Prof. dr. Hysen Matoshi

Drejtor i Institutit Albanologjik Prishtinë

 

KTHIMI  I MID’HAT FRASHËRIT

 

Dëshmi e një kulture të zhvilluar është qëndrimi që mban ajo ndaj trashëgimisë së saj. Ca shenja të mbara në këtë drejtim janë shfaqur viteve të fundit në jetën tonë. Kanë nisur të rivijnë në ditët e sotme autorë e vepra që kanë shënuar kthesat në mendimin, dijen, artin, përgjithësisht në kulturën tonë kombëtare. Ribotimi i pancensuruar i këtyre vlerave, ardhja e tyre në një format modern publikimi, e funksionalizon si të tërë sistemin tonë të trashëgimisë kulturore. Kolanat e autorëve tanë të shquar, të revistave, me një fjalë të publikimeve që e shënuan jetën intelektuale të shqiptarëve që nga Rilindja Kombëtare e këtej, kanë bërë të mundur qasjen më të lehtë dhe më të plotë në këto burime, sikurse edhe njohjen e tërësishme të tyre dhe nxjerrjen e përfundimeve më të qëndrueshme në rrafshin studimor. Jo rrallë mosnjohja ose njohja e pjesshme e tyre, në të kaluarën, ka quar në përfundime të paqëndrueshme.

Pas botimit të koleksionit të plotë të “Kalendarit Kombiar” vitin që lamë pas, si një sihariq erdhi edhe lajmi për nismën e botimit të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit, përkatësisht për daljen e dy vëllimeve të para të saj. Nga ana tjetër, themelimi i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, të pagëzuar me pseudonimin më identifikues të shkrimtarisë së këtij kolosi të letrave shqipe, është një shenjë premtuese se jeta, vepra dhe veprimtaria e gjithëmbarshme e Mid’hat Frashërit do të njihet si e plotë dhe do të studiohet në polidimensionalitetin e saj.

Është merita e  profesor Uran Butkës, drejtuesin e Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” të Tiranës, përgatitës, botues dhe mbi të gjitha studiues kompetent e pasional i veprës së Mid’hat Frashërit, për gjithë përpjekjet e mëdha që ka bërë me qëllim që kultura jonë të frymojë me tërë kapacitetin e saj të plotë dhe veçmas do ta falënderoj për mundësinë që ia dha opinionit shkencor e kulturor të Kosovës që të njihet me rezultatet e para të kësaj pune madhore.

Vepra e zgjedhur e Mid’hat Frasherit është planifikuar te dalë në 14 vëllime, një kulturë e jahtëzakonshme, që i kthehet kombit shqiptar, dhe bashkë me të edhe vetë Mid’hat Frashëri.

Së pari duhet thënë se, ndonëse pinjoll i derës së madhe kombëtare të Frashërllinjve, Mid’hat Frashëri, për dekada, për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tij politike që shkonin ndesh me ato komuniste, qe ekskomunikuar tërësisht nga jeta jonë shoqërore e kulturore. Fatkeqësisht edhe studentët shpeshherë nuk e kanë të qartë origjinën e tij familjare dhe madje as faktin e thjeshtë se Mid’hati është Lumo Skëndo. Pasojat e ekskomunikimit të veprës së tij janë të pranishme edhe sot. Nëse do të donim ta definonim në pak fjalë në raport me tre kolosët e shqiptarisë, vëllezërit Frashëri, do të thosha se Mid’hati ka trashëguar nga babai i tij Abdyl Frashëri aktivizmin kombëtar politik, nga xhaxhai Naimi mjeshtërinë të shkruarit të shqipes dhe nga Samiu thellësinë e rezonimit shkencor. Pra, ai është simbiozë interesante e cilësive dhe e vlerave identifikuese të paraardhësve të tij.

Mid’hat Frashëri, në gjithë veprën e tij shkrimore, është marrë me çështje të mprehta aktuale e të gjithmonshme shqiptare. Nuk ka pranuar të heshtte para dukurive dhe fenomeneve që e kanë preokupuar atë si intelektual e që janë shfaqur si jetike për qenien e kombit. Prandaj themi me bindje të plotë se ai është ndër mendjet më kritike në mbarë historinë shqiptare, është intelektuali që gjërat i thotë shkoqur, që i nxjerr në pah të metat e bashkëkombësve të tij dhe që pothuajse rregullisht identifikon edhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Në kundërshtim me glorifikim romantik të botës shqiptare, Mid’hat Frashëri e vë theksin te dobësitë, te të metat që nuk i linin shqiptarët të bënin hapa përpara, natyrisht pa mohuar virtytet që i karakterizojnë si komb. Prandaj, themi se emëruesi i përbashkët i të gjitha qasjeve të tij shkrimore është objektiviteti.

Jo rrallëherë që në titujt e shkrimeve të botuara gjithandej në periodikun shqip, Mid’hat Frashëri shtron pyetje, thërret zëshëm dhe ngre probleme që kërkojnë zgjidhje të shpejta. Të këtilla janë formulimet aklamative dhe ultimative si: “Pse jemi kaq të varfër”, “Po humbasim”, “Ku jemi?”, “Mjaft, mjaft”, “Ç’po bëjmë?” “Në rrezik”, “Të metat tona” etj. Në tekstin e fundit pa asnjë konsideratë dhe me një ashpërsi karakterizuese, por gjithsesi qëllimmbarë, lidhur me të metat e trashëguara të shqiptarëve, u drejtohet lexuesve: “Ne shqiptarët, ti miku im që këndon këto radhë dhe unë që po i shkruaj, jemi plot faje, plot të meta. Kemi karaktere të ligj, të trashëguara nga koh’ e shkuar, nga stërgjyshërit, nga paranikët; duhet t’i shkulim ne, që të mos i trashëgojnë fëmijët tanë, të mos i bëjmë të na japin mallkim. Ne sot nuk i ngarkojmë me nëmë gjyshërit tanë: ata nuk kanë qenë të përgjegjshëm, se nuk i shihnin, që ishin faje. Po ne i prekim me dorë të ligat tona, prandaj duhet të mos i hedhim në kurriz të atyre që na pasojnë.” Si i tillë i papajtueshëm me të metat, me dobësitë dhe të ligat (një pjesë e mirë e të cilave fatkeqësisht na karakterizon edhe sot) Mid’hat Frashëri, të cilin Uran Butka e ka emërtuar si “mjek të sëmundjeve shoqërore”, shpalos bindjet e tija, analizat dhe sintezat e shumta që gjetën vend në periodikun e asaj kohe. Ai do të shkruajë për ngjarje të rëndësishme, veçmas për kontekstin e ekzistimit dhe të formimit të Shqipërisë, për zhvillime historike (në një pjesë të madhe të të cilave ishte edhe vetë protagonist), shkruan edhe për kufijtë e Shqipërisë, rreth të cilëve u ngrit aq shumë pluhur, për konferencat ndërkombëtare, pastaj për personalitete që i kontribuuan  ngritjes së shqiptarëve, por edhe për të tillë që punuan kundër interesit kombëtar. Ka mes tyre portrete të figurave kombëtare e botërore, një galeri ku shpërfaqen veçantitë dalluese të Bexhamin Franklinit, Napoleon Bonapartës, Abdyl Frashërit, Naim Frashërit, Esad Toptanit, Murad bej Toptanit, Kristo Luarasit, Milan Shuflajt, Safet Butkës etj.

Pasi e quan Kongresin e Manastirit, shenjën e parë të bashkimit të shqiptarëve, arritjen më të madhe të tyre, Mid’hat Frashëri preokupohet së tepërmi edhe me nevojën e një gjuhe letrare, a të përgjithshme shqipe, siç e quan ai. Analiza që ia bën gjendjes së shqipes dhe veçmas veçantive të dy dialekteve të saja është e vlefshme edhe pas njëqind e sa vjetësh. Më tej, në kontributet e shumta publicistike bën përpjekje që të tërheqë vëmendjen në çështje madhore të interesit jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky vëllim, përveç shkrimeve të shumta publicistike, përmban edhe një pasuri të çmueshme dokumentare, të vjelë me kujdes nga veprimtaria diplomatike dhe politike e Mid’hat Frashërit, i cili del si faktor veprues kulturor, politik e diplomatik në të gjitha periudhat kohore përgjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX, duke nisur me Kongresin e Manastirit dhe rolin e tij prej kryesuesi, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë si njëri nga nënshkruesit e saj dhe si ministër në qeverinë e parë, për të vijuar me luftën diplomatike për kufijtë e Shqipërisë, kontributin e tij nëpërmjet mbështetjes së presidentit Vudro Vilson në Konferencën e Paqes me një përkujtesë brilante, me përfaqësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (ku polemizoi me një nivel të lartë argumentimi me përfaqësues të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene), ishte njëri ndër përfaqësuesit më të shkëlqyer që ka pasur ndonjëherë diplomacia shqiptare, por edhe themelues i organizatës politike Balli Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë” etj. Për shumë nga këto veprimtari të Mid’hat Frashërit lexuesi dhe studiuesi, në vëllimin e parë të veprave të zgjedhura, do të gjejë dëshmi dokumentare mid’hatiane.

Zotësia shkrimore e Mid’hat Frashërit ka dalë në pah edhe përtej dimensionit kombëtar. Reagimet dhe shkrimet e tij të tjera kanë gjetur vend edhe në revista e gazeta ndërkombëtare, duke iu kundërvënë si rrallë ndonjëherë propagandës së fqinjëve grabitqarë dhe duke i demaskuar qëllimet e tyre hegjemoniste. Në të vërtetë, ai ka dëshmuar zotësi të qarta polemizuese me delegacionin jugosllav në Lidhjen e Kombeve, pastaj edhe me tekste e autorë që e shtrembëronin të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Veçmas shfaqet bindës kur analizon dhe vlerëson tekste të qarta antishqiptare, sikurse është ai i Leon Maccas-it “La question Greko – Albanaise”.

Gjithnjë duke u mbështetur në interesimet e të huajve për shqiptarët, Lumo Skëndo ka shkruar një varg recensionesh për vepra të autorëve të ndryshëm botërorë, sikundër janë: Justin Godart, Jacques Bourcart, Harold Ë.V.Temperley, Jacques Ancel, Edmond Bouchié de Belle, Mario Roques,, Rose Ëilder Lane, Jan Gordon etj. Këto shkrime, në të vërtetë, janë provë se në mesin e shqiptarëve po lindnin personalitete e intelektualë që e përcillnin me një vëmendje të theksuar kritike produktin shkrimor të nivelit botëror në të cilin trajtoheshin Shqipëria dhe populli i saj. Me një fjalë, me Mid’hat Frashërin dhe një numër të vogël autorësh, po lindte gjykimi profesional për librin.

Një aspekt me interes për studimin e kolosit të letrave shqipe e përbën edhe studimi hyrës prej 200 faqesh i Uran Butkës, i titulluar “Vepra madhore e Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo)”, si një sintezë e mirëfilltë e një trashëgimie kapitale të kulturës shqiptare. Për këtë format studimi dhe veçmas për nismën e botimit të kolanës së veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit e përgëzojmë dhe njëkohshëm e falënderojmë studiuesin Uran Butka, me shpresë që sa më parë t’i kemi në duar edhe vëllimet e tjera.

Këtë vështrim të shkurtër dua ta përfundoj me disa fjalë të Mid’hat Frashërit të cilat i kishte thënë në shkrimin homazh për bashkëpunëtorin e tij Kristo Luarasin: “Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur. Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma. Ç’ka të bëjë zhdukja e trupit, në qoftë se ideja rron, kur ajo ide ngjall një mijë shpresa dhe entuziazëm? Dhe bash këto janë jetë e vërtetë”.

Gati 70 vjet pasi dha frymën e fundit Mid’hat Frashëri, me idetë e tij, me trashëgiminë shkrimore, vjen në një format të ri, të plotë dhe funksional si një dëshmi e rrojtjes së tij shpirtërore dhe si një vlerë jona kombëtare.

 

 

Leave a Comment