Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” i historianit Uran Butka, zbardh me dokumenta autentike të vërtetën e asaj masakre që ndodhi në vitin1945, duke filluar nga muaji mars dhe prill 1945.
Zoti Butka, cili ka qenë motivi që ju shtyu të shkruani librin “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”?
Të them të vërtetën për këtë masakër, nga më të mëdhatë në Ballkan, për të cilën është heshtur qëllimisht afro 70 vjet, për të fshehur gjurmët e krimit.
Pse pikërisht tani? A mos jeni ndikuar nga politika?
Aspak. Në këtë studim por edhe në punimet e tjera me karakter historik, jam mbështetur tërësisht mbi dokumentet, duke bërë një interpretim shkencor, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika. Përndryshe do të ishte një dështim. Edhe personalisht, sikurse dihet, jam larguar me kohë nga politika.
Sa kohë ju është dashur të mblidhni dokumentet, ta hulumtoni ngjarjen dhe ta shkruani këtë libër studimor?
Qysh në vitin 1995 shkrova sprovën e parë për këtë masakër dhe e botova tek libri “Ringjallje”, por studimi nuk ishte i plotë dhe i dokumentuar sa duhet. M’u deshën 16 vjet kërkimesh që të arrija tek ky botim i plotë, gjithsesi joshterues.
Libri juaj është bazuar mbi një mori dokumentesh, një pjesë e mirë e papublikuar më parë dhe e klasifikuar “tepër sekret”. Si ia dolët?
Botimi “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” është bazuar në dokumente të nxjerra nga arkivat e ish-Jugosllavisë (Arkivi historik i Beogradit), nga arkivi shtetëror i Maqedonisë, nga arkivi i Kosovës dhe nga arkivat e Shqipërisë, kryesisht nga Arkivi Qendror dhe ai i Ministrisë së Brendshme. Natyrisht, të gjitha dokumentet e hulumtuara mbanin shënimin “tepër sekret”, por që tashmë thuajse janë deklasifikuar. Përveç këtyre dokumenteve janë përdorur, pasi janë krahasuar dhe konfirmuar për vërtetësinë e tyre, edhe dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës, si dëshmitë tronditëse të Azem Hajdinit, Bajram Golës e të tjerë, që janë publikuar me kurajë qytetare e njerëzore qysh në regjimin politik të ish-Jugosllavisë. Gjithashtu, janë vjelë edhe dëshmitë e dhjetëra të mbijetuarve shqiptarë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri .
Ju bëni përgjegjës për këtë masakër shtetin komunist jugosllav, por edhe shtetin komunist shqiptar, që sipas jush, ka bashkëpunuar dhe është bashkëfajtor për masakrimin e mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Ku konsiston ky bashkëpunim?
Përgjegjësia kryesore është e shtetit jugosllav, i cili ishte projektuesi dhe zbatuesi i kësaj ploje të përgjakshme me përmasa ballkanike. Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim, ose t’i shpërngulim.” Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht genocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtarë. Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaro-madh”, si luftë kundër reaksionit të djathtë antikomunist në Kosovë e viset e tjera shqiptare, si luftë kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht. Por në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithë më këmbë dhe i armatosur (qoftë partizanët e brigadave NÇ të Kosovës, qoftë nacionalistët) për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër në Kosovë, për ripushtimin e dhunshëm të saj, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë. Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I: “Lajmëro Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën.im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!”. Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I: “Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”. E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” Në muajin nëntor 1944, u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë: “Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë…Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet”. Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak. Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë. Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar. Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, me komisar politik Ramiz Alinë dhe komandant Gjin Markun, dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të aratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz.V dheVI te ushtria jugosllave dhe që dërgoheshin në Tivar e gjetkë për t’u asgjësuar. Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës; Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë.” Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, përfundonin si robër lufte , me të cilët komanda e ushtrisë jugosllave mbushte kolonat ushtarake, që i dërgonte në Srem apo në Tivar.
Si i keqtrajtuan kolonat me shqiptarët e Kosovës që kaluan nëpër Shqipëri?
Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut, ishin 13.050 rekrutë shqiptarë. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur Golgota e madhe Shqiptare”,- konstatonte Zekeria Cana. Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën”.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë e ministrit i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koci Xoxes: “Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin”. Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë. Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë , jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes! Në të gjithë rrugën e mundimshme nga Puka në Shkodër, vazhdoi dhuna, poshtërimi dhe asgjësimi i rekrutëve shqiptarë nga komandot ushtarake jugosllave, shpesh në bashkëpunim të hapur apo të heshtur me ushtrinë shqiptare, që vetëm shqiptare nuk mund të ishte. “Prej Puke, në rrethana si ato të deritashmet, vazhduam rrugën, ndërsa dikur rreth orës 20.00, arritëm në një kanion të thellë, në të cilin rridhte fare pak ujë. Meqë urën (e Gomsiqes) e kishin shkatërruar fashistët italianë, deportimin tonë në anën tjetër të kanionit, xhelatët përpiqeshin ta organizonin përmes një teleferiku të improvizuar. Në atë teleferik, me dhunë hipën mbi 50 vetë dhe, natyrisht, sipas skenarit, teleferiku u këput, kështu që të gjithë ranë në atë kanion të thellë, në të cilin gjetën vdekjen 36 ushtarë dhe 14 të tjerë u lënduan. Tentuam, aty për aty, t’u ndihmonim, por na penguan përcjellësit serbë… “ E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna, ku, sipas Azem Hajdinit, gjetën vdekjen 234 rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolona e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini, – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.” Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie. Kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, deri sa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!”. Pushteti komunist në Shqipëri lejoi që të vriteshin bashkëkombësit tanë nga të huajt në shtëpinë tonë, në truallin tonë, brenda kufijve tanë! Dhe ajo që të tmerron më shumë, është duartrokitja e së keqes, një nga fenomenet tipike të komunizmit.
A mund të na thoni diçka për masakrën që ndodhi në Tivar?
Po. Masakra më e madhe ndodhi në mesditën e datës 31 marsit 1945 në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi. Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë. Edhe nga Kolonat e tjera të marsit dhe të prillit 1945, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar në Kosovë dhe viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën. Por, as Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇSH, as qeveria, as ministria e Jashtme e Shqipërisë, në krye të të cilave ishte Enver Hoxha, nuk reaguan as për vrasjen e dhjetëra shqiptarëve në bregun e lumit Buna, as për masakrimin e qindra shqiptarëve të tjerë në Tivar, por heshtën si bashkëfajtorë në krim, ndonëse sipas raportimeve të mësipërme, vrasjet ishin bërë “pa asnjë shkak, kanë bërë bujë dhe përshtypje shumë të keqe e dëmprurëse”.
Sa ishte numri i përgjithshëm i viktimave të masakrës?
Totali i shqiptarëve të asgjësuar nga të gjashtë kolonat me rekrutë shqiptarë prej 13.050 vetash, gjatë muajit mars dhe prill 1945, kryesisht sipas burimeve ushtarake jugosllave, rezulton, së paku, në 2 543 vetë. Siç e kemi theksuar edhe më lart, të dhënat që vijnë nga burimet e paplota ushtarake jugosllave, duhen marrë me rezervë, sepse përmasat e vërteta të krimit janë shumë më të mëdha. Po të hulumtosh parashtresat, botimet dhe dëshmitë për këtë masakër të Azem Hajdinit, Bajram Golës, Nazif Selimit, Xhaferr Vokshit, si edhe të dëshmitarëve që mbetën gjallë dhe i publikuan dëshmitë e tyre, rezulton që numri i viktimave gjatë marshimit dhe në plojën e Tivarit, të jetë edhe më i madh. Përfundimisht, sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare rezulton shuma prej gjithsej 2 947 – 3 447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e Tivarit. Këto shifra nuk janë përfundimtare.
Ramiz Alia në fakt i ka mohuar akuzat për përgjegjësitë e tij për këtë masakër. A ka përgjegjësi ai, sipas jush?
Në radhë të parë Ramiz Alia nuk thoshte të vërtetën kur deklaronte se në kohën që u bë masakra e Tivarit ishte në Bosnjë. Sipas dokumenteve të cituara edhe më sipër, Ramiz Alia, komisar dhe Rahman Parllaku, komandant i Divizionit V të ushtrisë NÇSH, ishin në Mitrovicë më 3 mars 1945 dhe mandej në gjithë Kosovën, nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm Jugosllav. Ramiz Alia dhe drejtuesit e tjerë të divizioneve të Shqipërisë në Kosovë kanë përgjegjësinë se dorëzuan te Ushtria jugosllave dhe tek OZNA (Shërbimi sekret jugosllav) gjithë shqiptarët që dezertonin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te ushtria shqiptare si edhe dorëzuan pabesisht gjithë vullnetarët shqiptarë të Kosovës që thirreshin e mobilizoheshin nga ushtria shqiptare, të cilët mbushnin kolonat (brigadat) që dërgoheshin në Tivar e gjetkë si mish për top. Edhe pse R.Alia mori vesh për masakrën ndaj kolonave të marsit 1945, ai sërish bënte thirrje që shqiptarët e Kosovës të bashkoheshin me divizionet e ushtrisë shqiptare dhe këta vullnetarë i dorëzonte sërish te ushtria jugosllave për të mbushur tri kolonat e prillit 1945, që pësuan fatin tragjik të kolonave të marsit. R.Alia ka përgjegjësinë se heshti për 68 vjet për këtë masakër, ku u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, një pjesë e tyre brenda territorit të Shqipërisë, në marrëveshje dhe bashkëpunim të plotë shqiptaro-jugosllav.
A mendoni se po të ishte zbardhur më parë kjo masakër, ndoshta edhe përgjegjësit do të ishin ndëshkuar?
Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është nxjerrë ndonjë përgjegjësi, apo ndëshkim, si në ish-Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri. Përkundrazi, shkaktarët janë shpërblyet me ndere dhe poste të rëndësishme. Bie fjala, ekzekutori Vladimir Roloviç, u emërua ambasador i Jugosllavisë në Kroaci, ndërsa komandanti i Brigadës X malazeze Markoviç, që i masakroi shqiptarët në Tivar, u emërua kryetar i një rajoni në Mal të Zi. Në Shqipëri, Enver Hoxha,veç të tjerash, edhe Hero i popullit shqiptar dhe hero i popujve të Jugosllavisë, ish-ministri i Brendshëm, Haxhi Lleshi që bashkëpunoi me jugosllavët për vrasjen e shqiptarëve në territorin e Shqipërisë, u bë president dhe Hero i Popullit, po ashtu edhe Shefqet Peçi, Hero i Popullit, Ramiz Alia, president dhe Hero i Popullit etj., dekorata që i mbajnë ligjërisht edhe sot!
A është ky libër njëherësh edhe një mesazh për shqiptarët dhe popujt e Ballkanit?
Po. E vërteta dhe vetëm e vërteta mund t’i shërojë plagët që ende rrjedhin. Një popull nuk mund të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët. Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish, siç ka ndodhur në historinë e Ballkanit. Veçanërisht, krimet me përmasa, implikime dhe pasoja ndërkombëtare, siç ishte edhe Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar e gjykuar drejtësisht dhe dënuar, të paktën, moralisht, që të mos mbeten si njollë e pashlyer, si plagë e hapur dhe si urrejtje vepruese, e ngulur thellë në ndërgjegjen e popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim, në një arsye më shumë për të qenë në mirëkuptim e bashkëpunim në rrugën e përbashkët drejt paqes dhe integrimit europian.
1 Comment