Në Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Tiranë, u organizua një konferencë historike me studentë dhe të rinj mbi dëshmorët e Grehotit, që ranë në luftë kundër pushtuesve italian në Grehot të Gjirokastrës, më 14 shtator 1943.
Data e 14 shtatorit 1943, është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica. Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve Nacionalistë, dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me ardhjen e demokracisë dhe shpalljen Dëshmorë të Atdheut të 37 komandantëve dhe luftëtarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50 vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.
Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmëshekullor.
Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni Lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.
I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e Rilindasve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por shkeli edhe në rrugë të reja. Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, oficer i gjindarmarisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër. Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit dhe perpjekja për një politikë totalitariste, e vunë H. Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe pas kundërrevolucionit të Zogut të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria. I amnistuar u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj veproi në organizatën e fshehtë kundër monarkiste “Lëvizja e Vlorës” e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço, Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat popullore bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.
Hysni Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresqn dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës. Në Himarë organizoi vrasjen e togerit Italian Moreti dhe u hodh në Ilegalitet.
Abaz Ermenji shkruante se ai vetë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit Italian. Hysni Lepenica formoi çetën nacionaliste Shqiponja” në qarkun e Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skëndër Muço, bashkëpuntori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar.
Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943 kundër italianëve, ku morën pjesë1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj, si edhe çeta Plakë e Vlorës me komandant Neki Ymeraj, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej më se 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi
Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 të vrarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës shqiptare.
(Falsifikimi: Historia e luftës Nacional Çlirimtare, v. 1975: Këtë luftë u përpoqën ta sabotonin Hysni Lepenica dhe Skënder Muço me shokën ndërsa veprimet i drejtonin drejtpërdrejt shokët Hysni Kapo dhe Mehmet. Shehu”)
Hysni Lepenica dhe Skënder Muco, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët, por edhe përgjatë vitit 1943 u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj, ndonëse drejtuesit komunistë se Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.
Hysni Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2 – 4 gusht 1943 dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për shpëtimin e Shqipërisë si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e Hysni Lepenicës në këtë kuvend kombëtar është lapidare: “ ne delegatët e ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin Nacional Çlirimtar në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: ç’na ndan në? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që front Nacional Çlirimtar, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë kur është kështu ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë”?
Në kuvendin e Mukjes H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator Hysni Lepenica dhe Skënder Muço, në krye të çetës Shqiponja hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit Nacional Çlirimtar, duke i ftuar që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin. Por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun i përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejton Komitetit Krahinor te Partise Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët po tu vënë pushkët atyre. Kështu filloi edhe lufta civile në Girokastër, Vlorë dhe gjithë Shqipërinë.
Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes. Atje u goditën dhe ranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e Luftës Nacional Çlirimtare Bedri Spahiu, Shemzi Totozani, Shefqet Peçi etj, që ndodheshin ne zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit. Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve terroristë komunistë. Në Grehotin e pambrojtur kryekomandanti Hysni Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë për Shqipërinë: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni,i biri i tij, Hasan Gjoni, Mehmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj, Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola e të tjerë.