Sot, pse s’ka njerëz si ty në Shqipëri? Eja një herë të na shpëtosh dhe tani nga zgjedha. […]
Sado që s’qe i plagosur, trimi me fletë i Shqipërisë, ai burrë zemërflorinjtë, mendjeflakti, ai që u përpoq për lirinë e mëmëdheut, ai që i mundi 20 herë barbarët turq, më në fund frym’e tij u shua. E zeza vdekje i erdhi, kur s’kish më shumë se 63 vjet, më1468. Pse moj vdekje e shkretë godite atë trim? Pse s’e le të kish shpëtuar mëmëdhenë? Turqit, pas Skanderit pak nga pak e
morën Shqipërinë. O djemt’e Shqipërisë!… Me ç’faqe mund të dalim sot përpara botës, ne që po mbajmë zgjedhën e të huajve në zverk! A nuk jemi shqiptarë, të bijtë e Skanderit? Pse rrimë nën turqit ne? Ne që gjithë bota na kanë për trima, ç’flemë dhe nuk zgjohemi ?
FRASHËRI Skëndo
Albania, nr.3, Bruxelles 1896
Leave a Comment