Konferencë shkencore-përkujtimore kushtuar Musine Kokalarit
Musine Kokalari, 10 shkurt 1917 – 14 gusht 1983 Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” organizoi me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, shkrimtares së parë shqiptare, e nacionalistes dhe demokrates së shquar, gazetares dhe publicistes, politikanes opozitare, themelueses së Partisë Socialdemokrate shqiptare, kundërshtares së komunizmit dhe diktaturës së Enver Hoxhës, qëndrestares dhe martires, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Musine Kokalari”, Tiranë, një konferencë shkencore-përkujtimore kushtuar Musine Kokalarit.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin zonja Karolina Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit, e cila përmes kujtimeve të saj përcolli shumë emocion tek të ftuarit, si edhe drejtori i shkollës 9-vjeçare z. Besim Cengu, i cili përmes kumtesës së tij theksoi rolin dhe rëndësinë e Musine Kokalarit në jetën politike dhe shoqërore shqiptare. Nxënësit e shkollës “Musine Kokalari” interpretuan plot ndjenjë disa nga poezitë e shkrimtares si edhe poezi të shkruara për të si; Të isha një lule, Kolla e vdekjes, Për Musine Kokalarin, Ja unë.
Drejtori i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, z. Uran Butka, mbajti kumtesën “Musine Kokalari, figurë e shquar e kombit”.