Vepra e Mid’hat Frashërit është në përputhje me formimin intelektual, jetën e tij të jashtëzakonshme dhe çështjet madhore të botës shqiptare, ballkanike e më gjerë, ndaj edhe personaliteti e vepra mid’hatiane për nga vlerat, problematikat, shtrirja dhe vizioni janë të përmasave evropiane.

Mid’hati jetoi dhe veproi në katër periudha të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në atë të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës dhe u shqua si rilindës, misionar dhe shkencëtar. Mandej, për një gjysmë shekulli, ky shërbestar i Shqipërisë shfaqet dukshëm si veprimtar i pavarësisë, burrë shteti, mendimtar elitar, diplomat, politikan, ekonomist, analist, lëvrues e studiues i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, publicist, shkrimtar, historian, gjeograf, sociolog, eseist, përkthyes, kritik, psikolog, edukator, biograf, bibliograf, librar, kronikan, antikuar i botimeve të vjetra shqipe, lider i nacionalizmit shqiptar, apostull i shqiptarizmës, kampion i kulturës shqiptare. Një figurë poliedrike me një prodhimtari të jashtëzakonshme në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, në kulturën shqiptare dhe në atë evropiane. Mjerisht, bota intelektuale shqiptare dhe evropiane sot e njeh paksa, madje njëanshmërisht, sepse për një gjysmë shekulli regjimi komunist e paraqiti me tendenciozitet grotesk vetëm politikisht. Prandaj, hulumtimi, ndriçimi dhe botimi i plotë i veprës së Mid’hat Frashërit është tepër i nevojshëm, jo vetëm për ta njohur tërësisht, për ta zhbaltur e vlerësuar objektivisht, por edhe për t’i kthyer Shqipërisë një pasuri të varrosur kulturore dhe atdhetare tepër aktuale, për t’i kthyer asaj një shqiptar të madh dhe për të mundësuar një rishikim të historisë, ku ai ka qenë edhe dëshmitar, edhe historian edhe kronikan, edhe protagonist i kombit dhe i kultures shqiptare.

Një nga arritjet më të mëdha të Institutit “Lumo Skendo”, perveç botimit te vepres se plotë të vepres se tij te zgjedhur, eshte sjellja e eshtrave te tij nga New Yorku në atdhe dhe vendosja e tyre me nderime te medha shteterore ne memoriali tek Kodrat e Liqenit, krahas vëllezerve Frasheri dhe Faik Konicës.

Foto te bustit nga skulptori Agim Rada, sponsorizuar nga Instituti “Lumo Skendo”

Mid’hati u lind në Janinë më 25 Mars 1880, në kulmin e veprimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I ati, Abdyl Frashëri, personalitet i shquar i Rilindjes dhe udhëheqës i Lidhjes Shqiptare, ishte në Prizren, kur lindi Mid’hati. U kthye nga Kosova, për të organizuar kuvendet e Janinës (21 maj 1880), Frashërit (9 maj 1880) dhe Gjirokastrës (korrik 1880) dhe u kthye sërish në Prizren ( dhjetor 1880), kur i biri nuk e kishte mbushur ende motin. Pas shtypjes së Lidhjes, Abdyli u burgos nga qeveria turke dhe u dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm dhe u mbyll në kështjellën e Prizrenit i lidhur në pranga, prej vitit 1881 deri në vitin 1884.

Mungesa e babait, ankthi i gjysh Halitit, gjyshe Eminesë dhe mëmës së tij, Ballkizit për shëndetin e tij të rrënuar në burg, shqetësimi i vëllezërve Frashëri dhe i atdhetarëve të tjerë për jetën e Abdylit, qëndrimin e tij i pabindur në gjyq e në burg, por edhe për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë, përcilleshin dhe ndikonin fuqishëm tek Mid’hati i vogël.

“Që në fëmijërinë time, – shkruante ai më vonë, – që kurse mbaj mend, kam dëgjuar në shtëpi fjalë për Shqipërinë, dua të them bisedime mbi të drejtat e saj, fjalime që dilnin nga parimi i kultit të mëmëdheut, që buronin nga dashuria për Shqipërinë dhe nga detyrat e çdo shqiptari për truallin e vet. Këto i dëgjova për të parën herë kur fillova të flas, ahere, që qeshë dy vjeç në Frashër, më vonë në Janinë, nga nëna ime dhe nga gjyshi, kur bëhej fjalë për tim atë që gjendej burgjeve të Prizrenit. Kur vamë në Stamboll, kjo mënyrë kuvendimi për Shqipërinë vazhdoi prej ungjërve të mi, Naimit e Samiut që flisnin përpara meje me miqtë. Mbaj mend Jani Vreton, Pandeli Sotirin, ose në mes të tyre nënën time”.

Më pas, takimi tronditës me të atin, pas lirimit të tij nga burgu dhe bashkimi i tyre në internim (1884-1886) dhe në Stamboll (1886-1892), lanë mbresa të pashlyera te Mid’hat Frashëri i vogël dhe i ngjizën atij përfundimisht përkushtimin e shërbestarit të Shqipërisë, si edhe vullnetin për ta vazhduar udhën e mundimshme, por të lavdishme të Abdylit, meqenëse ky atëbotë kishte zënë shtratin.

“Isha pesë vjeç, kur e njoha për herë të parë t’im atë, në Banderma, kur u fal prej burgut, po qe akoma i dënuar në mërgim. Im atë fliste mirë, qe elokuent, i pëlqente bisedimi. Në mërgim, edhe më tepër akoma në Stamboll, me miqtë që vinin ta vizitonin, im atë, subjektin e preferuar të kuvendimit e gjente në të rrëfyer të ngjarjeve të pasluftës ruso-turke, të kujtimeve të Lidhjes e shpresat për të pritnim. Kështu që ca nga ca, në mënyrë inkoshiente, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij mori për mua vendin e një besimi fetar” – shkruante Mid’hati.

 

VEPRA E ZGJEDHUR E MID’HAT FRASHËRIT

Vepra e zgjedhur e Mid’hat Frashërit (Lumo Skendo)prej 13 vëllimesh, që po boton Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”, një pasuri e madhe historike dhe kulturore, e munguar,  që  kthehet më në fund kombit dhe Shqipërisë. Deri tani janë botuar tri vëllime, i katërti është në shtyp.

Ndërsa vëllimi I përfshjin publicistikën e zgjedhur, qysh nga viti 1896 kur ishte 16 vjeç e deri në vitin 1949,  kur u themelua “Komiteti Shqipëria e Lirë”, dhe vëllimi 2 përmbledh gjithë veprat e tij madhore historike dhe politike, si Shqiptarë e sllave, Çështja e Epirit, Rivendikimet shqiptare, Shqiptarët në vend të tyre dhe jashte, Rilindja shqiptare etj, ndërsa në vëllimi III ngërthehet gjithë  vepra e tij kulturore:

Prozat e tij poetike, drama “Foleja kombëtare”, si edhe kujtimet e jashtëzakonshme  me ngjarje dhe peronalitete historike si Abdyl Frashëri, Naim Frashër, Sami Frashëri, Ismail Qemali, Esat Toptani, Ahmet Zogu ,Faik Konica, Gjergj Fishta, e qindra të tjerë, siç i ka njohur ai drejtpërdrejt. Bie fjala ka një memorie “Viti 1912”, ku portretizohen gjithë minisrat e Qeverisë së Vlorës, apo “Kujtime te vitit 1922 ”Këshilli i minisrave ne mes të natës” tek hotel Internacional….

Mandej analiza dhe kritika të thukta për gjithë botimet që benin fjalë për Shqipërinë, të autorëve shqiptare e te huaj, që e vendosin M.F si një figurë me përmasa evropiane.

Vepra IV, që po pergatitet për botim, përmban pershtypjet e tij te udhetimeve nepër Shqipëri, por edhe ne botë: Stamboll, Selanik, Paris, Gjenevë, Lozanë, Sofje, Bukuresht, Barcelonë, Athinë, Londër, New York, pershkrime te jashtëzakonshme historike, gjeopolitike, kulturore

Po ashtu risi paraqesin memeoriet e tij , kujtimet e jashtëzakonshme për ngjarjet historike dhe pesonalitetet e botes shqiptare dhe evropiane pa te cilët nuk mundtë shkruhet historia e kombit dhe e kulturës shqiptare dhe më gjerë.

DISA MENDIME ( FJALË TË URTA)TË MID’HAT FRASHERIT:

Mid’hat Frasheri është edhe një mësues i madh, por edhe profet i pagabuar. Mesazhet që sjell sot jane mësime të dobishme për gjithë shqiptarët, për në ate kohë, sot dhe neser:

S’jemi mëmëdhetarë të gënjeshtërt që të themi se shqiptari duhet të rrojë edhe paskëtaj kështu, me atë liri të egër e të rrezikshme. S’është lumturia me të rrojtur si dhitë në majë të malit, s’është rrojtje ajo jetë gjithnjë në frikë e në zihje, gjithnjë me pushkë në dorë dhe me vdekje ndër dhëmbë!…Liria është një mjet, është një derë, nga e cila hyjmë në fushë të gjerë të përparimit e të qytetërimit.

*

Shqiptarët kanë ditur të ruajnë gjuhën, ndërgjegjen kombëtare si edhe solidaritetin e tyre etnik.  Besimet fetare nuk kanë mundur t’i shkëpusin këto lidhje. Shqiptari, përpara se të jenë mysliman, orthodoks apo katolik, është shqiptar.

*

Dhjetë vjet më parë, lidhkat tona për Shqipërinë i ushqente dhe i forconte një literaturë idealiste, kurse dhjetë vjet e tëhu, literatura jonë u bë thjeshtë politike, dua të them e “politikës së madhe”, e asaj që bëhet në kafenetë… me fjalë të thata, të ashpra, aq të shëmtuara sa edhe të kota. Edhe kjo shpjegohet lehtë: dhjetë vjet më parë inati zbrazej mbi armikne huaj, kurse tani e derdhim mbi vetë shqiptarin. Pak punë më tepër dhe sa më pak inat, do të qe më mirë.

*

T’u dogj shtëpia një herë? Ke për ta bërë prapë. Edhe një here zjarri ta bëri hi, ti përsëri do ta ngresh. Tërmeti ta bëri gërmadhë,ti do ta ndreqësh rishtazi… Njëqind herë të ma marrë ujët ledhin, njëqind herë jam i shtrënguar ta ngreh. Dyqind herë të ma djegë kashtoren zjarri, dyqind herë jam i shtrënguar që ta thur

*

Ballkani nuk e ka njohur kurrë paqen. Qysh nga fillimi i historisë në këtë qoshe fatkeqe të tokës nuk ka pasur veçse luftëra të brendshme dhe shkatërrime të çdo lloji… Do të ishte mirë që për popujt e Ballkanit të frynte një erë e re, era e paqes dhe e qetësisë, jo duke e mbyllur, por duke e murosur tempullin e Janusit.

*

Populli ynë kënaqet me pak, dua të them me bukë të misërt dhe me shëllirë dhe i bën shyqyr perëndisë! Të pasurit e nevojës për një rrojtje më të mirë dhe e luksit, e bëjnë njerinë të punojë dhe të fitojë gjithnjë e më tepër. Puna sjell kapitalin. Ndërsa selamllëket dhe kafenetë bëhen fole e intrigave, zihjeve, përtacisë dhe vanitetit. Edhe kështu, për fatin tonë të zi, shohim sot kafenetë dhe selamllëket plot pluhur, hi dhe baltë, mbushur me njerëz përtacë, që shkojnë të njëzet e katër orët e ditës me politikë, duke hapur gojën që t’u bjerë një hallvë e gatuar në kuzhinën e Evropës

*

Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me lëvizjen demokratike.

*

Roli i gazetarit është i komplikuar, se duhet të jetë tërë në atë kohë edhe një mjek, që shëron sëmundjen,  edhe një meshtar, që kujdeset për shpirtin, edhe një avokat, që mbron të drejtat, edhe një gjykatës, që ndan gjyqin.

*

Në parlament kombi do të bënte stërvitjen e tij politike, gjithë duke shfaqur zotësinë për një edukatë të tillë. Provim i vështirë, padyshim, sado që kuvendet, pleqësitë, gjyqet kanë qenë prej institucioneve më të vjetra të vendit. Në këtë degë të jetës shoqërore problemi më i rëndë ishte të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat tërheqëse të një ekstremizme të marrë,  as edhe të lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste…Detyra e parlamentarëve dhe e intelektualëve është që të kujdesen për ndryshimet e duhura pa zgjuar çbesim dhe zihje të panevojshme…

*Duhet të na mbushet mendja se një Shqipëri gjysmë e qytetëruar, gjysmë në dritë e gjysmë në errësirë, nuk rron dot dhe shumë kohë…Qytetërimi vjen nga zhvillimi politik, ekonomik, arsimor e kulturor në një Shqipëri të lirë e demokratike.

*

Problemi shqiptar, sot për sot është një problem ekonomik

*. “Shqiptarin e prishur mosbindja dhe jo bindja, shkruan ai. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”. Ai kërkon që shqiptari të çlirohet nga “të qepurit pas qeverisë”, të bëhet sa më i pavarur, së pari moralisht dhe ekonomikisht. “Që të zgjojmë frymën e inisiativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë…Përparimi i një kombi varet nga përmirësimi dhe naltësimi i çdo individi, që formon këtë komb”- shkruan ai.

*‘Qeveria, nuk mund  të jetë përveçse qysh jemi ne.

*Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një përiudhë disavjeçare dhe ne mendojmë se Republika e Madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin duke realizuar këtë mision”

 

Uran Butka

Leave a Comment