URAN BUTKA

Kujtesa është një aftësi e jashtëzakonshme e trurit, që regjistron, ruan dhe riprodhon imazhe;ajo na mban gjallë dhe na pasuron jetën. Pa të do ta humbnim fillin e kuptimit dhe të vazhdimësisë së jetës. Çdo ditë e ngjarje do të ishte pa lidhje , as do të mësonim nga e kaluara, as do të bënim përpara në  të ardhmen. Nga kjo vjen edhe parabola se e shkuara përcakton edhe të ardhmen.

Në mënyrë të posaçme kujtesa historike është një nga komponentët më të fuqishëm të kujtesës njerëzore. Përveç njohjes së të vërtetës dhe aftësisë udhërrëfyese, ajo shërben  në krijimin e një identiteti të qëndrueshëm kombëtar, në mbijetesën e përparimin e një populli, të një shteti apo të njerëzimit. Kujtesa historike është jetike jo vetëm për një popull dhe një shtet  të vogël, si Shqipëria dhe për një komb të ndarë në disa shtete, si kombi ynë. Ky roli  rëndësishëm i kujtesës historike, është dhe një nga arsyet që edhe  shtetet modern,edhe pse kanë hyrë në epokën e globalizmit ku nocione të tilla si kombi, identiteti e përkatësia kombëtare tentojnë të dobësohen, gjithsesi po përpiqen, siç është rasti i Francës, Gjermanisë dhe tani së fundmi i Anglisë, por edhe I vendeve të tjera në zhvillim, të forcojnë rrënjët e identitetit të tyre kombëtar.

Kujtesa jonë historike është kthyer në ndërgjegje dhe forcë kombëtare për ngjarje, periudha e personalitete të rëndësishme, siç është periudha e ndritur e Skënderbejane, mbi të cilën u ngrit edhe Rilindja kombëtare, po ashtu,  përpjekja dhe lufta e vazhdueshme për mbrojtjen e integritetit tokësor e njerëzor shqiptar, që kulmoi me Lidhjen e Prizrenit,  përpjekja për pavarësi, që kulmoi me shpalljen e saj më 1912, luftërat për liri kundër pushtuesve të huaj, që kulmuan me luftën antifashiste si edhe lëvizja për demokraci, që kulmoi me Lëvizjen studentore të Dhjetorit, rënien e regjimit komunist dhe fitoren e demokracisë më 22 mars 1992.

Kjo është një kujtesë historike afatgjatë, e qëndrueshme dhe e domosdoshme, mbi të cilën është ngritur, qëndron dhe përparon gjindja shqiptare përballë sfidave të të gjithë kohërave, edhe të kohës së sotme.

Ndërkohë, në periudha të ndryshme të historisë sonë, sidomos nën pushtimin pesëshekullor osman dhe në regjimin gjysmëshekullor diktatorial komunist, u rrënjosën në kujtesën tonë historike afatgjatë, pra, jo në kujtesën e përkohshme, perceptime, nocione, vlerësime, përfytyrime dhe informacione të gabuara, të shfytyruara, të pavërteta, por të koduara si burime të rëndësishme historike të vërteta nga regjimet përkatëse. Veçanërisht regjimi totalitar komunist, politika dhe historiografia puthadore komuniste, për arsye ideologjike, politike dhe pushtetore, e deformoi krejtësisht kujtesën tonë historike, jo vetëm për periudhën e Luftës Antifashiste dhe të regjimit enverist në Shqipëri, por edhe për periudhat e mëparshme, kryesisht atë të pavarësisë, luftës së parë dhe të dytë Botërore në Shqipëri dhe në gjithë  hapësirën shqiptare. Lufta e ashtuquajtur nacionalçlirimtare, si edhe periudha kriminale e socializmit të dështuar, u quajt periudha me e ndritur e historisë së popullit shqiptar në të gjitha kohërat. U ngrit kështu ky mit i rrejshëm, për ngjarjet historike dhe udhëheqësit komunistë, sidomos kulti për E. Hoxhën, që u rrënjosën në kujtesën e popullit me mjete të propagandës së papërballueshme komuniste, të mashtrimit të përditshëm, të teksteve mësimore në të gjitha nivelet e shkollave dhe të presionit politik, në kushtet e një getoje dhe izolimi të plotë nga bota. Kështu, kujtesa historike u depozitua me informacione të falsifikuara apo të tjetërsuara qëllimisht, aq sa një pjesë e madhe e kombit, jo vetëm në ata kohë, por edhe sot pas 26 vjetësh, është në gjendje të gënjeshtër njohjeje, meditimi dhe veprimi, ende në një krizë ekzistenciale.

Ndonëse është bërë deri më sot diçka për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare dhe të historisë zyrtare, nëpërmjet zbulimit dhe publikimit të dokumenteve te rinj,  përsëri rezulton se kujtesa e shoqërisë shqiptare është ende e indoktrinuar, e mbingarkuar me të pavërteta historike, apo  e dyzuar, që ndikojnë negativisht në jetën dhe psikologjinë e individit, shoqërisë dhe kombit, si edhe në proceset e tjera të politikës, ekonomisë, kulturës dhe integrimit evropian.

Mjafton t’u hedhësh një sy vetëm teksteve shkollore, që të bindesh që edhe sot e kësaj dite nëpërmjet këtyre teksteve, por edhe teksteve te politikës së ditës (parlamentit), të mediave të politizuara, të teksteve në internetetj, vazhdon të ushqehet kujtesa historike me materiale të vjetëruara, pasakta  e të pavërteta.

Prej këndej del detyra e pjesës më të shëndoshë të shoqërisë shqiptare, dhe sidomos e individëve të shquar e të përgjegjshëm si edhe e institucioneve të pavarura politikisht, ku hyjnë edhe mediat e lira,  besoj  edhe portali KUJTO, që po përurojmë sot, që në bashkëveprim të kombinojnë e të intensifikojnë punën duruese për tëharrjen, çrrënjosjen e ferrishteve helmuese dhe parazite në kujtesën historike, si edhe në punën për ripërtëritjen e kësaj kujtese, pasurimin me informacion të ri, të dokumentuar, të qëndrueshëm  e të vërtetë.

Le të kujtojmë fjalët e Naimit: Shpërnda, hithra përsipër na kanë rënë, dritën na kanë zënë më fletët e tyre të gjera..”,që janë aktuale edhe për sot.

Po jap vetëm dy-tre shëmbuj:

Akti i shpalljes së Pavarësisë, i falsifikuar nga politika dhe historiografia komuniste, duke i fshirë apo mbuluar me foto emra tënëntëfirmëtarëve të rëndësishëm, si Mid’hat Frashëri, Lef Nosi, Mustafa Kruja etj, është një shëmbull tipik i mashtrimit komunist.Ky fakt është i vetmjaftueshëm në vetvete, po a janë bërë të vetëdishëm shqiptarët për këtë akt të shëmtuar, që s’i ka ndodhur asnjë kombi tjetër në botë? Mendoj se jo. Ndaj, duhet sjellë vijimisht në kujtesë dokumenti imanipuluar i aktit të Pavarësisë, duke e krahasuar me aktin e vertetë, të botuar nga Lef Nosi. Por edhe qindra akte e dokumente te tjerë  të falsifikuar gjatë regimit monist për të mbuluar të vërtetën historike.

Nësë shkojmë më tej, është tjetërsuar krejtësisht historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, duke e paraqitur Luften NÇ, si luftën e vetme antifashiste dhe më të lavdishmen të popullit shqiptar, ndërkohë që Lufta NÇ ishte vetëm një pjesë e Luftes antifashiste, ashtu siç janë pjesë të luftës antifashiste edhe faktorët e tjerëantifashistësi Balli Kombetar, Legaliteti, lëvizjet çlitimtare të pavarura si lëvizja Kryeziu, Lëvizja e M.Bajraktarit etj, ndërkohë që Lëvizja NÇ nuk ishte aspak nacionale, nisi si një luftë çlirimtare por u tjetërsua një luftë partiake terroriste e drejtuar nga PKSH, dhe degradoi në luftë civile, për motive pushteti e ideologjike dhe që pas luftës solli një robëri tjetër, atë komuniste.

Për fat të keq, edhe pse janë publikuar mjaft dokumente arkivore, por edhe botime historiketë botuara nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të komunizmit siç është edhe “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, Krimet e Komunizmit gjatë Luftës etj, që provojnë me dokumente arkivore të kundërtën, sërish në kujtesën e shumicës së njerëzve është ngulitur një mashtrim i madh, nga i cili s’po dalin dot. Në mënyrë të veçantë e majta shqiptare, trashëgimtare e PK ,veçanërisht disa politikanë e veprimtarë enveristë, por edhe djathtistë hibridë. Kujtesa e tyre e ngurtësuar, por edhe interesat politike, sidomos ato elektorale, i bëjnë të pandjeshëm ndaj krimeve të komunizmit gjatë luftës por edhe gjatë regjimit diktatorial të evidentuara dhe të dokumentuara tashmë nga arkivat shqiptare e të huaja, vetëm u intereson lufta e sotme politike për pushtet e pasuri.

Dua të sjell dhe një shembull tjetër: Kur presidenti Nishani dekoroi 87 viktimat e masakrës të realizuar në tetor të vitit 1943nga M. Shehu dhe Dushan Mugosha, zv. komisari i Brigadës I S, u bë një zhurmë dhe reagim i madh politik dhe mediatik, kundër dekorimit të këtyre luftëtarëve antifashistë të Ballit Kombëtar, të zënë rob, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën e Parë, por të shkonin në shtëpitë e tyre. Ndonëse të pafajshëm dhe ndonëse robër lufte, u pushkatuan pa gjyq dhe në kundërshtim me ligjet e luftës. Në kujtesën dhe ndërgjegjen e shumë shqiptarëve, ekziston për ta ende kodi  rrënjosur i kolaboracionizmit, i përsëritur për 50 vjet me radhë nga propaganda dhe historiografia komuniste, e përsëritur edhe sot e kësaj dite nga të indoktrinuar enveristë. Reagimi me dokumente historikë nga ana e atyre që hulumtojnë të vërtetën , gjithsesi ishte i dobët. Për mua ka rëndësi jo dekorimi, por ndriçimi i së vërtetës, heqja e baltës dhe helmit të hedhur.

Së fundi, dua të theksoj edhe anën tjetër, atë të moskujtesës, të amnezisë kolektive. Regjimet totalitare janë përpjekur ta shuajnë, ta fshijnë atë pjesë të kujtesës që i demaskonte apo i demaskon. Kështu bëri edhe E. Hoxha dhe regjimi komunist, që u përpoqën me çdo mjet të shpëlanin trurin e kombit, pra kujtesën e tij dhe të krijonin njeriun e ri, komunist. Ata u përpoqën që të fshinin, mbulonin, krimet e tyre, duke vrarë kujtesën. Vrasja e mendjeve të shquara, trurit të kombit, zhdukja e kundërshtarëve politikë, zhdukja e dokumenteve jo vetëm gjatë regjimit por edhe në prag të fitores së demokracisë në vitet 1991-1992, për të zhdukur gjurmët e krimit, përbëjnë një goditje të pariparueshme të kujtesës historike.

Një shembull domethënës është fshehja e të vërtetës për masakrën e Tivarit, një plojë e përgjakshme e projektuar dhe e realizuar nga shteti jugosllav kundër shqiptarëve të Kosovës e të trevave shqiptare nën Jugosllavi në vitin 1945, por në bashkëpunim e marrëveshje të fshehtë me shtetin komunist shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, e fshehin ende këtë masakër. Unë nuk kam reshtur së hulumtuari këtë masakër ndërballkanike, kam zbuluar rrënjët, qëllimet dhe pasojat, duke  shfrytëzuar dokumentet jugosllave, britanike dhe ato shqiptare, për të nxjerrë të vërtetën. Madje këto ditë nxora botimin e tretë të plotësuar të librit “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”. Vetëm duke e publikuar dhe përsëritur të vërtetën, mund ta rrënjosim në kujtesën e shqiptarëve.

Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftërat, por më tepër nga padrejtësitë, mashtrimi dhe heshtja e historisë, që vijon edhe sot, kanë nevojë për të vërtetën, sidomos të rinjtë, për t’i bërë ballë si qytetarë të lirë  e të vetëdijshëm të sotmes dhe të nesërmes.

 

 

Leave a Comment