Uran Butka:
Themelimi i Institutit “Lumo Skëndo” shënon një ngjarje të re dhe domethënëse në fushën e kulturës kombëtare, por edhe një mundësi për të kontribuar në rrafshin historik.
Domethënia qëndron jo vetëm tek emri i Institutit “Lumo Skëndo”, që na nderon dhe na përkushton tej mase, por edhe tek përcjellja e heshtur, e nëndheshme, e anatemuar, e mohuar, e frikshme dikur, mandej në këto vite të tranzicionit demokratik, edhe e lirë edhe e penguar e frymës dhe e veprës së tij madhore, ende e panxjerrë në dritë të plotë. Lumo Skëndo, në vitin 1929 la një testament të pashembullt deri atëherë, me anën e të cilit linte gjithë pasurinë e tij kulturore dhe materiale për të ngritur një institut të pavarur të studimeve shqiptare:
“Unë, Mid’hat Frashëri, në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament, duke ushqyer shpresën se pas vdekjes sime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu: Ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobila, karta, plaçka, para’ etj., i lë për krijimin e një “INSTITUTI ALBANOLOGJIE” që të jetë një qendër e studimevet shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendërsojë dhe të udhëheqë studimet që përkasin Shqipërinë dhe shqiptarëvet… Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputet gjë. Gjithë sa më kanë mbetur nga im atë ( Abdyl Frashëri- shënimi im) dhe nga ungjërit ( Naim dhe Sami Frashëri, shënimi im) dhe që sot formojnë muzenë time familiare, dëshëronj që të ruhen prapë në formë të një muzeje së vogël brënda në Institut. Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshira ime do të zbatohet besnikërisht prej pasonjësve të mi në gjithë shekujt që do të vijnë dhe lutja ime drejtuar Fuqisë së Madhe që tani s’e kupëtojmë dot, do të jetë të kenë gjithë shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që shqiptarizma të bëhet një dëshirë dhe një konviktim i thellë dhe që çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i shqiptarëvet të gjithë është edhe nderi dhe lavdi ynë personal”.
Synimi kryesor i këtij Instituti është hulumtimi, studimi dhe botimi i një historie të pathënë apo të pashkruar, njëherësh edhe ndreqja e historisë shqiptare të tjetërsuar dhe të falsifikuar nga regjimi dhe historiografia komuniste, që ende vret.
Do të marr vetëm një shembull të thjeshtë, simbolik, por edhe të njohur tanimë si një dhunim historik tipik: Aktin e Pavarësisë. Edhe për faktin që lidhet me emrin e Mid’hat Frashërit, nga njëra anë si firmëtar i Pavarësisë, nga ana tjetër si i retushuar në këtë akt nga falsifikatorët e historisë (njëri prej tyre, madje kryesori: Kristo Frashëri me Albumin e Pavarësisë të vitit 1965 e retushoi i pari) kanë vënë mbi emrin e tij një ndërtesë, për ta fshirë nga historia, por nuk e fshinë dot nga kujtesa e kombit. Bashkë me emrin e tij, kanë mbuluar edhe firmëtarin tjetër, Lef Nosin, i cili e ruajti dhe e botoi aktin e Pavarësisë, që e kemi edhe sot falë tij, ndërkohë që këta dhunues mjeranë janë fshirë nga historia, ndërsa Lef Nosi jeton. Janë mbuluar me një foto tjetër emrat e Mustafa Krujës, Ferit Vokopolës etj, gjithsej nëntë firmëtarë të zhdukur nga Akti i Pavarësisë. Absurditeti tjetër qëndron edhe në faktin që sipër firmave të kryetarit Ismail Qemali dhe nënkryetarit Nikollë Kaçorrit, janë ngritur emrat e dy firmëtarëve gjirokastritë…Pra u falsifikua dhe u deformua gjithçka, veçanërisht periudha e Pavarësisë, sidomos koha e Princërisë dhe Mbretësisë dhe në mënyrë të përbindshme periudha e Luftës së Dytë Botërore , e Luftës civile dhe e Socializmit, natyrisht për interesa ideologjike, politike, pushtetore dhe delirante të Enver Hoxhës dhe të kastës së tij staliniste.
Në këto vite të tranzicionit demokratik, krahas trysnisë postkomuniste, është bërë përpjekje për ta korigjuar këtë shëmtim, që po helmon e disinformon brezin e ri, por më tepër këto kanë qenë përpjekje individuale të studiuesve dhe historianëve të vërtetë. Tekstet e historisë për universitetet dhe shkollat e mesme janë në frymë dhe në gërmë po ato të historiografisë së mëparshme. Kjo gjendje është me pasoja të rënda jo vetëm për brezin e ri, por edhe për fatin e një populli të tërë. Shqiptarët i ka vrarë më tepër se plumbi, padrejtësia e historisë, falsifikimi i saj, denigrimi dhe përbaltja e personaliteteve të shquara, glorifikimi i pushtetarëve, kriminelëve dhe antikombëtarëve.
Për të bërë ndryshimin, ne themeluam këtë institut të pavarur nga politika apo të qepurit pas qeverisë , siç thoshte Mid’hat Frashëri, duke menduar se mund dhe duhet të punojmë institucionalisht dhe me shpresën e bashkëpunimit me ato institucione dhe ata historianë objektivë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që do të vijojnë me kurajo dhe shkencërisht korigjimin dhe shkrimin e historisë sonë kombëtare.
Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftërat e vazhdueshme, traumat e mënxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysmë shekullor komunist dhe leximi i keq i historisë, i cili vazhdon edhe sot, ka nevojë më së shumti për të vërtetën.
Puna e parë e Institutit do të jetë realizimi i projektit të rëndësishëm të hulumtimit, studimit dhe botimit të veprës së plotë të Lumo Skëndos në dhjetë vëllime. Mandej projekte të tjerë për ndriçimin e ngjarjeve të rëndësishme historike dhe të personaliteteve historike, veprimtari kulturore, konferenca e seminare kombëtare e ndërkombëtare, botime dhe publikime të studimeve historike, mbështetja me projekte e studimeve historike, nxjerrja e materialeve arkivore nga arkivat e vendit dhe ato të huaja, që lidhen me historinë, inkurajimi i të rinjve, sidomos i studentëve për t’u angazhuar në studime, debate e veprimtari historike, si edhe ushqimin e rrjeteve sociale të internetit me materiale të shkruara e filmike për publikun më të gjerë. Projekti më madhor i Institutit është, që në bashkëpunim me studiuesit dhe historianët brenda dhe jashtë vendit, të hartojë dhe të botojë në disa vëllime tekstin “Historia moderne e Shqipërisë”.
Në udhën tonë do të kemi bashkëpunim institucional intensiv me Institutin Albanologjik dhe Institutin e Historisë së Prishtinës si edhe me institucionet kulturore e shkencore të Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Diasporës shqiptare.